Albspirit

Media/News/Publishing

Breshëri dhe reshjet godasin ashpër cërriksarët, shpendët i degdis në Devoll

Reshjet e kësaj fundjave kanë shkaktuar përmbytje në disa fshatra të Cërrikut dhe Gramshi. Më rëndë rezulton se janë goditur fshatrat Gostimë, Shtërmen dhe Malasenj. Uji ka vërshuar nëpër shtëpitë e banorëve duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Lartësia e ujit e kaloi mbi një metër në disa zona. Në një lagje pranë komisariatit të Cërrikut ka pasur përmbytje të mëdha. Të paktën 5 familje janë dëmtuar rëndë. Sipas banorëve, uji ka përmbytur të mbjellat e stinës, shpendë dhe kafshë. Qindra krerë me shpezë dhe dhjetëra kafshë rezultojnë të humbura dhe mendohet se janë marrë nga uji e kanë përfunduar në Devoll. Si pasojë e reshjeve të denduara ne fshatin Malasenj, familjes që shikoni në video i janë përmbytur 70 koshere me bletë. Por drama nuk mbaron me kaq. Në tentativë për të shpëtuar kosheret, nusen e shtëpisë e pickojnë bletët dhe ajo ka përfunduar e helmuar në gjendje të rëndë në spital. E moshuara që ka mbetur e vetme në shtëpi tregon se uji erdhi i vrullshëm deri në 1.5 m lartësi dhe përmbyti gjithçka, veçanërisht kosheret me bletë. Banorët tregojnë se është hera e dytë që përmbyten. Por këtë radhë, sipas tyre, dallga ishte shumë e madhe aq sa mori përpara gjithçka. Ata kërkojnë ndihmë nga pushteti dhe qeveria, pasi përmbytja u ka shkatërruar gjithçka./oranews/

Please follow and like us: