Finnbogi GUDHMUNDSSON: Skënderbeu në burimet islandeze
(Marrë nga libri “Skënderbeu në vendet nordike” me autorë Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë 2018).
Është e qartë që njoftimet për Skënderbeun dhe bëmat e tij heroike kanë ardhur deri në Islandë nëpërmjet veprës së shkrimtarit të famshëm danez-norvegjez Ludvig Holberg: Adskillige store Heltes og berømmelige Maendssear Orientalske og Indianske sammenlignede Historie og Bedrifter efter Plutarchi Madeved. Deelt udi 2 Tomer. Tomus I. Kiøbenhavn, 1763. (Histori e krahasuar dhe bëmat e heronjve të mëdhenj të ndryshëm dhe e njerëzve të famshëm rrëfyer sipas mënyrës së Plutarkut. Botuar në dy vëllime. Vëllimi I, Kopenhagë, 1763).
Në vëllimin I, f. 353-385, ka një krye për Skënderbeun, që ndiqet prej një krahasimi të shkurtër të tij me heroin bavarez Zhiska (çek. Johannes de Trocznou).
Kreu për Skënderbeun në veprën e Holbergut është përkthyer islandisht nga fundi i shek. XVII ose rreth v. 1800 me sa duket, si dhe ruhet në disa dorëshkrime, që gjenden tashti në Departamentin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Islandës.
Ndonëse ne nuk kemi bërë ndonjë provë për një krahasim të plotë të tekstit, mund të themi se ato të gjitha e kanë burimin nga përkthimi i origjinalit të Holbergut.
Po ju dërgojmë si dhuratë një fotokopje të një versioni shkruar rreth v. 1832 nga fermeri Þorsteinn Gíslasson në Stokkahlaðir të Eyjafjödur-it në veri të Islandës.
Një variant i ngjashëm për Skënderbeun ka qenë me siguri i njohur po në atë periudhë në krahinën fqinje të Skakafjörður-it, në veri të Islandës, ku i është dhënë imzot Hannes Bjarnasson-it me kërkesën që ta kthente në rimur ose në baladë islandeze, një tip poezie që është praktikuar në Islandë që nga shek. XIV. Për të dhënë një ide lidhur me këtë poezi, po citojmë një pjesë nga leksioni mbi Poezinë romantike të Islandës, mbajtur në Universitetin e Glasgout më 1.XI.1946 nga William Craigie, njohës i mirë i kësaj poezie. Leksioni i tij u botua më 1950 nga Universiteti i Glasgout.
Pas kësaj hyrjeje, të kthehemi tek Rimur Epirótakappa eftir séra Hannes Bjarnasson (Rimur për Skënderbeun, heroin e epirotëve), të shkruar nga I përnd. Hannes Bjarnasson.
Ky rimur ose baladat janë hartuar më 1825, por u botuan në Akureyri në veri të Islandës më 1861. Ruhen edhe disa dorëshkrime të tij në Bibliotekën Kombëtare të Islandës. Në vargjet hyrëse të baladës së parë poeti thotë në vargjet 6 e 7 (përkthimin e kemi bërë anglisht në prozë):
- Një i panjohur na kërkoi t’i bënim një baladë,
Siç thotë fjala e urtë, zor është ta kthesh mbrapsht kërkesën e parë.
- Ky i panjohur na dërgoi një rrëfim aventurash
Për një burrë që jetonte në Europën Jugore;
Vështirë do ta kem në vargje që ta kthej.
Në strofat hyrëse 11-13 poeti i drejtohet Skënderbeut, që është tema e veprës së tij, dhe thotë:
- Shumë vargje do të na dalin e ndonëse kam frikë se poezia ime s’do të jetë edhe aq e pëlqyer, dëshirë kam ta them në vargje rrëfimin për Skënderbeun.
- Ky burrë ka qenë me emër të madh, popujt e botës i falen atij çdo ditë.
- Dhuntia ime poetike është e varfër, kur vjen rasa t’i këndojë një burri të tillë, që në fushë të mejdanit e mbajnë të gjithë për të shkëlqyer.
Pas 15 strofave të hyrjes, poeti nis të vërë në vargje rrëfimin për Skënderbeun, duke e ndarë gjithë historinë në 10 balada dhe duke bërë një ndërprerje në fillim të secilës.
Në këtë ndarje të tekstit poeti ndjek përkthimin islandez, që është me 10 krerë, ndërsa varianti origjinal i Holbergut nuk e ka një ndarje të tillë.
Për të pasur një ide mbi përkthimin islandisht, nga varianti që e kemi dhënë në fotokopje, po japim të përkthyer anglisht një pjesë nga kreu i parë (në dorëshkrim faqet 29-32, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Islandës me nr. Lbs. 1305 8vo).
Jeta e Princit Skënderbe
Kreu 1
Disa vjet përpara se turqit të pushtonin Konstantinopolin, një mbret me emrin Gjon Kastrioti mbretëronte në Epir. Ai kishte 5 djem, më të voglin e quanin Gjergj, por para lindjes së tij kishin ndodhur disa dukuri të çuditshme dhe mrekulli të mëdha, paralajmëruese për emrin e madh që ai do të fitonte më vonë me bëmat e tij heroike. Rrëfehet se ai lindi me një shenjë në krah, që i ngjante një shpate. Kur sulltani Osman Murati pushtoi pjesën më të madhe të qyteteve dhe mbretërinë e Greqisë, edhe Gjon Kastrioti u detyrua t’i paguante haraç dhe dërgoi djalin e vogël, Gjergjin, si peng bashkë me tre vëllezërit. Siç ishte zakoni i osmanëve, sulltan Murati i bëri të gjithë synet dhe i dha Gjergjit një emër të ri, pra Skënderbe, që do të thotë Aleksandri i Madh, duke shprehur kështu mendimin e vet për këtë trim të ri. Dhe i ra në shenjë, sepse që në fëmijëri Gjergji kishte mësuar me shpejtësi të habitshme artet dhe gjuhët e ndryshme, si turqishten, arabishten, greqishten, italishten, frëngjishten dhe ilirishten. Dhe kur u rrit, ai nuk mëngonte për të mësuar gjithë shkathtësitë, të përleshjes e të luftës, kështu që u bë aq i nderuar, sa Murati e caktoi sanxhakbej. Kur ai u bë 19 vjeç, mori pjesë në një luftë në Azi dhe shumë shpejt më pas u ngarkua në krye të një ushtrie të madhe me urdhrin e Muratit e bëri të tilla vepra, sa emri i tij u bë shumë i njohur. Kur pas shumë fitoresh Skënderbeu u kthye në Adrianopojë, që atëherë ishte selia e sulltanëve osmanë, erdhi një bajloz i tmerrshëm nga Skitia, i cili për të treguar trimërinë e vet, u hodhi çik për dyluftim gjithë heronjve të ushtrisë osmane, të cilët do të kishin guximin të ndesheshin me të, por askush nuk guxoi të dilte në dyluftim me këtë kundërshtar, ndonëse Murati ofroi shumë çmime të mëdha. Atëherë vetëm Skënderbeu doli të ndeshej me bajlozin dhe pas disa sulmeve të forta e mbrojtjes së rreptë, e vrau atë në dyluftim, pa marrë asnjë plagë për vete. Pak kohë më pas ai bëri një dyluftim tjetër me dy bajlozë, të cilët e mbanin veten të pathyeshëm dhe i vrau që të dy me dorën e vet, ndërsa Murati dhe ushtria u rrinin qark. Kjo e ngriti aq shumë nderimin e Muratit për Skënderbeun, saqë ai e dërgoi me gjithë ushtrinë e vet në Hungari kundër të krishterëve. Në këtë luftë ai veproi në atë mënyrë, që të mos i dëmtonte të krishterët, me të cilët ishte mik në zemër, dhe me sa mundi u përpoq që turqve të mos u ngjallej asnjë dyshim. Po në këtë kohë i ati, Gjon Kastrioti, vdiq dhe Murati e shfrytëzoi rastin për të pushtuar gjithë vendin e tij bashkë me Krujën, kryeqytetin, ku vendosi një garnizon të fortë.
Sulltani mendonte, dhe kishte arsye për këtë, se të bijtë e mbretit të vdekur nuk do ta pranonin me bindje dhe pa keqardhje grabitjen e shtetit, i cili u takonte si trashëgim, dhe prandaj sulltani i vrau egërsisht të tre vëllezërit e Skënderbeut, por u përpoq ta merrte me të mirë Skënderbeun, sepse nuk donte t’i humbiste shërbimet e tij. Për t’ia prishur mendjen, i premtoi një shtet në Azi edhe më të madh sesa Epiri. Për të mos pësuar të njëjtin fat si të vëllezërit, Skënderbeu pranoi, ndërkaq dyshimet e sulltanit për të jo vetëm nuk u zhdukën, por po shtoheshin përditë, prandaj po mendonte se si ta hiqte qafe. Fitoret e tij të mëdha dhe respekti që kishte fituar ndërmjet ushtarëve e përmbanin Muratin, që të mos guxonte ta ndëshkonte botërisht, prandaj e dërgoi në fushatat ushtarake më të rrezikshme kundër të krishterëve, duke shpresuar se me trimërinë e krisur shumë shpejt do të gjente vdekjen. Së pari e dërgoi me një ushtri kundër Gjergjit, sundimtarit të Serbisë. Skënderbeu gjatë luftimit gjeti një rast të volitshëm për të fituar lirinë dhe shtetin që i takonte si trashëgim. Ia arriti kësaj shumë mirë me këtë mënyrë: mbreti Vladisllav i Hungarisë, bashkë me fisnikë të tjerë, i erdhi në ndihmë sundimtarit Gjergj, duke i dërguar komandantin Janosh Huniadi, i cili i shpartalloi dhe i mundi turqit. Thuhet se përpara fillimit të betejës Skënderbeu bëri një marrëveshje të fshehtë me Huniadin lidhur me këtë punë dhe ky mendim mbështetet nga çka ndodhi më pas. Skënderbeu, duke pasur frikë se do ta vrisnin turqit, gjeti çastin për ta vënë në jetë qëllimin e vet të fshehtë, që e bluante prej kohësh. Ai e detyroi qatipin e pashait turk, që në emër të sulltanit të bënte një ferman për komandantët turq në Epir, që ata t’ia dorëzonin Skënderbeut qytetin e Krujës. Dhe kështu ndodhi vërtet, ai shtiu në dorë një nga qytetet më mirë të fortifikuara të shtetit të Epirit. Por sapo e pushtoi qytetin, ai e dëboi gjithë garnizonin turk dhe kështu me një të goditur fitoi gjithë qytetet e vendit dhe sundimi osman u shporr tërësisht nga mbretëria e Epirit. Skënderbeu punoi për këtë qëllim me aq vullnet e zell, saqë asnjë natë nuk flinte më shumë se dy orë, derisa e fitoi gjithë vendin.”
Nga krahasimi i variantit islandisht me origjinalin danisht duket e qartë, se përkthyesi islandez e ndjek origjinalin shumë mirë dhe tekstet kanë gjatësi të ngjashme, kështu teksti danisht ka 813 fjalë dhe përkthimi ka 774 fjalë.
Është me interes të vëmë në dukje, se përkthyesi islandez e përkthen fjalën islandeze Kiæmpe (trim) me berserkur (bajloz) dhe Kamp (betejë) në variantin islandisht bëhet hólmganga (një lloj dyluftimi i lashtë, që bëhej në një kodër, në një mejdan).
Duke përdorur këto shprehje, përkthyesi ka qenë nën ndikimin e fortë të letërsisë së vjetër islandeze, ku ka shumë rrëfime për bajlozë e dyluftime.
Së fundi, po të krahasojmë Rimurin për Skënderbeun me rrëfimin në prozë islandisht për të, do të shohim se Rimuri është me vëllim shumë më të madh. Rima e parë, që i përgjigjet kreut 1 në variantin në prozë, ka 1147 fjalë, ose është 1/3 më e gjatë se pjesa përgjegjëse në prozë.
Arsyeja e kësaj është te natyra e ligjërimit poetik në poezinë e tipit të rimurit, që përdor shumë sinonime e perifrazime, të cilat e bëjnë tekstin shumë më të gjatë dhe njëkohësisht praktikisht të papërkthyeshëm në një gjuhë të huaj.
Scanderbeg in Icelandic Sources, në: “Studia Albanica”, nr. 1, 1985.