Albspirit

Media/News/Publishing

Sir William CRAIGIE: Poezia romantike e Islandës

(Marrë nga libri “Skënderbeu në vendet nordike” me autorë Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë 2018).

Që në zanafillë poetët e rimureve nuk e kanë krijuar subjektin e poezive të tyre. Ata thjesht shndërronin në vargje një tregim të mëparshëm në prozë, zakonisht romantik ose të trilluar dhe shumë rrallë tregimi trajtonte ngjarje ose personazhe historike. Ka pasur dy arsye për këtë. Së pari, baladat trajtonin kryesisht tema romantike, ndërsa baladat historike kanë qenë të pakta dhe jo të lashta. E dyta, në kohën kur nisi hartimi i rimureve, sagat romantike ose me subjekt të trilluar ishin tashmë të shumta dhe mjaft popullore. Larmia e madhe e njerëzve dhe e ngjarjeve që ato përfshinin, aventurat dhe skenat e jashtëzakonshme, takimet me qenie mbinatyrore, me kafshë të tmerrshme dhe me fantazma të fuqishme i jepnin një fushë shumë të gjerë poezisë, e cila ishte e destinuar thjesht për argëtim. Ky parapëlqim zanafillës për subjektet imagjinare vijoi paprerë të ishte mbizotërues edhe në historinë e mëvonshme  të rimureve, ndonëse gama e temave u bë më e gjerë dhe më e larme në shek. XVII e më pas. Po të përpiqemi t’u gjejmë një term të përgjithshëm, rimuret në mënyrë mjaft të përshtatshme mund të përkufizohen si poezi e romaneve.

Me përjashtim të një tipari të jashtëm që do të përmendet më poshtë, modeli mbi të cilin ndërtohej rimuri pësonte pak ndryshime gjatë gjithë rrugës së historisë së vet. Kur poeti zgjidhte një sagë ose një rrëfim tjetër, me të cilin ushtronte artin e tij, ai merrte pjesën e tij të fillimit dhe niste ta vinte në vargje, zakonisht me metrin e hershëm e të thjeshtë, që vinte nga baladat. Pasi mbërrinte në një pikë të përshtatshme në tregim, e çonte rimën e parë deri në fund. Pastaj ai merrte  një pjesë tjetër, e cila mund të trajtohej në mënyrë të përshtatshme në një qark të ngjashëm dhe vazhdonte me këtë, zakonisht duke pasur tjetër rimë. Meqë kishte shumë metra, nga të cilët mund të bëhej zgjedhja, ai kishte mundësinë të përdorte një metër të ri për çdo rimë pasuese, ndonëse ishte e zakonshme që metri i thjeshtë i së parës mund të përdorej përsëri në fund. Ndryshimi i metrit e tregonte fare qartë fillimin e një rime të re, megjithatë poeti zakonisht e përmendte se po mbaronte një rimë e po fillonte tjetrën. Numri i rimave në një cikël, që quhet islandisht flokkur, rrallë arrinte 10-12 në periudhën e hershme, ndërsa pas v. 1600 arrinte deri te 20, 30 ose 40, dhe në dy raste të jashtëzakonshme edhe 70 e 80. (Në të parin vetëm dy janë me të njëjtin metër). Edhe numri i vargjeve në një rimë ka shkuar duke u rritur dhe ka mbërritur deri mbi 100 e nganjëherë deri afër 200. Këto shifra shërbejnë për të treguar lehtësinë e madhe, me të cilën rimuri mund të hartohej nga shumica e poetëve.

Tipari që pësoi një zhvillim të ndjeshëm nuk ishte në vetë rimuret, por në radhët hyrëse ose në vargjet, me të cilat fillonte secili. Në rimuret e hershme këto zakonisht ishin të shkurtra, disa herë vetëm 1-2 radhë dhe rrallë i kalonin 5-6 vargje. Në to shpesh me terma të përgjithshëm kishte një drejtim për dëgjuesit, burra ose gra, ose dhe për të dy palët, por zakonisht ato i drejtohen ose i kushtohen një gruaje të re, të cilën poeti e adhuron për bukurinë e cilësitë e saj të mira, ose që kërkon t’i fitojë zemrën. Lidhur me këtë, këto vargje të para përgatitore u bënë të njohura me emrin mansöngur, një fjalë e vjetër që ka pasur kuptimin “këngë dashurie”. Poetët e hershëm gjithmonë e dinin kuptimin e plotë të kësaj dhe ose i përdornin këto vargje për qëllimet e veta, ose shpjegonin përse për arsye të ndryshme ata nuk kishin mundur ose nuk kishin dashur të hartonin një mansöngur të vërtetë, por kishin parapëlqyer të flisnin për subjekte të tjera, që lidheshin më shumë me ta, ose për të cilat ishin më të interesuar. Nga pjesa e fundit e shek. XVI, megjithatë, kuptimi fillestar i fjalës nuk ndihej më aq qartë dhe atëherë poetët nisën t’i përdornin këto vargje pa ndonjë kërkesë të falure dhe shprehnin idetë e veta për çfarëdo subjekt. Natyrisht, si rrjedhim i kësaj, mansöngur-i dhe rima me të cilën lidhej, u bënë pjesë të veçanta, që nuk kishin ndonjë marrëdhënie, me përjashtim të metrit të njëjtë. Krahas me këtë lindi një prirje për ta shtuar gjatësinë e mansöngur-it, aq sa ai arrin disa herë një numër vargjesh të njëjtë me rimuret e hershme. Në këtë mënyrë ai bëhet në fakt një poezi më vete, në vend të një prologu, siç ishte në fillim. Ndonëse shumica e mansöngur-eve kanë pak vlera poetike, mjaft prej tyre kanë lëndë me interes të madh dhe disa zënë një vend të lartë ndërmjet modeleve më të parapëlqyera të poezisë islandeze.

Për pesë shekuj rimuret ishin poezia popullore e Islandës jo vetëm në kuptimin, që tërhiqnin më shumë pjesën më të madhe të popullit, i cili i dëgjonte me interes e kënaqësi, i këndonte, i lexonte e i mësonte përmendsh, u bënte kopje të panumërta. Ajo ishte popullore edhe në kuptimin, që realisht ishte prodhuar nga populli, nga burra (nganjëherë edhe gra) të të gjitha shtresave, të larta e të ulëta, të shkolluara e të pashkolluara, fetare e laike, të moshuar e të rinj njësoj. Ndonëse disa fanatikë fetarë i shpërfillnin si poezi profane me temë nga jeta e zakonshme, ndërsa më vonë i shpallnin edhe si të padenja për t’u quajtur poezi, rimuret e mbajtën vendin e tyre në zemrat e popullit të Islandës në tërësi deri nga mesi i shek. XIX dhe në një shtrirje më të vogël, edhe më vonë.

Ndonëse gama e subjekteve zgjerohet, jo gjithmonë për të mirë, pas v. 1600 temat më të vjetra vazhdojnë të jenë popullore si më parë. Ndërmjet kësaj date dhe v. 1800 të paktën 50 nga sagat legjendare e të trilluara u rishprehën në rimure. Megjithatë, sagat e islandezëve të famshëm nuk u braktisën, rimuret e mbështetura në to janë rreth 20. Një numër më i vogël, ndoshta 10 gjithsej, lidhen me Norvegjinë, por janë kryesisht nga sagat ose tregimet e shkurtra, që kanë pak ose aspak mbështetje historike. Jashtë trevës skandinave të paktën 50 romane dhe rrëfime të vjetra kanë tërhequr poetët dhe u kanë dhënë lëndë të re për të punuar. Disa nga më të mirat prej këtyre i përkasin ciklit të Karlit të Madh e kalorësve të tij. Ndihmesën më të madhe e ka dhënë i famshmi Guðmundur Bergþorsson, i cili ishte i gjymtuar që në moshën katër vjeç, nuk ecte dot dhe përdorte vetëm dorën e majtë për të shkruar. Pasi kishte hartuar disa grupe rimuresh që në moshën 17 vjeç, vëmendjen e tij e tërhoqi përdorimi i lehtë, që i kishin bërë poetët e mëparshëm këtij korpusi interesant legjendash. Për ta ndrequr këtë, ai i theu të gjitha rekordet, duke ritreguar më 1680 gjithë romanin në formën e fundit Ogier le Danois [Ogiri danez], duke i dhënë emrin Olgeir danski, në 60 rimure, dhe u shtoi 6 për Otuelin, ndërsa më vonë (1701) u shtoi 24 të Fierabrasit.

Një burim tjetër i begatshëm për rimure të reja u gjet në shumë rrëfenja dhe vepra letrare, që qarkullonin në Europë prej disa shekujsh ose ishin me origjinë të re në disa nga letërsitë më të reja. Këto përbëjnë një grup të përzier, i cili u përket datave të ndryshme. Madje edhe legjendat klasike dhe historia e lashtë janë të përfaqësuara në disa raste të pakta dhe, nën ndikimin e peshkopit Guðbrandur Thorláksson, është bërë një përpjekje për t’iu kundërvënë popullaritetit të rimureve të zakonshme me rimure të marra nga librat e Biblës. Në librin fetar Vísnabók të vitit 1612 janë rimuret për Rutën, Juditën, Esterën dhe Tobitin, të gjitha në një gjuhë e metër shumë të thjeshtë, si dhe rimuri i Urtësisë së birit të Sirakut, që arrin rreth një mijë vargje. Në një kohë më të vonë ato u pasuan nga rreth 20 subjekte të tjera biblike.

Poetët e rimureve kështu vijuan t’i nxirrnin subjektet e tyre pothuaj vetëm nga kohët e shkuara, një praktikë kjo që kishte meritën, se mbante të gjallë, në një trajtë tërheqëse e të njohur për të gjithë, letërsinë e vjetër si të Islandës, ashtu edhe të vendeve të tjera. Vetëm në pak raste ata janë marrë me ngjarje të vona ose bashkëkohore dhe është një gjë e jashtëzakonshme të gjesh një klerik në veriperëndim të Islandës, në pjesën e parë të shek. XVII, që të paraqesë në 6 rimure  historinë e Përbetimit të Gourit.

Kur në shek. XVII e XVIII u bë shumë më e njohur letërsia e re e huaj, u përfshinë shumë romane dhe rrëfime të tjera krejt të zakonshme e pa vlera letrare. Ato u mirëpritën kryesisht sepse kishin lëndë dhe stil të ndryshëm nga gjithçka kishte qenë më parë. Meqë ato jepnin lëndë të re për rimuret, ishte e pashmangshme që disa prej tyre do të përdoreshin për këtë qëllim, qoftë dhe sepse plotësonin kërkesën e një tjetri, i cili ishte i interesuar. Numri i rimureve të kësaj natyre është mjaft i madh në shek. XVIII, por ato bëhen më tepër në shek. XIX dhe është për të shënuar, se mjaft prej tyre janë nga autorë që nuk njihen në ndonjë fushë tjetër, ose nuk ishin shquar si poetë. Vlera e tyre e vetme është se ato janë dëshmi që interesimi për rimuret është i vijueshëm dhe tregojnë aftësinë e kaq shumë poetëve amatorë për të hartuar në kaq shumë metra të ndryshëm dhe për të përdorur një fjalor të gjerë poetik. Megjithatë, ka edhe përjashtime të shquara nga ky mediokritet, kur këto burime janë përdorur nga poetë të vërtetë, ndër të cilët një shembull kurorëzues është Númarímur-i i Sigurður Breiðfjörð-it, i mbështetur në një përkthim danisht të romanit të Florionit Numa Pompilius, që janë pranuar përgjithësisht si rimuret më të mira, të cilat janë hartuar ndonjëherë. Kjo arritje është edhe më e shënueshme nga fakti se këto rimure u bënë gjatë 4 vjetëve, të cilat poeti i kaloi në Groenlandë, ku merrej me tregtinë e bakrit në shërbim të kurorës daneze. Disa prej mansöngur-eve dhe pjesë të ndryshme të rimurit janë po aq të njohura gjerësisht e të admiruara, sa edhe çdo gjë tjetër në poezinë e kohëve të reja të Irlandës.

Nuk duhet harruar se rimuri nuk shërbente vetëm thjesht për kënaqësi. Ashtu si thamë, shumë prej tyre mbështeteshin ose në sagat, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të letërsisë së vjetër të Islandës, ose në romanet mesjetare që përmendëm. Ata që i dëgjonin këto rimure dimër për dimër, vazhdimisht merrnin njohuri për historinë e legjendat, gjë që në vendet e tjera  ishte e kufizuar vetëm te ata, që i mësonin nga librat. Është krejt e natyrshme që nga rimuret, ashtu si edhe nga sagat, islandezët kanë njohur mirë emrat dhe bëmat e bashkatdhetarëve të tyre në kohët e shkuara dhe të mbretërve, kalorësve e njerëzve të tjerë të shquar të vendeve të Veriut. Por është edhe më e rëndësishme, që në këtë mënyrë ata gjithashtu kanë mësuar për Karlin e Madh e pasuesit e tij, për Rolandin dhe Oliverin, për Otuelin e Fierabrasin, për betejën e famshme të Ronsevosë dhe për legjendat e tjera të vjetra frënge, në një kohë kur këto pothuaj ishin harruar, madje edhe vetë në Francë, me përjashtim të njerëzve të ditur. Në njohjen e një pjese të madhe të letërsisë mesjetare asnjë popull pas vitit 1600 ose madje dhe më parë, nuk mund të krahasohet me islandezët dhe këto njohuri në pjesën më të mirë ata ua detyrojnë rimureve.

The Romantic Poetry of Iceland. Delivered in the University of Glasgow 1st November, 1949. Glasgow 1950. Published to the University.

Please follow and like us: