Yzedin Hima: Poeti përballë vetes
(Poezia “Mbarim vjeshte” e L. Poradecit dhe poezia “Poeti” e V. Buharasë)
Për të depërtuar në poezitë e Poradecit dhe Buharasë është e domosdoshme të njohim edhe kuptimin e fshehtë, i cili është çelësi i njohjes së jetës mistike. Nëse do të njohim kuptimin e fshehtë do të mundim të dallojmë semantikën e dashurisë njerëzore-hyjnore, e cila ka lidhje me vizionet mistike sufiste dhe vizionet mistike panteiste.
Panteizëm ( nga greqishtja pan-gjithë, mbarë, krejt dhe theos-Perëndi), fjalë për fjalë do të thotë “Perëndia është gjithçka” dhe “Gjithçka është Perëndia”. Panteizmi beson se nuk ka perëndi pa lëndën, fuqitë dhe ligjet e shfaqura në gjithësi. Panteizmi paraqitet në shkrimet hinduiste të Vedas. Në Mesjetë dhe Rilindje, tradita rrodhi më pas në neoplatonizëm, dhe në besimin judaiko të krishterë në misticizëm. Në qindvjeçarin e 17-të Spinoza formuloi sistemin më të përparuar panteistik, duke argumentuar se Perëndia dhe natyra janë dy emra pak a shumë për një realitet. Ndërsa Claude Huart thotë se sufizmi është një panteizëm oriental.
Para se të krahasojmë një poezi të Vexhi Buharasë me një poezi të Lasgush Poradecit, duhet të sjellim këtu edhe një përcaktim me interes të studjuesit Robert Elsie për poetin e shquar Lasgush Poradeci : “Lasgushi i solli letërsisë shqiptare një diçka të rrallë : një misticizëm panteist, i cili krijoi një urë midis gjendjes shpirtërore të ekzistencës tokësore dhe burimeve qiellore të energjisë krijuese.”
Pa shpallur ende dy poezitë që do të krahasohen vijmë në përfundimin se Lasgush Poradeci dhe Vexhi Buharaja kishin të përbashkët misticizmin panteist (sufist), siç thotë Claude Huart. Le të vijmë te dy poezitë, nga Buharaja kemi sjellë poezinë “Poeti” dhe nga Poradeci poezinë “Mbarim vjeshte”. Poezia e Lasgushit ndërtohet në formën e një piramide, siç vëren studjuesi Sabri Hamiti : nis me pjesën e poshtme horizontale, tregimtare, pastaj nis ngritja deri te një kulm dhe më vonë zbritja dhe pjesa horizontale e poezisë, pjesa tregimtare. Poezia e Lasgushit nis:
Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që –me-natë sipër malesh me dëborë…
Janë dy vargje emblematikë në poezinë shqipe, me një bukuri tronditëse. Poeti dhe studjuesi Gazmend Krasniqi thotë se këto dy vargje janë të destinuar të burgosen në gjuhën shqipe, sepse përkthimi i tyre është i pamundur. Për të ilustruar mendimin e tij po sjellim përkthimin në anglisht të dy vargjeve nga Robert Elsie:
The last stork flew off, majestic and forlorn,
Soaring over the snowy mountains at the break of day,
Siç shihet nuk ka mbetur asgjë nga mrekullia lasgushiane. Këto dy vargje në gjuhën angleze, me sa mund të kuptojmë, ngjajnë fare të zakonshëm.
Tani le të sjellim dy vargjet e parë të Buharasë nga poezia “Poeti”:
Një shkëlqim i perëndishëm që s’ka shembull e të ngjarë,
Të pushtoj ty, zog’ i dheut, që ke krah’ e tinguj qielli,
Nuk mbeten pas edhe dy vargjet e Buharasë për nga finesa dhe eleganca, krahasuar me dy vargjet e Lasgushit. Vargjet e të dy poetëve janë gjashtëmbëdhjetë rrokësh, varg i cili mban ngarkesën e fortë artistike në të dy rastet.
Shohim se te të dy poezitë kemi dy shpendë: shtergu madhështor me shpirt të gjorë te Lasgushi dhe Zog’i dheut me krah’ e tinguj qielli te Buharaja. Në fakt të dy janë një: poeti! Të dy zogjtë kanë tipare të përbashkëta. Shtërgu i Lasgushit është madhështor, me shpirt të gjorë, i përmallshëm, dhëndër me kurorë. Zog’ i dheut te Buharaja ka këto tipare: me shkëlqim të perëndishëm, me krahë e tiguj qielli, ndënë buz’ margaritarë, me dhëmbje shpirti, shkëlqen në mes të vuajtjes, si një shpresë në mes të lotit, duron çdo fshehtësirë si duron lopatat shpirt-i heshtur i liqerit.
Është e njëjta logjike e ndërtimit të figurës te të dy poetët. Njëkohësisht te të dy shihet një tendosje e ligjërimit poetik në ndijesi krejt të kundërta. Një përftim i tillë vjen nga përfytyrimi dhe filozofia e njëjtë që të dy poetët kanë për jetën, misticizmi panteist te Lasgushi dhe misticizmi sufist (panteizmi oriental) te Buharaja. Dhimbja, vuajtja, largimi, lëkundjet, shpirti i gjorë, lotët e të mjerit, vetsakrifikimi të çojnë te përjetësia e shpirtit. Në analizë të fundit panteizmi (sufizmi) lidhet me rrugët e realizimit shpirtëror, nga e veçanta te universalja.
Le të shohim rrugëtimin e vargjeve të poetëve për të realizuar piramidat e tyre artistike. Shtërgu i Poradecit lë një vazhdë malli dhe dhimbjeje në qiellin e vjeshtës, që bëhet edhe më trishtë nga dëbora e maleve. Nuk ka harruar t’i lërë dikujt edhe një mesazh me sqepin e tij të fortë:
Iku rënd’ e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…
Ikja lë pas një peizazh të trishtë : një folezë bosh, nëpërka pikalore ka vdekur, (…moj nepërka pika- pika, të vrava më vraftë pika…,- këndohet në Jug ), dherin e mardhur nga thëllimi, brymë e heshtje, Veri që fryn me zëmërim e fërtym. Një natyrë mort që befas zgjohet nga… një çoçërr. Natyra ka humbur dimesionet e mëdha: madhështor, me shpirt të gjorë, i përmallshëm sipër maleve me dëborë dhe ka mbërritur bota e vogël e ekzistencës: një çoçërr dinak dërdëllit mbi fërra e gardhe, për të ardhur te jeta e zakonshme, e gëzimeve meskine, e vogëlsirave të përditshme.
Te Buharaja lëvizja është pothuajse e njëjtë nga jeta e zakonshme drejt përjetësisë, por duke lënë pas botën e vogël: Zog’ i dheut që pushtohet nga një shkëlqim i perëndishëm, zog’ që thurr këng’me dhimbje shpirti, sypërlotur… zemërqeshur ngrihet nga fundi i vuajtjes dhe ngjitet sipër rrezesh të mëngjesit që fal shpresa. Pastaj vijmë te dy vargjet e ndërtuara me një antonimi të brendshme, që është tipike te Buharaja:
Ti shkëlqen në mes të vuajtjes si një shpres’ në mes të lotit;
Përmes dhëmbjeve të moçme ti buzëqesh si djal’ i ri,
Vargjet e Buharasë kanë të njëjtë sens e ndijesi në vizatimin e portretit të Poetit, sikurse dhe vargjet e Poradecit në vizatimin e Shtërgut: Ti shkëlqen në mes të vuajtjes si një shpres’ në mes të lotit (Buharaja) dhe Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë( Poradeci). Shkëlqen- madhështor, në mes të vuajtjes- me shpirt të gjorë janë të barasvlerëshme. Në fakt te të dy poetët këta dy distikë vlejnë veç e veç sa një poezi. Edhe te Poradeci edhe te Buharaja lëvizja është nga dheri- dheu drejt qiellit. Te Poradeci njoftohemi që në vargun e parë për këtë lëvizje, ndërsa te Buharaja pak më vonë:
Sypërlotur, … zemërqeshur …. që nga fund’ i vuajtjes tënde
Ty të pashë , o zog i këngës, duke hipur me ngadalë
Sipër rrezesh të mëngjesit që fal shpresa. Pastaj ende
Mbi gërmadhat që lë dhëmbje një liqer me mijëra fjalë:
Që shuan prush-e flakë zemrash që dremijn’ në fund të gjumit,
Që ka ngjyrat e agimit, qetësin’ e Shëndnaumit…
Nëse shtërgu fluturoi sipër malesh me dëborë ( Poradeci), (Zog’ i dheut) ngjitet që nga fundi i vuajtjes sipër rrezesh të mëngjesit, që fal shpresa (Buharaja).
Poezia e Buharasë, kushtuar Lasgush Poradecit, përfundon me lavdërime, si në tragjeditë antike greke, me një similtudë befasuese :
Lum kush shuan zjarr’ e zemrës për të ndezur yje shprese
Dhe nënqesh si rreze hëne përmes netëve të vrerit
Dhe duron çdo fshehtësirë që venit si pikë vese
Ashtu si duron lopatat shpirt- i heshtur i liqerit …
Poezia “Poeti” e Vexhi Buharasë i kushtohet Lasgush Poradecit, shënim që ndodhet poshtë titullit. Mendohet se Poradeci ka qënë një nga poetët më të dashur për Buharanë. Në vitet 30-40 fama e Lasgush Poradecit si poet kishte kapur qiejt. Robert Elsie shkruan se Lasgush Poradeci ishte një prodhim eklektik i kohës dhe një paradoks në letërsinë e Evropës Juglindore.
Buharaja, në vitet ’40, djalosh i ri, po shkruante poezitë e para dhe për mendimin tonë me një talent të rrallë, ndër poetët më të shquar të kohës. Ngjasimi i vargut, apo edhe i mjeteve të tjera për mendimin tonë nuk është një imitim i Lasgushit nga Buharaja, por takim te moderniteti i dy poetëve. Ndryshe, është njëlloj sikur të thuash se Lasgush Poradeci imiton Sharl Bodlerin, meqënëse kanë mjete të përafërta në ndërtimin e poezisë.
Ja një varg nga Bodler, nga poezia e tij e njohur: “Himn bukurisë” :
O bukuri! Monstër e frikshme, e paanë, e lindur e lirë!
Dhe një varg nga Poradeci, nga poezia “Dritë fshehtësie”:
Bukuri! Tmerrësisht e dashur, llaftari! Tmerrësisht e bukur!
Roland Barthes thotë se s’ka ligjërim të virgjër, ngase fjalët e kanë një kujtesë të dytë dhe në formë reminishente barten në tekste të caktuara letrare.
E përbashkëta midis Poradecit dhe Buharasë është se pas Luftës së Dytë Botërore e lanë krijimin dhe iu kushtuan përkthimit si “liman i sigurtë për heretikët letrarë”, siç thotë Robert Elsie.