Dorian Koçi: Misteri i kobures të Ali Pashë Tepelenës
Muzeologjia shqiptare është e varfër me sende personale të Ali pashë Tepelenës. Shumica e objekteve personale të tij gjenden jashtë Shqipërisë.
Ky numër i madh objektesh i shpërndarë në muzeume dhe dyqane antikuarësh tregon për rëndësinë që ka pasur figura e tij historike pavarësisht gjykimeve kontraverse rreth jetës, aktivitetit dhe rolit të tij në histori.
Një objekt origjinal i Ali pashë Tepelenës është një kobure brezi që gjendet në Turqi, në librarinë me antikuarë e harta të vjetra, Denizler Kitabevi, në rrugën Istiklal Caddesi, fare pranë sheshit Taksim.
Pistoleta është në gjendje shumë të mirë, e zbukuruar me argjend dhe me emrin e Ali Pashës të shkruar në osmanisht. Ky është objekti i dytë personal që njohim nga armët e zjarrit të Ali Pashë Tepelenës.
Njëra armë, një pushkë e llojit karajfile gjendet në Muzeun e Ali Pashë Tepelenës në ishullin e liqenit të Janinës, dhe ka të shkruar në greqisht: Ali Pasha 1804.
Në tetor 2015, Muzeu i Ali Pashës në ishullin e Janinës, u pasurua me një pushkë origjinale të Ali Pashë Tepelenës, e cila është e larë në ar.
Arma kishte qenë në zotërimin e një familje të vjetër fisnike nga Janina që në vitin 1930 ishte shpërngulur në Athinë.
Në fund të jetës, zotëria posedues që dëshiroi të mbetet anonim vendosi që t’ia dhuronte Muzeut të Ali Pashës, edhe pse për këtë objekt origjinal mund të kishte marrë oferta nga shumë muze të botës.
Arma e ekspozuar tashmë në muzeun e Ali Pashës në Janinë është e tipit karajfile. Ndërsa arma që gjendet në librarinë e antikuarëve Denizler Kitabevi është e llojit kobure brezi e punuar me filigran, por nuk kemi të dhëna sesi ka përfunduar në duart e koleksionistëve turq.
Në disa prej tablove ku pasqyrohet Ali Pasha Tepelena e shikojmë me armë brezi, çka ishte në fakt një pjesë e veshjes zyrtare të tij. Kështu p.sh e shikojmë nëtablonë e njohur nga Luis Dypre, “Ali Pasha në gjueti në liqen”, 1825, ku edhe pse është për gjueti në liqenin e Butrintit , ai mban në brez një kobure dhe një kamë, apo në litografinë e njohur sërish të vitit 1825 nga piktori francez i neoklasiçizmit, Jean Baptiste Mauzzaise. Përdorimi i osmanishtes në Pashallëkun e Janinës shtrihej kryesisht në administratë dhe në korrespodencën me Stambollin.
Një pjesë e madhe e dokumentacionit për Ali Pashë Tepelenën është në osmanisht dhe gjendet në Arkivin Qendror të Stambollit.
Gjuha e Aliut ishte shqipja dhe shumë dëshmitarë tregojnë se kur Aliu përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe që përdorte në alfabetin që njihte më mirë. (Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria: 2002, faqe 88-89).Mbishkrimi në kobure mund të jetë gdhendur nga mjeshtra esnafë shqiptarë të armëve të brezit pasi osmanishtja në disa qendra qytetare njihej dhe zotërohej mirë.
Ajo mësohej në mejtepet dhe medresetë që ishin hapur nga osmanët në qytetet shqiptare. Udhëtari osman Evlija Çelebi, në librin e vet “Udhëtimet” dëshmon për vitet 1660-1670 se në pothuajse çdo qytet të madh shqiptar ishin ngritur krahas institucioneve të kultit edhe biblioteka dhe medrese, në të cilat studionin gjuhën arabe , persishte dhe osmane si dhe mësim feje.
Koburja serme e Ali Pashë Tepelenës,përveçse rëndësisë së saj si objekt personal i Pashait Tepelenas,dëshmon edhe për zhvillimin e zejes së prodhimit të armëve në Shqipëri. Armët e brezit kanë qenë një traditë e konsoliduar në territoret shqiptare dhe ato bënin pjesë në armatimet personale të burrave shqiptarë.
Armatimi vetjak i luftëtarit shqiptar ishte: pushka e gjatë (karajfilja), koburja, jatagani, vezmet, palcorja, thupra (harbia) dhe silahu (brez lëkure që shërbente për të mbajtur armët dhe pajimet), por edhe i çdo personi të armatosur në shek. XVII-XIX.
Koburja e Ali Pashës që gjendet në dyqanin antikuar të Turqisë duket se është e llojit kobure serme si ato që mbanin dhe suliotët.
Mbishkrimi i saj në osmanisht “Ali Pasha Tepedenli”, por pa vit të përcaktuar, jo si në rastin e pushkës karajfile, e bën të vështirë identifikimin se ku mund të jetë prodhuar. Shqipëria në fakt ishte shumë e pasur me punishte të ndryshme armësh të shtrira në të gjitha qendrat zejtare të vendit si Shkodër, Prizren, Dibër, Berat, Elbasan dhe Janinë.
Në Elbasan janë prodhuar armë zjarri që prej vitit 1670. Udhëtari turk, Evlia Çelebi, në shënimet, që ka mbajtur gjatë udhëtimeve të tij, thotë se, armët punoheshin me mjeshtëri dhe elegancë. Njoftime më të sakta gjejmë në një kodik të esnafit të kondakçinjve, sipas të cilit në Elbasan ka pasur rreth 18-20 dyqane armëtarësh.
Pranë tyre qenë dyqanet e argjendarëve dhe të saraçëve. Armët e zbukuruara me argjend kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht nga shtresat e pasura.
Armët e brezit quheshin dhe kobure dhe emërtoheshin me emra të ndryshëm si calinë, kalemtushe, cubë, teke, egzalina etj.
Calina punohej në vend. Në Shqipërinë Veriore njihej me emrin calinë, celinë dhe gjarpënushe. Quhej gjarpënushe për arsye të kokës së gjarprit në fundin e dorezës. Në Shqipërinë e Mesme, në Elbasan quhej verdhë, ndërsa në Tiranë quhej latune vendi. Calinat kanë qenë shumë të përhapura, sepse shiteshin lirë.
Kalemtusha ishte kobure që prodhohej në vend. Quhej kalemtushe për arsye se ishte e zbukuruar hijshëm nga dora e argjendarit. Gjatësia e kobures ishte 27 cm.
Kokën e dorezës e kishte të rrumbullakët. Kalemtushet shiteshin shtrenjtë, prandaj mund të bliheshin vetëm nga shtresat e pasura.
Cubja ose dunga ka qenë një lloj kobureje, që parapëlqehej nga të rinjtë. Në Shkodër njihej me emrin cube, që do të thotë armë me tytë të shkurtër; ndërsa në Elbasan njihej me emrin dungë. Doreza e tyre ka qenë e rrumbullakët si kokërr qepe.
Karbëresha nuk ndryshonte shumë nga calina ose verdha. Ajo stolisej me shije nga argjendarët e Beratit. Dorezën dhe trupin e kishte më të gjatë se calina, kalemtusha dhe cubja. Punime të bukura të kësaj lloj arme janë bërë edhe nga argjendarët e Lezhës.
Koburet e stolisura prej tyre quheshin lezhiane. Lezhianet dalloheshin nga qafa e dorezës, e cila vinte më e shtrirë dhe kishte dy koka – njërën si kokë gjarpri dhe tjetrën, si kokërr arre.
Koburet serme punoheshin nga armëtarët dhe argjendarët shkodranë. Dorezën e kishin si kokë gjarpri, të veshur me pafta argjendi. Ato qenë skalitur me motive bimore të stilizuara, në reliev. Tyta dhe çarku bëheshin prej hekuri.
Gjatësia e tyre arrinte rreth 59 cm, ndërsa kalibri 20 mm. Koburet serme qenë prodhim i viteve 1780-1800. Ato janë përdorur si armë brezi nga suljotët. Teket punoheshin nga armëtarët e Tiranës. Ato hapeshin duke shtypur urëzën.
Ngrihej pjesa e prapme lart, ndërsa tyta ulej pak poshtë. Ato mbusheshin me një fishek. Në pjesën e sipërme të tytës kishin thepin dhe shtjekëzën me prerje. Dorezën e kishin prej druri dhe trupin me vija të thelluara. Gjatësia e tyre ishte 22 cm dhe kalibri 12 mm. Teket nuk qenë të zbukuruara.
Në rritjen e interesit për trashëgimi kulturore të Ali Pashë Tepelenës gjurmimi dhe vlerësimi i kësaj trashëgimie si asaj që ndodhet brenda Shqipërisë por edhe asaj jashtë saj, krijon mundësitë për ta rivlerësuar jo vetëm periudhën historike por edhe traditën e pasur të artizanatit shqiptar.
Kjo traditë mund të rigjallërohet për tu shndërruar në një industri fitimprurëse për qendrat e mëdha qytetare si Shkodra, Elbasani, Berati, Vlora e Gjirokastra por edhe për Delvinën, Libohovën dhe Tepelenën që ruajnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në monumente të epokës së Ali pashë Tepelenës.