Nëpër poezitë e Ismail Kadaresë
Isamil Kadare është një nga autorët më të dashur dhe të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe. Veprat e tij janë të vecanta dhe mënyra e të shkruarit, shpirti artistik dhe gjetjet letrare janë të pakrahasueshme me autorët e tjerë të brezit të tij.
Poezitë e Kadaresë janë krijimet e tij magjike, të cilat prekin trupin, mendjen dhe shpirtin. Ai shkruan për njeriun e shekullit të ri, i cili përballet me problemet e gjetjes së vetvetes, e konfuzionit politik (kjo në mënyrë të tërthortë), konceptin e lirisë përballë oligarkisë, ndrydhjes njerëzore dhe gjithfarë teme universale, që prek secilin prej nesh.
Megjithatë, mbase poezitë më të goditura të tij, janë poezitë mbi temën e dashurisë. Kadareja shfaq emocion nëpërmjet figuracionit të pasur, figurave stilistike të larmishme dhe formës së pazakontë, që marrin poezitë e tij. Ai është i dyti pas Migjenit, i cili përdor gjerësisht në poezitë e tij vargun e lirë, pa kurrëfarë rregulli e norme letrare.
Kadareja e përfshin gjithmonë natyrën ndërkohë që flet për dashurinë. Stinët e vitit janë si stinët e shpirtit për të; temperaturat e luhatshme i krahason me gjendjen e tij emocionale; gjithashtu përfshin fluturat, aromat dhe hapësirën qiellore. Kadareja po aq sa e tregon dashurinë në formë hyjnore, aq edhe e bën atë të prekshme, të gabueshme, të thjeshtë dhe të koklavitur.
Kryesisht në poezitë e tij, Kadareja lë një hapësirë meditimi. Pasi lexon krijimet e tij, kupton se çdo fjalë mbart një nëntekst të fshehur, i cili mbase do kohë e analiza të thella për t’u zbuluar. Kadareja shkruan poezi, të cilat të bëjnë të meditosh pareshtur.
Ndër poezitë më të bukura në këtë përmbledhje poetike mund të përmendim ‘’Mall’’, e cila flet pikërisht për një hendek mes dy të dashuruarish, të cilët fizikisht ishin fare pranë, por shpirtërisht tepër larg, edhe pse stinët kishin ndërruar. Kadareja shpesh e tregon melankolinë me element si shiu, vjeshta, shtegëtimi i lejlekëve, etj.
Në poezitë si ‘’Të huaj jemi’’ dhe ‘’Kristal’’ ai shfaq përsëri ndjenjat melankolike, përshkruan ndarjen e mungesën.
Në poezinë ‘’Lora’’, Kadareja prek një realitet të njohur për popullin tonë. Ai studioi në Bashkimin Sovjetik dhe brezi i tij pati fatin e keq të kthehej ende pa përfunduar studimet për arsye të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në Bashkimin Sovjetik, Kadareja, por dhe shumë studente të tjerë shqiptare u detyruan të ndaheshin me mikeshat e zemrës. Kjo poezi flet pikërisht për miken e tij ruse, rrethanat me të cilën e larguan prej dashurisë së tyre.
Kadareja është tepër i njohur për faktin se ka pasuruar fjalorin e gjuhës shqipe me fjalë të reja. Neologjizma si ‘’morg-kristal’’, gjen në çdo vepër të tij.
Këtë javë nuk mund t’ju lë pa një poezi prej tij, me shpresën që pasi ta lexoni ju do vraponi për t’u zhytur mes poezive të tjera.
Të huaj jemi
Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.
Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.
E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë./revista class/