Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Leskaj: Poetët-dëshmorë në altarin e kombit

 

 

17 korriku është një ditë përkujtimore, një ditë sa tragjike aq edhe heroike. Një ditë që meriton të kujtohet nga të gjithë. Një demokraci pa kujtesë e sheh veten në vuajtje. Nuk duhet të harrojmë, me qëllimin fisnik të mos përsëritjes të së shkuarës. Kujtesa nuk është gjithnjë marrëdhënie vetëm me të kaluarën,  për të sotmen për të balancuar ekuilibrat socialë, politikë dhe kulturorë. Jo! Ajo është edhe vizion për të ardhmen, rojtare e patjetërsueshme e vlerave që duhet t’u përcjellë breznive; ajo është edhe barrierë për negativitetet tragjike që mund t’i qasen të përditshmes sonë. Kujtesa nuk është dhe nuk duhet të jetë revansh, se dufi i revanshit është i pandarë nga prodhimi i urrejtjes.

17 korrik 2008, jemi plot 31 vjet më vonë nga pushkatimi terrorist i shtetit të diktaturës i poetëve të Librazhdit, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ne jemi në përvjetorin e 31-të të dy poetëve që jetuan dhe i vranë bashkë, dy shpirtra binjakë në poezinë shqipe që emrin e tyre e lanë të shkruar jo vetëm në antologjinë shqipe, por edhe në mendjet dhe zemrat e një kombi të tërë në këtë rilindje post-diktature. Shteti totalitar i trembej fjalës së lirë dhe poseduesve të saj. Në aspiratën për të shkuar në botën demokratike ne, përpos dëshmive të rënda dhe përpjekjeve të thella, duhet të tregojmë letrat e fisnikërisë dhe, së pari, ato të disidencës antikomuniste, të prodhuar, në atë kohë nga heronjtë dhe poetët e kohës. Ne sot, të vetëdijshëm për atë guxim të munguar dje, më së pari, duhet të nderojmë ata që i shkaktuan frikë diktaturës me punën, jetën dhe veprën e tyre.

Zhvillimet historike na mësojnë se shetet totalitare bien, por poetët mbesin; jeta dhe vargu i tyre janë monumenti më i përkryer i thelbit të njeriut, janë dëshmitari i përjetshëm i triumfit të lirisë mbi tiraninë. Shteti komunist shqiptar i zgjodhi dhe i qëmtoi dy poetët Blloshmi e Leka, jo vetëm si pinjollë të klasave të përmbysura politikisht dhe që përfaqësonin dinjitetin e familjeve tradicionale shqiptare, por edhe për faktin e madh se ata ishin të kulturuar, lexonin dhe përkthenin libra, duke krijuar një mikroklimë europianiste për veten dhe miqtë e tyre në qëndresën dhe përballjen me shkretëtirën “Sahara” socialiste. E pikërisht këto vlera të prodhuara në kohën e diktaturës dhe të kuptuara gjithnjë e më shumë sot i bëjnë poetët martirë dëshmorë për të gjithë shqiptarët që ishin në kërkim të ndërgjegjes së humbur dhe të ruajtjes së karakterit kombëtar.

Për këtë ata e kanë vendin në altarin e kombit. Altari i kombit nuk është vetëm retorikë për disa dhe prodhim politikash për të tjerë. Altari është apo, më saktë, duhet të jetë u prekshëm, i vizitueshëm, i përfaqësuar nga të gjithë dëshmorët e kombit. Ky altar, pra Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, kanë vite e vite që presin dëshmorët e rinj të atdheut që të rreshtohen krahas atyre të mëparshëm, të vlerësuar nga të gjithë. Dhe poetët e Librazhdit kanë tash 30 e ca vjet që e dhanë jetën e tyre për Shqipërinë dhe ka vetëm 16 vjet që u dihet varri.

Prandaj unë i propozoj Qeverisë Shqiptare që dëshmorët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka të prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, atje ku e kanë vendin.

Poetët kanë dy jetë: një fizike dhe një të përjetshme. Është kjo e dyta që sfidon vdekjen dhe e pastron atdheun nga skoriet. Po kështu, edhe dëshmorët e çdo kohe, e pra, poetët-dëshmorë apo dëshmorët-poetë janë të pakrahasueshëm e të pavlerësushëm për të ardhmen e atdheut dhe të vetë kulturës kombëtare. Rishkrimi i domosdoshëm i historisë, veçanërisht asaj të këtij 70-vjeçari, larg çdo pasioni politik, larg çdo demagogjie, duhet të bëhet me akte konkrete dhe pikërisht ky do të jetë një akt nderimi moralo-politik për ata që dhanë jetën për liri, duke kundërshtuar diktaturën më të egër të Europës, ashtu si qindra djem dhe vajza idealist që ranë kundër fashizmit gjatë Luftës II Botërore e të nderuar nga të gjithë ne sot. Këta dëshmorë poetë ishin disidentë në një kohë frike e terrori dhe treguan me çmimin e jetës së tyre, kur ne të tjerët, më e pakta, ishim kokëulur a indiferentë ndaj saj.

Të njëjtën gjë për atdheun kanë bërë edhe Trifon Xhagjika, Havzi Nela dhe shumë të tjerë, që do të dokumentohen nga historia, morali dhe politika, më mirë se kurrë, përmes punës së Institutit të Kujtesës Historike, që ne dueht dhe do ta ngremë, si detyrim moral, ligjor dhe politik për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, larg çdo fryme revanshi. Kjo kërkesë tashmë është e bashkuar edhe me detyrimet për integrimin europian që ne aspirojmë, të shprehur përmes deklaratës së janarit 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nëpërmjet rezolutës 1481.

Duke i varrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në altarin kombëtar, poetët-dëshmorë, ne dëshmojmë se drejtësia dhe sensi i nderimit janë rikthyer mes nesh të vetëdijshëm; se diktatura totalitare dje, por edhe periudha e turbullt dhe shpeshherë e pasqaruar e post-komunizmit, ca nga amullia dhe ca nga mungesa e vullnetit politik, e kanë ngadalësuar piedestalin e këtyre martirëve të vërtetë të shpirtit tonë demokratik, piedestal i cili për fatin e tyre tragjik dhe heroik njëherësh, kaloi nëpërmjet një krenarie dhe formimi kombëtar democrat, të ngritur, përveç të tjerave, edhe nga plumbi e litari që diktatura u rezervoi për ta.

Ne do të ndërtojmë (jemi të gjithë të vetëdijshëm për këtë dhe s’ka nevojë asnjë të marrë flamurin) Shqipërinë europiane, të adhmen dhe demokracinë në Shqipëri dhe do të forcojmë identitetin tonë kombëtar mbi themele të pastra, themele të historisë dhe luftës antifashiste dhe antikomuniste.

 

Diskutim jashtë rendit të ditës, në mbledhjen e Qeverisë, Tiranë 17.07.2008.

 

Gazeta 55, 17. 07. 2008.

 

 

Please follow and like us: