Albspirit

Media/News/Publishing

Kotzias: Me Shqipërinë s’kemi diskutuar fare çështjen çame, opozitat të mos bëhen histerike

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias konfirmoi në një intervistë për sajtin e njohur “euroactiv.com” se marrëveshja Shqipëri-Greqi është drejt përmbylljes.

Kryediplomati grek thotë hapur se çështja çame as që ka qenë në tryezën e bisedimeve mes tij dhe ministrit Bushati.

Pjesë nga intervista

A jeni pranë një zgjidhjeje me Shqipërinë në lidhje me Zonën Ekonomike Ekskluzive (ZEE)?

Shikoni, sa i takon Shqipërisë, gjeta probleme të vjetra 100-vjeçare. Për shembull, ne kemi ende ne fuqi ligjin e luftës. Jemi të dy anëtarë të NATO-s, kemi nënshkruar një pakt të miqësisë, por kemi një ligj lufte. I kemi vendosur të gjitha këto probleme në një paketë. Tanimë kemi zgjidhur disa çështje të vogla, veçanërisht ato që lehtësojnë punëtorët ose emigrantët nga Shqipëria.

Tani kemi çështjet e mëdha. Në Athinë, komiteti i përbashkët i ekspertëve dhe teknokratëve për EEZ u takua dhe hodhëm një hap të madh.

Unë mendoj se do të zgjidhim çështjet e prapambetura, me kusht që partitë e opozitës në të dy shtetet të mos fillojnë të reagojnë në mënyrë histerike. Jam shumë i trishtuar me atë që thotë opozita greke. Ata thonë se po flasim për “Çamërinë”. Ne nuk po e diskutojmë fare këtë. Në këtë debat nuk ka pasur kurrë një çështje te tille.

Më lejoni t’u them gjithashtu, dhe këtë gjë po e rrëfej për të parën herë, një qeveri tjetër, në fillim të viteve 1990 debatonte mbi Çamërinë. Unë gjithashtu kam dëshmitarë që ishin të pranishëm në ato diskutime. Dhe, në përgjithësi, partitë e opozitës tentojnë të krijojnë përmbushjen e paragjykimeve kur ata janë në pushtet dhe pastaj na fajësojnë. Ata gjithashtu thonë se po braktisim Epirin e Veriut. Nëse ata nuk e kanë kuptuar ende, me traktatet ndërkombëtare dhe Aktin Final të Helsinkit, Epiri i Veriut është pjesë e Shqipërisë dhe nuk kemi ndërmend të ndryshojmë kufijtë. Këto janë psikoza që dëmtojnë vendin dhe nuk kanë të bëjnë fare me politikën evropiane të dialogut dhe kompromisit.

Ballkani, së bashku me Greqinë, që ka më shumë përvojë, duhet të ecin së bashku në një të ardhme të përbashkët evropiane. Për shkak se asnjë vend në rajon nuk do të llogarisë shumë në Bashkimin e ardhshëm të 40-45 shteteve anëtare.

Mali i Zi me 600-800,000 popullsi ose Maqedonia e Veriut me 1.6 milion dhe Shqipëria me 2.5 milion në një BE prej 600 milione nuk do të ketë ndonjë rol. As Greqia me 11 milionë. Sidoqoftë, do të kemi një rol në qoftë se ne përmbahemi me një plan për rajonin tonë, duke krijuar rrjete zhvillimi, partneritete sociale.

Cilat vende deri më tani kanë kundërshtuar negociatat për Shqipërinë?

Në fillim, ishte Danimarka, Belgjika, Holanda dhe Franca. Kishte edhe disa kontradikta në politikën gjermane. Në Gjermani ekziston një konflikt brenda koalicionit qeverisës dhe kjo e bën Angela Merkel mjaft të kujdesshme në lidhje me masat që do të integrojnë palët e treta ose se si do të trajtohet çështja e migracionit. Dhe unë këtë e kuptoj.

Francezët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po shkon debati për të ardhmen e Evropës. Dhe holandezët kanë shprehur mosmarrëveshje, por mendoj se do të jetë më e lehtë për t’i kapërcyer ato.

A do mund të ndikojë një fuqizimi i Erdoganit pas zgjedhjeve në përshkallëzimin e situatës me Greqinë?

Më kanë pyetur para zgjedhjeve dhe u përgjigja se në Greqi, për fat të keq nuk do të kemi as shpresën më të vogël, se nëse në Turqi do të fitojë opozita (Qemalistët), diçka do të ndryshojë. Nëse Erdogani fiton në mënyrë të qartë zgjedhjet, atëherë ai duhet të tregojë fleksibilitet dhe gatishmëri më të madhe për të zgjidhur problemet. Shpresoj që pas fitores në zgjedhje të jetë më pak nervoz.

Please follow and like us: