Pranvera Dusha: Me ty e kam, shqiptar…
Ese
Me ty e kam!
Pushtues i paskrupullt i çdo hapësire jete. Harbut i rritur pa liri që dhunon lirinë e gjithëkujt, krijesë primitive që kujton se të bërtasësh dmth se ke të drejtë, mbetje atavike sistemesh të kalbur ku njëshi shuan çdo frymë tjetër…
Druvar që pret pemën ku ka vënë këmbët… Ti je i verbër!
Me çfarë blihet ajri që ti ndot, mjedisi që ti shkatërron, siguria që ti mbyt me thonjtë e injorancës?
Me ty e kam! Bjerrakohës dembel, dështak historik, viktimë e vetposhterimit..
Ti kurrë nuk ke pas këllqe të matesh me asnjë të vërtetë rreth teje…
Fitimtar i çdo humbjeje, pronar i të pavlerës, uzurpator i hiçit që ke prodhuar me ngulm… Hapi sytë!
Kur është hera e fundit që ke gjykuar veten? Kur është hera e fundit që e ke pasur ti fajin? Kur është hera e fundit që ke menduar se tjetri – i njohur a jo- është i barabartë me ty? Kur?
Me ty e kam – krijesë e pagdhendur që të mjafton rrethi i një sistemi rregullash të huaja për të veshur fytyrën e të nënshtruarit, lëkurën e deles, ti ujk i padhëmbë… sapo del prej tij – je në shtëpinë tënde, ai i përjetshmi: kaosi natyror, mendjemadhi kokëbosh, inatçor e i pashpirt… egoist!
O shqiptar! Ndale vrapin dhe mos jeto i dehur. Merr frymë me butësi, e jo për hir të egos. Beso tek parimet që shet sa herë vjen rasti, në kuvende online e në salla mbledhjesh…
Askush nuk ta ka fajin veç ashti yt prej balte që nuk të mban dot drejt as hijen, jo më shtatin…
Dil nga kjo kënetë që ke krijuar vetë. O shqiptar!
Jeto e lër të jetojnë! Beso e lër të besojnë. Shpreso e lër njerëzit të shpresojnë se një ditë nuk do kenë më punë me ty dhe atavizmin tënd primitiv! O shqiptar!
Ulja tytën pushkës sate të djegur nga ajri i nxehtë i harbutërise dhe dyshimit.
Bëhu njeri… i drejtë! Respekto e dëgjo, mëso vlerën e fjalëve dhe rritu t’i kuptosh… Fol me rend e bëj vend për zemrat e sinqerta që kanë respekt për veten – ndaj të rrinë përballë…
Me ty e kam o shqiptar!
Tokën ta dhanë por nuk është e jotja. Fuqinë që ke sot – nesër do ta humbësh. Gropën që hap sot për tjetrin do ta provosh vetë i pari. Fëmija yt do të të ngjajë dhe shpejt do të të përbuzë. Hapi sytë o shqiptar!
Nëse do dinjitet, mësohu ta njohësh! Nëse do drejtësi – mësohu ta japësh. Askush nuk jeton veç për një çap bukë. Askush nuk ka lindur për të qarë!
Mjaft e vodhe të ardhmen… o shqiptar!!!