Emër për emër, 65 artistë kërkojnë Teatër të ri Kombëtar
Komuniteti i artistëve kërkon në bllok ndërtimin e një godine të re moderne të Teatrit Kombëtar. 65 emrat më në zë të aktrimit, regjisurës e fushave të tjera të artit, duke nisur nga regjisori i madh Pirro Mani, e mandej aktorët Viktor Zhusti, Luftar Paja, Gëzim Kame, Pëllumb Kulla, Eva Alikaj, Spiro Duni, Armando Bora etj, kanë nënshkruar një letër të hapur dërguar krerëve më të lartë shtetërorë, Presidentit të Republikës, Ilir Meta, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministrit, Edi Rama, kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, me anë të cilës shprehim dakordësinë dhe nevojën urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar.
Ata shprehin vullnetin dhe njëkohësisht edhe kërkesën, në funksion edhe të transparencës që i shërben forcimit të besimit në këtë proces, për përfshirjen e tyre në mënyrë të domosdoshme në komisionin e negocimit që do të ngrihet për zhvillimin e projektit të ri, ndërsa parashtrojnë se prona që zotëron Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet ekskluzivisht për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos e cënuar dhe duke mos lejuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone.
Gjithashtu ata vlerësojnë se koha e diskutimeve ka mbaruar dhe se tashmë duhet një vendimarrje sa më e shpejtë, në mënyrë që teatri i ri të ndërtohet sa më parë. “Prej momentit kur mendimi i ekspertizës institucionale që ka lidhje me arkitekturën, inxhinierinë e ndërtimit, zjarrfikësit etj, është shprehur në formë të qartë në lidhje me këtë çështje, çdo ditë që kalon është thjesht humbje kohë me debate të cilat mund t’i shërbejnë kujtdo, por jo interesave të publikut dhe Teatrit Kombëtar”, thuhet në letrën e hapur të artistëve. Ata gjithashtu, i bëjnë thirrje të gjithë faktorit politik që të mos e përdorë çështjen e ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar për qëllime meskine të politikës së ditës.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe artistëve u arrit marrëveshja për ndërtimin e godinës së re të Teatrit të ri Kombëtar, e cila në thelb i jep zgjidhje të gjitha kërkesave që artistët nënshkrues të kësaj letre paraqesin. Kështu, marrëveshja e arritur sot garanton ndërtimin e një teatri të ri në pronën e Teatrit Kombëtar, pa kulla sipër, mostjetërsim të pronës së tij dhe përfshirjen e dy përfaqësuesve të artistëve në grupin që do merret me zhvillimin e projektit.
Më poshtë letra e plotë e 65 artistëve:
Ne artistët nënshkrues të kësaj deklarate, të vëmendshëm dhe të ndjeshëm ndaj debatit aktual rreth vendimmarrjes për godinën e Teatrit Kombëtar, gjithashtu të vetëdijshëm se kjo vendimmarrje do të ketë ndikim shumë të rëndësishëm në jetën kulturore dhe shpirtërore të publikut, dëshirojmë t’i bëjmë me dije të gjithë opinionit publik se:
Shprehim dakordësinë tonë dhe nevojën urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar, një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit.
Ne artistët e skenës, shprehim vullnetin dhe njëkohësisht edhe kërkesën, në funksion edhe të transparencës që i shërben forcimit të besimit në këtë proces, për përfshirjen tonë në mënyrë të domosdoshme në komisionin e negocimit që do të ngrihet për zhvillimin e projektit të ri, me qëllim për të qënë pjesë e vendimmarrjes që ka të bëjë me ngritjen e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Po kështu, shprehim mendimin tonë paraprak, para nisjes së negociatave, se prona që zotëron Teatri Kombëtar, duhet të shfrytëzohet ekskluzivisht për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos e cënuar dhe duke mos lejuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone, apo vendosjen e saj në favor të partnerit privat për zhvillimin e pjesës tjetër të projektit.
Teatri është një institucion kombëtar, dhe për këtë arsye ne kërkojmë një proces transparent, që qartëson jo vetëm grupin e artistëve, por edhe të gjithë publikun, në lidhje me procesin e nisjes së ndërtimit, afatin konkret të përfundimit të kësaj godine dhe vënien e saj në funksion të publikut.
I bëjmë thirrje të gjithë faktorit politik që të mos e përdorë çështjen e ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar për qëllime meskine të politikës së ditës. Kjo vendimmarrje ka rëndësi historike dhe kombëtare; impakti i saj shkon përtej palëve dhe aktualitetit politik.
Kërkojmë dhe inkurajojmë të gjitha institucionet vendimmarrëse ekzekutive dhe legjislative t’i japin rëndësinë e duhur me përgjegjësi jo vetëm ligjore, por edhe qytetare kësaj çështjeje. Koha për vendimmarrje në lidhje me këtë çështje tashmë ka ardhur.
Prej momentit kur mendimi i ekspertizës institucionale që ka lidhje me arkitekturën, inxhinierinë e ndërtimit, zjarrfikësit etj., është shprehur në formë të qartë në lidhje me këtë çështje, çdo ditë që kalon është thjesht humbje kohë me debate të cilat mund t’i shërbejnë kujtdo, por jo interesave të publikut dhe Teatrit Kombëtar.
I gjithë ky proces, kërkon një bashkërendim dhe mbi të gjitha besim midis palëve, për të ngritur më në fund një godinë bashkëkohore dhe moderne të Teatrit Kombëtar, në shërbim të artistëve dhe publikut tonë artdashës.
- Pirro Mani
- Fatos Haxhiraj
- Drita Haxhiraj
- Artan Imami
- Gezim Kame
- Viktor Zhusti
- Pellumb Kulla
- Bashkim Hoxha
- Luftar Paja
- Haxhi Rama
- Eva Alikaj
- Josif Papagjoni
- Berina Kokona
- Spiro Duni
- Laert Vasili
- Zamira Kita
- Sotiraq Bratko
- Guri Koҫo
- Hervin Ҫuli
- Indrit Ҫobani
- Genc Shkodrani
- Lulzim Zeqja
- Armando Bora
- Gazmend Paja
- Genti Deҫka
- Andia Xhunga
- Adelina Muҫa
- Gent Hazizi
- Ardian Cerga
- Arben Kumbaro
- Kastriot Ҫaushi
- Petrit Malaj
- Inis Gjoni
- Kozeta Bakiu
- Flaura Kureta
- Elia Zaharia
- Laedia Hajdari
- Genti Kame
- Erion Kame
- Mateus Frroku
- Kristo Ҫala
- Gert Ferra
- Bruno Shllaku
- Paskualina Gruda
- Erion Isai
- Monika Lubonja
- Paola Kodra
- Blerta Belliu
- Albano Prodani
- Afrim Agalliu
- Astrit Mamaj
- Ilirjan Ali
- Agron Hamo
- Lavdimir Abilaliaj
- Matilda Avdyli
- Agron Jakupi
- Drini Shehu
- Jorgaq Tushe
- Shkëlqim Jaupi
- Jaho Guma
- Luli Hoxha
- Arjola Basho
- Josif Sina
- Gjergj Mena
- Klea Huta