Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Grigor Jovani

 

Grigor Jovani u lind më 1959, në Gjirokastër. Fëmijërinë dhe rininë i jetoi në Laç të Kurbinit. Studioi filologji dhe u specializua për gazetari. Në Shqipëri punoi gazetar. Në vitin 1991 u shpërngul familjarisht në Athinë, ku është marrë me shtypin shqiptar të emigracionit. Ka drejtuar në kohë të ndryshme gazetat “Emigranti”, “Rilindja XXI”, “Albanews”, “Tribuna”. Aktualisht boton dhe drejton në Athinë revistën letrare dhe artistike “Pegasi”.
Ka botuar vëllimet me poezi “Botë pa dashuri” (1977), “Punishtja e ëndrrave” (2004), “Udhëtoj brenda vetes” (2008), “Blu e thellë” (2012), ka përkthyer librin “Monologë” të M. Kunderës (1997) dhe ka në shtyp librin “Vreshtat e Dionisit”.
Është anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Litter-Art” në Athinë, bashkëpunon me median shqiptare dhe greke, si edhe me shtypin shqiptar të diasporës.

ZOT I ZEMERUAR

Heshti Zoti.
Për inat të atyre që e dëgjonin.

U lodh,
duke u folur njerëzve kotsëkoti.
Mbylli mikrofonin.

DON KISHOTI

Gjithë jetën, si Kalorësi Shpirtnxirë,
por pa Sançon mbi gomarin bishtgjatë,
nga fshati Jergucat nisem pa gdhirë,
mbërrij në darkë prapë në Jergucat.

KISHA E FSHATIT

Më pëlqen të rri tek kisha e fshatit,
me pleqtë bashkëfshatarë dhe plakat.
Pas pak dremiten pranë qirinjve,
rruzaret u shpëtojnë mbi pllakat.
Një çast të tillë edhe mua,
një ditë, Imzot, të më përgjumësh.
Në më rrëntë ndonjë varg, dua
të ma mbledhësh, mos ma humbësh.

BASHKEFAJTORE

Çdo harku i takon shigjeta.
Popullit tim, këngët e veta:
“Enver Hoxha, hej tungjatjeta!”

AKOMA

Akoma m’i vesh veshët fildishi yt i zërit,
akoma ma ngroh dimrin shkreptima jote e syrit,
akoma i kam buzët çerdhe për një bilbil.
Që të strehosh ti puthjen, marseve shtroj tërfil.
Sa mirë që i huaj të qenkam bërë tashmë!
Dhe unë do bëhem re, nuk do më shohësh më.
Kalove pranë meje, por nuk më dhe rëndësi…
Në s’përballofsha mallin, do të të vij si shi.

LEKURA

Më ngjan vetja gjarpër, hera-herës,
kur ndërroj këmishat e pranverës.

DESHTIMI

Jam menduar shumë kohët e fundit,
kam konkluduar të ndërroj vendim.
Përse? Po ja,
desha të ushqej pëllumbat e bardhë të paqes,
duke pakësuar racionin tim.
Nuk ia arrita. Më mundën
skifterët e botës
dhe egoizmi im.

BARIU I QIELLIT

Prapë sot u mbush me re lëndina e qiellit,
siç mbushen manastiret nga murgjit mjekërzinj.
Pas pak do të shfaqet guna e Shën Djallit,
të kullosë në qiell kopenë me gjarpërinj.

(Istmo, Korinth-Lutraqi, qershor 2012)

Please follow and like us: