2 Korriku i 90-ës që zgjoi shqiponjën dy krenare
Në Kosovë nën terrorin e snajperva dhe tankeve serbe elita intelektuale e udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova shpalli Deklaratën Kushtetuese, gurë-themelin institucional që i priu Pavarësisë së plotë të Kosovës. Në Shqipërinë komuniste djemtë më kurajoz të Tiranës “thyen” muret e ambasadave perendimore, shurdhuan veshët e kancelarive europiane, çanë këmbanat e alarmit dhe zgjuan popullin e robëruar që do të shpërthente në Dhjetor 90-ës. Me dy korrik të 90-ës shqiponja dykrenare u zgjua pas një agonie të gjatë si rezultat i dhunës dhe diskriminimit absolut që qeveritë motra të Tiranës dhe Beogradit po ushtronin mbi popullsinë shqiptare të ndarë dhunshëm në 5 shtete të Ballkanit. 28 vite pas këtyre dy ngjarjeve kulmore të historisë tonë kombëtarë fatëkeqësisht dy qeveritë e shqiptarëve në Prishtinë e Tiranë ngjajnë si dy filiale të qeverisë së Beogradit. ATO shkelin dhe dhunojnë të drejtat e qytetarëve të tyre, vjedhin dhe grabisin pronën publike, injorojnë dhe shpërfillin ëndrrrën shekullore të shqiptarëve për Bashkim Kombëtarë në një shtet të vetëm. Treni europian për shkak të arbitraritetit të qeverive të Tiranës dhe Prishtinës i ka mbyllur stacionet e saj në Shqipëri dhe Kosovë. Ekonomia është bërë pronë e 2%–it të klientelës së qeveritarëve, që simbolikisht na kujton kontributin që emigrantët nga Kosova jepnin për Pavarësinë e Shtetit të Kosovës ndërsa në Shqipërinë e diktaturës falimentimin e ekonomisë në prag vitet e 90-ta. Kjo gjëndje deprimuese duhet të na zgjojë dhe jo të na e shtojë agoninë. Ky përvjetor i 2 KORRIKUT të 90-ës duhet të na gjëjë në rrugë dhe në sheshe, në Tiranë dhe në Prishtinë, në çdo qytet të Shqipërisë dhe Kosovës. Kujtimi dhe sakrificat e atyre burrave dhe grave që sakrifikuan jetët e tyre nën regjime gjakatare dhe kriminale me 2 Korrik të 90 për lirinë tonë duhet të na frymëzojnë që ti ndalim qeveritë filiale të beogradit, të cilat ndërtojnë jetën e luksit mbi varfërinë e qytetarëve të tyre. Që shpërfillin dhe dhunojnë ditën për diell të drejtat dhe liritë tona qytetare të fituara me sakrifica sublime. Koha është për zgjim dhe për ndryshim.
BISLIM AHMETAJ
KRYETAR I GRUPIMIT “DHJETOR ’90”