O tempora, o mores/Prokurori i Apelit deklaron pasuri të fituar në baste sportive
Luan Kaloçi, prokuror i Apelit të Tiranës prej vitit 2002 do të përballet në seancë dëgjimore sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Trupa gjykuese që do të kryejë rivlerësimin e prokurorit Kaloçi përbëhet nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Ndërkohë që të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori i Apelit, Luan Kaloçi zotëronte pasuri me vlerë 10 milionë lekë në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë e tij për herë të parë. Sipas deklaratës së vitit 2003, prokurori Kaloçi zotëronte një apartament banimi në Tiranë të blerë në vitin 2000 për 4.2 milionë lekë si dhe një dyqan me vlerë 5.8 milionë lekë që ka si burim të deklaruar bastet sportive.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Kaloçi është rritur me 2.4 herë me një vlerë totale prej 24.3 milionë lekësh. Pasuria e shtuar përbëhet nga një apartament i dytë me sipërfaqe 125 metra katrorë në Tiranë, i blerë me kredi për 55 mijë euro, një garazh me vlerë 12 mijë euro me burim kursimet familjare si dhe kursime në cash përgjatë viteve në vlerën e 4.5 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare të Kaloçit për periudhën 2003-2017 kapin vlerën e 31.7 milionë lekëve dhe përbëhen në 85 për qind të tyre nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Të ardhurat nga qiratë zënë gjithashtu një zë të rëndësishëm me 14.7 për qind të të ardhurave totale. Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik-logjik për 14 vite nuk ka rezultuar me probleme, por kjo analizë identifikoi një sërë “flamujsh të kuq” në rastin e prokurorit Kaloçi. Njëri prej tyre është pronësia e një dyqani me sipërfaqe 86 metra katrorë në Tiranë, i blerë në vitin 2003 me burim të deklaruar fitimet në baste sportive.
Të ardhurat e siguruara nga dhënia me qira e kësaj prone zënë më pas një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave. Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar është huamarrja prej 10 mijë dollarësh e përdorur në vitin 2009 si depozitë garancie për vizën amerikane të vajzës. Huaja, e cila është kthyer brenda të njëjtit vit është marrë pavarësisht se familja Kaloçi zotëronte 1.6 milionë lekë kursime akumulative në cash deri në vitin 2008. Mbajtja e sasisë së konsiderueshme të kursimeve jashtë sistemit bankar është një tjetër çështje e evidentuar në rastin e zotit Kaloçi, i cili në fund të vitit 2017 rezulton të ketë akumuluar rreth 4.5 milionë lekë kursime.