Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: DEMOGRAFIA E TREGUT POETIK 

(Baudelaire: Le Fleurs du mal”)

Pjesa e Parë

Po e shkruaj qysh në rreshtin e parë! Kjo ç’do të lexoni, nuk është aspak një sprovë (ese) mbi letërsinë, dhe as një krahësim apo aludim për këtë autor të shquar të letrave franceze dhe librin e tij me të mirënjohur, pararendësin e Vargjeve Satanike, “Lulet e së keqes”, me të cilin, bëra, siç bëri i ndjeri me Poe-në. Aspak! Është një skicë, pak më shumë se disa ide, për të vlerësuar fuqinë blerëse, të një popullate të caktuar, në një kohë të caktuar, ndaj një libri, të një autori të ri, thuajse të panjohur. Viti 1857.

Parisi,

në atë kohë, nën regjimin e Napoleonit të III, Perandoria e II, i cili midis të tjerave kish vendosur të ndërtonte dhe një teatër të ri, përveç parqeve kryesore sidomos ata rreth qëndrës apo qytetit të vërtetë, ku barresja i pangopur dhe me një farë mënyre krenar, që kisha pasur mundësinë të ecja, në një kohë, sa ish thyer pak muri ndarës prej betoni, midis vendit tim të vogël dhe Europës-Paris, që na shihte nga lart poshtë me keqardhje dhe dyshim! Do prishte, “slums”, (lagjet e varfëra) përreth Notre Dame dhe në Ishullin e Qytetit, në mes. Do ngrinte disa ura, kullat as që mendoheshin në atë kohë, kur venerohesh ende klasicismi dhe vlera e tokës së ndërtimit ishte fare e lirë, ashtu si dhe mundësia për të ndërtuar, ish privilegj i një grupi të ri të përzjerrë, (asnjë alusion apo krahësim, edhe këtu), aristokratët e mbetur nga ai revolucion mbretkokëprerës dhe borgjezisë së re, që barazinë e mbajti për vete, e jo për ata nën vete. Ata kishin pronat, paratë ,(në mos s’i kishin, i merrnin nga njeri tjetri), dhe bashkë me to dhe lejet e ndërtimit. Dhe mbasi, dhe në atë kohë të largët, kish një ekonomi plotësisht të lirë tregu, ndërtuan për vete, dhe gjurmë gdhëndën në shpinë të Parisit, qytetit më të rëndësishëm të asaj kohe, për lavdinë e përfitimin e tyre.

Për këtë,
Perandori i III dhe prefekti i tij, majordom, baroni Haussman, më 1854, iu përveshën planit për të zbukuruar qytetin, siç e shkruante vetë Naltmadhnia:
“Le të bëjmë ç’është e mundur, të zbukurojmë këtë qytet madhështor. Le të hapim rrugë të reja, rrethinat ku mungon ajri dhe drita t’i bëjmë të shëndetëshme, rrezet e diellit t’i lemë të hynë në çdo cep brenda mureve tona.”

Kështu, për 17 vjet, (o Zot, jo dhe dhjetë të tjera), rregulluan kanalet e ujrave të zeza, tubacionet e ujit të pijshëm, Lanën Parisiene-Senë, ndërtuam një spital në Ishull, Observatorin, rrugën e gjërë, që e pershkonte mes për mes Pyllin e Bulonjës, rrugë dhe sheshe plot, si Place de la Concorde, përgjatë rrugës së Rivolit deri tek Rruga Saint-Antoine, bulevardin e Saint-Germain e të trjerë, përfshirë dhe një, të mbante emrin e shërbëtorit Housman. Shumë nga këto vepra sot mendohen se janë të të Madhit, e jo të të voglit uzurpator, edhe pse për nga shtatëgjatësia, ish e kundërta. Teatri i ri u ndërtua!

Napoleoni i III,
sigurisht nuk do të ndalem në përshkrimin e tij, se nuk kam besuar në shkencën jo shkencore të anthropometrisë, q’u orvat dhe orvatet, e çoku ka ndonjë herë të drejtë, të lidhë përmasa dhe përpjestime trupore, me inteligjencën, mënyrën e të menduarit, të vepruarit me shënja dalluese të një race të zgjedhur!
I gjatë, me ballë të lartë, me flokë të rallë, pas mesit të kafkës, e cila po të ish rruar me kujdes, do shkëlqente e bardhë dhe e rrumbullaktë. Mjekër donkishoteske me majë, mustaqe po ashtu, si të xha Sulos. Hundëdrejtë me një breg të dukshëm pas vetullave. Sy të vegjël, që humbisnin disi nga tërheqja e fytyrës. Të them të vërtetën, pranohet, që ngjante disi me Zogun tonë, por aspak me Qemalin e madh, mjekër dëndur që qendron varur në çdo ministri apo dhe në vetë kryeministrinë tonë të mermertë.

Popullsia e Parisit,
e asaj kohe ndryshimesh dhe zbukurimesh ishte siç vijon:
• 1.5 milion banorë, gjithësej.
• 42% e popullsisë në varfëri të plotë, rreth 800,000 frymë, përjashtuar nga taksat
• 17% nën nivelin mesatar të jetesës, (pra 60% e shoqërisë ishte shumë e varfër).
• 32% shtresa e mesme.
• 8% të pasur.
73% e popullsisë punonte në fabrikat dhe punishtet e qytetit, ku përfshihej dhe një fabrikë hekuri, ku prodhoheshin shina treni dhe jo traktorë. Punohej 12 orë në ditë me dy orë pushim për drekën. 73% e puntorisë paguhej mesatarisht 1 dollar në ditë, 5% e saj paguhej 2 dollarë në ditë, kur ushqimi kushtonte në më të paktën, 25 cent në ditë dhe qiraja dy herë aq. Kësaj pjese i mbetej 25 cents për të gjitha nevojat e tjera. Libri as që mendohej, më i liri ish 2 dollarë. Pa përmendur, që në shumicën e industrive, përveç asaj ushqimore, kish një “stinë të gjate të vdekur”, kur punëtoret nuk paguheshin. Punonjësit e zyrave merrnin njëlloj, si ata të zejeve. Kish dhe një pjesë të shoqërisë që quhesh “chiffonniers”, rrecka ose plehra mbledhësit.
Të pasurit, 8%, rreth 50.000 frymë, që paguanin 300 dollarë qira, dinin të lexonin dhe blenin libra, celularët e parë të asaj kohe. Shumë varfëri, shumë zbukurime dhe pak, fare pak letërsi. Shto këtu dhe moralin e ashpër të sovranit, q’e dënoi autorin e ri, Baudelaire, me 30 dollarë gjobë për vargje të pahijshme, në një gjyq public, mjerim që i parapriu fundit të shpejtë, pas një paralize sifilitike në moshën 46 vjeçare, plotësisht i rrënuar shpirtërisht dhe ekonomikisht.

Kuptohet që në atë kohë, të zymtë zbukurimesh, një poet, as që mendohej të jetonte me zejen e tij, po të mos kish trashëguar pak pasuri, do kish vdekur pa shkruar. Vështirësitë ishin të shumta, por, së pari, numri i lexueseve ishte shumë, shumë i kufizuar, sa edhe po t’i lexonin me zë të lartë në shesh, siç bëhej rëndom, nuk do t’i njihte njeri. Poetet, si uqër, njihnin njëri tjetrin dhe bujtinave vajtonin angullimat e tyre. Së dyti, librat ishin mall i shtrenjtë, dy dollarë për kohën ishin shumë për varfërine. Shumë, sa as që mendohej për ta. Dhe së treti, arsimi, ai që të meson ta vlerësosh librin, ish i pamundur, të mendosh, që sot, në Shqipërinë tonë, numri i studentëve nga viti 1995 deri tani është rritur 6 herë (120,000), dhe 98% e popullësisë di dhe do të lexoje. 70% e saj në mos më shumë, janë të gjithë të etur për lexim, si për një kafe me duhan, sa fillon dita, po të mos ishte masmedia.
Megjithatë…..

EA 7/5/2017
All the rights and copyrights are protrected

Please follow and like us: