Jorida Tabaku: Rama do e shemb godinën e Teatrit Kombetar që këtë verë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se qeveria shqiptare duket e vendosur për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar, edhe pse artistët po protestojnë kundër këtij vendimi. Teksa ka komentuar miratimin e ligjit për Teatrin në seancën plenare të së enjtes, deputetja Tabaku thotë se referuar burimeve, qeveria ka gati kontratën për ndërtimin e kullave, dhe sipas saj, prishja e Teatrit mund të fillojë brenda verës.
Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, deputetja demokrate tha se ky është një akt korruptiv.
“Ligji për teatrin shkel katër ligje të tjera. E debatueshme është se ligji i paraqitur shkel edhe marrëveshjen e MSA-së. Ligji që erdhi në parlament shkel nenin 71 dhe 74 të Kushtetutës. Që nga viti 2014-2017 në Këshillin e Ministrave kanë kaluar vendime të ndryshme, që e kanë ulur artificialisht vlerën e pronës në këtë vend, ndërkohë që ajo është një nga zonat më të lakmuara të Tiranës. Prona publike nuk mund të tjetërsohet me një ligj paçavure që vjen në Parlament.
Ne kemi projeksionet tona për tjetërsimin e pronës, dhe për atë që po ndodh me truallin e Teatrit. Ne i kemi kërkuar mazhorancës që të na vendosë në dispozicion dokumentin sesi është marrë ky vendim, por asnjë zyrtar shteti, nga ministrja e deri te drejtorët e thjeshtë nuk na jep dot përgjigje për këtë. Salla e Parlamentit ishte bosh në pjesën më të madhe të kohës, pasi askush nuk mund ta mbronte atë projektligj. Deputeti Vangjel Tavo rezulton në votim, ndërkohë që nuk ishte i pranishëm në atë seancë. Në një parlament tjetër demokratik, ai ligj do të ishte bërë nul. Por kjo gjë nuk ndodh në Shqipëri. javën tjetër ata do të avancojnë me vendimin. Në dijeninë tonë ata e kanë kontratën gati, dhe nuk është çudi që brenda verës të fillojë puna për prishjen e Teatrit”, tha Tabaku.
Sakaq, deputetja e PD ka komentuar edhe dokumentin autentik të shitjes së pronës ku sot është godina e Teatrit Kombëtar, një kontratë e vitit 1938.
“Kontrata e shitjes së pronës që unë prezantova në Komisionin e Ekonomisë e vitit 1938, tregon se pasardhësit e ish-kryebashkiakut të parë të Tiranës, e kanë shitur atë me qëllim që të ishte pronë publike dhe Teatër. Sot prona e teatrit që po diskutojmë është 5500 metra. E pandryshuar në gjithë këtë histori, mbetet vullneti i kësaj kontrate, që destinacioni i pronës të mos ndryshohej nga destinacion publik. Vlera e kësaj prone është e madhe, e shitur me 7 franga për metër katror”, tha ajo.
Tabaku ka treguar edhe mënyrën sesi ka mësuar për ekzistencën e kësaj kontrate.
“Në arkivin e Tiranës me dhanë informacion që ekzistonte kjo kontratë. Ne e kemi kërkuar edhe zyrtarisht si dokument, që të vijë origjinale, dhe kemi kërkuar ta investigojmë sesi ka ndryshuar pronësia që nga viti 1938. Sipas arkitektëve italianë, ishte pikërisht ky truall i përshtatshëm për ndërtimin e Teatrit në atë kohë. Pavarësisht se është blerë trualli nga italianët, dhe pas luftës i ka kaluar shtetit shqiptar, kontrata thekson se është pronë publike”, u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku.