Albspirit

Media/News/Publishing

Franca në finale, Umtiti prish ëndrrën e Belgjikës…

Franca ka fituar 1-0 ndaj Belgjikës, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018, falë golit të Samuel Umtiti dhe do të jetë në finalen e madhe të Moskës, ku do të jepet trofeu më i rëndësishëm në futboll.

Në pjesën e parë, Belgjika dominoi për 20 minuta, por forma e kapitenit Hugo Lloris ruajti të paprekur rrjetën e Francës dhe minutë pas minute “gjelat” u rritën, në dëm të kundërshtarit.

Në minutën e gjashtë të pjesës së dytë, ndodhi një episod kyç për gjysmëfinalen.

Gjatë një goditje nga këndi, Samuel Umtiti fitoi duelin ajror me Fellaini dhe tundi rrjetën me një goditje të saktë me kokë, që nuk i dha mundësi reagimi portierit Thibaut Courtois.

Kjo ishte hera e parë për Francën, që nga viti 1998, që shënojnë tre mbrojtës në një Botëror. Atëherë gjenin golin Thuram, Lizarazu dhe Blanc, këtë herë Pavard, Varane dhe Umtiti.

Belgjika provoi të sulmonte, por pa prishur festën e ekipit të Didie Deschamps, që bëhet gati të shkruaj historinë. Në finalen e Moskës, më 15 korrik, do të ndeshet me Anglinë ose Kroacinë.

Kjo është hera e tretë që Franca do të jetë në finalen e Kupës së Botës, pas suksesit ndaj Brazilit në “Francë ‘98” dhe pas humbjes ndaj Italisë në “Gjermani 2006”.

Please follow and like us: