Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët duhet t’i gëzohen fitores së Kroacisë

 

Ana Mehmetaj

Kroacia ka shënuar sot një fitore spektakulare në Botërorin e futbollit “Rusia 2018” ndaj një ekipi të jashtëzakonshëm të Anglisë duke gëzuar fillimisht rreth katërmilionë bashkëkombas të vet dhe jo vetëm. Për fitoren e Kroacisë duhet të gëzohen edhe shqiptarët në të gjitha viset autoktone, pasi lidhjet mes dy popujve dhe dy shteteve janë të kahershme qysh nga ilirët dhe që janë forcuar nga një etapë historike në tjetrën.

Rënia e Shqipërisë nën sundimin shumë të gjatë të Perandorisë Osmane solli një farë shkëputje mes dy popujve, po kurrsesi ajo nuk ka qenë përfundimtare. Mjafton të përmendim personalitetin e shquar Andre Aleshi nga Durrësi i cili me veprat e tij skulpturore dhe arkitektonike, ishte i pari që futi shpirtin e Rilindjes në Dalmaci, si në arkitekturë po ashtu edhe në skulpturë. Po ashtu Gjon Gazulli, humanisti, matematikani dhe astronomi i njohur jetoi dhe punoi në Dubrovnik, ndërsa Marin Biçekimi ishte rektor i shkollës publike në Dubrovnik në 1492.

Shkrimtarët kroatë e konsideronin Gjergj Kastriot Skënderbeun si një prijës me përmasa botërore. NJë prej tyre, Milan Shuflaj do të pohonte: “Nën Skënderbeun një fis i tërë shqiptar u bashkua në luftë kundër turqve. U krijua një shtet i vërtetë shqiptar, pas rënies së Stambollit, Serbisë dhe Bosnjes, një shtet i fundit i madh i krishterë në Ballkan”. Për jetën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kanë shkruar gjithashtu Mate Zorçiq, Mihovil Pavlinoviq, Donat Famijaniq dhe shumë autorë të tjerë.

Raporte krejt të tjera janë krijuar me shtetit dhe popullit kroat dhe dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat kanë gjetur mbështetje të fuqishme në zhvillimet e tyre drejt anëtarësimit në NATO apo në Bashkimin Europian. Ish presidenti historik Stipe Mesic, falë kontributit që ka dhënë për shqiptarët, është një personalitet që vlerësohet dhe nderohet nga dy shtetet.

Please follow and like us: