Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Apologjia e Çajupit në Mëmëdhe

Monokomedi e vogël hyjnore me dy akte

Akti i parë

Prolog

Rrëfimtari

Çajupi u lind në Sheper të Zagories më 27 Mars 1866. Jetoi, punoi dhe mendoi për Shqipërinë si rrallëkush larg saj, në Egjipt.

Nuk më kujtohet se si, kur në një nga pasditet e këtij dimri të ftohtë, me shi, me përmbytje e tërmete, duke folur me një prej miqve të mi për vjershat dhe shkrimet e fuqishme të Çajupit, miku im më befasoi me rrëfimin e një ëndrre, e cila më pas, u ndërthur me një tjetër ëndërr timen, për t’u shtruar qetësisht në faqet e këtij shkrimi. Miku im më shoqëroi deri në fund të ëndrrës sime…

Se ç’rrugë bëri dhe si erdhi, askush s’qe në gjendje ta thotë, po pasi u takua me miqtë e ‘Klubit të Selanikut’, me burrat e Zagorisë, me Marigonë dhe me Gjinon, Çajupi u “këshillua” me doktor Adhamudhin, bisedoi me Nastradinin, pastaj me La Fontenin dhe me poetët indianë.

Kur u përball me Baba Tomorin, u ndal përpara madhështisë së tij, ra në mendime dhe u përlot, i trishtuar për vdekjen e parakohshme të gruas së tij zvicerane Evgjenia, një vit pas martese. Me brengë në shpirt iu drejtua Zotit, me po ato fjalë që i ish drejtuar dhe nga Lugina e Nilit.

Çajupi

“O Zot i vërtetë, s’të erdhi keq për djalë

Kur i more mëmën dhe më le të gjallë…”?

Rrëfimtari

Në qetësinë hyjnore të universit mbretëronte vetëm një heshtje e zgjatur… Për momentin, Zoti ishte shumë i zënë me punë, i preokupuar për një komunitet banorësh të veçantë, që ndoshta i përkasin racës shumë të rrallë dhe shumë të fisme të “qënieve të privilegjuara” të shpërndara nëpër vende dhe popuj, ashtu si gurët, që gjallojnë në mes të përzjerjeve të rëndomta.

Kjo racë e veçantë njerëzore, si njohës të thellë të shpirtit njerëzor, bukurinë e botës e përjetojnë vetëm në sajë të bashkimit të zjarrtë të mishit me shpirtin. Çdo vulgaritet shpirtëror, plogështia e shpirtit, mungesa e emocioneve dhe e ndjeshmërisë njerëzore ata i lëndon. Ajo, që të tjerët, vetëm sa i cik, ata i therr në zemër!

Kënaqësia e tyre është që të mos urdhërojnë njeri, por dhe të mos varen nga askush, të jenë të lirë. Por, kënaqësia e tyre e veçantë është, që, mbi të gjitha, të bëjnë vetëm të mira dhe të dhurojnë mirësi gjatë gjithë jetës, pa interes. Por, lëndohen dhe vriten shumë shpejt, kur gjejnë mosmirënjohje.

I madhërishmi Zot, shumë i ndjerë dhe i arsyetueshëm për këtë racë njerëzore, donte, që t’i sistemonte sa më mirë këta banorë shpirtbrengosur, që të ishin larg zhurmës dhe potereve të banorëve të Parajsës dhe Ferrit.

I sistemoi me kujdes në një ambient të veçuar, në anë të rrjedhës së një lumi, që të gjenin paqe me vetveten, nën shushurimën e rrjedhës së lumit, në cicërimat e zogjëve dhe të melodisë “Requiem” të Mozartit. Zoti, lagjen e re e pagëzoi me emrin “Shpirti i kulluar”.  Si administrator të saj emëroi Stendalin dhe si këshilltarë të parë caktoi Tolstoin dhe Kazanovën… Në vitin 2000, lagjia u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Çajupi, pasi s’mori përgjigje nga Zoti, vazhdoi i dëshpëruar me kokën nga qielli.

Çajupi

O Zot i madh,

Bëre derrin dhe arinë

Por, ç‘deshe që bëre dhe “Njerinë”?

Rrëfimtari

Nga thellësitë e universit i erdhi më në fund jehona e një zëri të ëmbël hyjnor.

Zoti                 

-Ki durim, biri im… ki durim!…

***

Çajupi në Parajsë

Në vitin 1930 Çajupi shkoi në Parajsë. Atje u takua me shokët dhe miqtë e tij filozofë dhe intelektualë dhe ndieu, se s’kishte më ndarje nga vitet. Gjeti njerëz të ikur nga bota prej kohësh, priti dhe të ardhur të tjerë, vit pas viti.

U përqafua plot mall me vëllezërit patriotë Frashëri, me Ismail Qemalin, Dr. Mihal Turtullin, Faik Konicën, Fan Nolin, Asdrenin, Luigj Gurakuqin, Migjenin, Gjergj Fishtën, Ali Asllanin, etj, etj.

Përshëndeti me dorë edhe aktorin e madh Aleksandër Moisiu, por ai nuk e vuri re, pasi ishte zhytur në prova në rolit e ‘Hamletit’ të Shekspirit, nën degët e shqyera të një peme.

Në një tavolinë, nën hijen e një ulliri, i bënë përshtypje disa burra të fisëm, të moshuar që bisedonin. Njëri prej tyre, më i moshuari ishte i veshur me fustanellë. Portretin e tij kishte përshtypjen se e kishte parë në një muze të madh të Parisit dhe të Athinës.

U bë kureshtar dhe pyeti se kush ishin.

Banorët

Burri me fustanella është arvanitasi Vasil Goudas (Gudha), sekretar personal dhe Zv. gjeneral i Marko Boçarit, kurse në krahun e majtë janë arbëreshët mendjendritur Jeronim de Rada dhe Zef Serembe.

Rrëfimtari

Më tej u takua edhe me Dr. Jani Bashon, përkthyesin Vexhi Buharaja, Dr. Vasil Labovitin, Dr. Vasil Jorgjin, me kompozitorin e rinisë Kastriot Gjini dhe me shumë miq të tjerë të rinj. Miqve që takonte, si gjithmonë modestë e fjalëpakë, u dhuronte me kënaqësi nga një libër në shenjë kujtimi.

Kohë pas kohe, Çajupi gjente rast dhe takohej me këdo që i digjej zemra për Shqipërinë.

Dhe ja, tani afër, më 25 Dhjetor 2015, në një tavolinë miqësore, u takua me Lasgush Poradecin, Pano Taçin, Frederik Reshpjen, Mentor Xhemalin dhe Petro Markon.

Çajupi, me dorën e vendosur në ballë, ndiqte me interes bisedën e tyre, e cila ishte e qetë, por tek-tuk ndizej e merrte zjarr.

Lasgushi me bastunin e tij e drejtonte bisedën aty ku duhej. Frederiku dukesh i pezmatuar… Panos i kuptoheshin fjalët me vështirësi, ngaqë kishte probleme të mbartura me dhëmbët e rëna prej vitesh. Dentisti më i mirë i Parajsës e kishte këshilluar që të vendoste “protezë komplete”.

Mentori i lodhur fizikisht e shikonte Çajupin dhe tundte kokën. Papritur, drejtoi trupin dhe lehtazi ia mori këngës “Zura një bilbil me vesë”.

Çajupi u befasua nga zëri i mrekullueshëm dhe ra në mendime të thella…

Çajupi

– Nga del ky zë i fuqishëm burimor? Çfarë brenge do të shpreh ky njeri me këtë këngë kaq të bukur lirike dhe po aq të ndjerë?!

Rrëfimtari

Me Petron bisedoi edhe veçmas. Ai ishte burrë i pashëm, me jakën e bardhë të këmishës mbi xhaketë, me gjoksin gjysmë të zbuluar dhe, për fat, dëgjonte më mirë se të tjerët nga veshët, si banor i ri, i pranuar kohët e fundit në Parajsë.

Si fisnik dhe xhentil që ishte ndaj femrave, Çajupi, ftoi në një pasdite takimi zonjat e nderuara: Elena Gjika (Dora D’Istria) dhe Musine Kokalari. Ai doli 5 minuta më përpara për t’i pritur mikeshat. Evgjenia nuk mundi të vinte, pasi ishte e rënduar nga paraliza dhe duhej të kujdesej edhe për djalin e saj të vetëm, Stefanin.

Zonjat u përshëndetën me respekt me Çajupin dhe u ulën së bashku me të në një tavolinë, ngjitur në trungun e një qershie. Tavolina ishte shtruar me një mbulesë të bardhë dhe e zbukuruar anash me qëndisma nga Lunxhëria. Në mes të tavolinës ishte një buqetë me manushaqe dhe një qiri i ndezur.

Me sy të lagur dhe me sinqeritetin e tij prekës, gjatë bisedës, Çajupi u tha zonjave që ta falnin për lotët dhe turbullimin nostalgjik, sepse kishte shumë më tepër se 100 vjet që ishte shkëputur nga vendi i lindjes.

Ai u ofroi zonjave nga një gotë verë të kuqe. Zonjat e pranuan me mirësi gotën e verës dhe, pasi i kujtuan vjershat e tij, e uruan me gjithë zemër.

Zonjat

– Çajup, urojmë të të kemi dhe 150 vjet të tjerë në mes nesh!

Rrëfimtari

Pranë tavolinës u kalon si një “flutur” një grua trupvogël me një veshje karakteristike. Ajo iu dha nga një buzëqeshje të ëmbël dhe nxitoi me hapa të lehta…

Musineja

– Eshtë nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhi, Shenjtorja Nënë Tereza, humaniste e madhe, e përkushtruar përjetësisht ndaj njerëzve të varfër dhe të vobektë, pa dallim feje, race e kombësie.

Rrëfimtari

Biseduan me përmallim dhe për shumë gra të shquara, për vetëmohimin e tyre për Shqipërinë dhe, pasi u përshëndetën, u larguan…

Në fund të takimeve me atdhetarët, pas gëzimit, Çajupi ndiente një mërzitje të pashpjegueshme dhe një mërmëritje të brendshme, që shpesh i dilte jashtë me rënkime: “Ah”, “Ah”, “Përse”?…

Këto u bënë zëra e tinguj, që nisën të përsëriteshin, sidomos netëve. Ai i ndjente në thellësi të shpirtit tek përhapeshin drejt yjeve, në univers, duke u shkrirë me një melodi, që s’dihej nga vinte, për t’u derdhur më gjerë në shtratin e një simfonie “Dashuria njerëzore”, që kumbonte me finalen: “Përse?”, “Përse?”, “Përse”?…

Simfonía përsëritej e pasurohej vokalisht me zëra banorësh të rinj të Parajsës, duke u endur nëpër hapësira dhe duke u bashkuar në unison me koralen hyjnore “Aleluja”.

Por, “Ah”-et nuk iu ndanë atij asnjëherë dhe “Përse”-ja nuk gjeti përgjigje!

***

Kthimi në Tokën–Mëmë

Çajupi tentoi disa herë të takonte në Parajsë drejtpërdrejt Zotin, por, Ai ishte shumë i zënë me punë dhe atij i mbeti peng që nuk e takoi dot.

Në Mars të vitit 2016 vendosi të kthehej në vendlindje pas 150 vjetësh dhe të komunikonte qetësisht me Zotin nga Toka – Mëmë, falë edhe teknologjisë së re të informacionit…

Veshi kostumin, rregulloi kravatën, krehu flokët e mustaqet dhe zbriti në Tokë nga Parajsa.

Fillimisht arriti në Kajro. I tronditur dhe i çuditur nga ngjarjet në vendet islame, veçanërisht ngjarjet e ndodhura në Siri, nxitimthi udhëtoi nëpër luginën e Nilit, përshkroi Urën e Bosforit dhe po afrohej në Mëmëdhe.

Sapo mbërriti në mëmëdhe, u ndal tek Ura e Subashit.

Në një nga lokalet piu me etje një gotë ujë të ftohtë dhe pa me mall fshatrat përkarshi. Nga radioja e lokalit dëgjohej një këngë për kurbetin. Çajupit i mbeti gota e ujit në dorë. I erdhi ndërmend Mitrua dhe vargjet e tij për kurbetin. I dukeshin vargjet të ngjashme, gati njëlloj me të tijat dhe mërmëriti me vete: – Akoma dëgjohen këto vargje dhe tani, në shekullin e 21-të?!

Pronari i lokalit e kuptoi se ai nuk ishte udhëtar i zakonshëm, ndaj iu afrua.

Pronari i lokalit

 – Zotni, dëgjoje, dëgjoje me nge këngën dhe ujin pije pa merak, se uji vjen direkt nga burimi, nga Gurra e Picarit. Të rrish i qetë! Njerëzit e krahinës janë të vizituar mendërisht nga neuropsihiatri i zonës Izet Çulli, kurse këngën që dëgjon në radio e këndon grupi i Zagorisë. Soliste është këngëtarja Mimoza Kosturi, bijë nga Sheperi. Këngën e Kurbetit e ka kënduar edhe nëna e saj para 50 vjetësh… Vargjet e tanishme më duket se i ka shkruar poeti i Bregut Lefter Çipa, ndoshta janë shkruar dhe nga atdhedashësit emigrantë: poeti Agim Shehu nga Zvicra, apo neurokirurgu poet Emil Asdurian nga SHBA. Melodinë e këngës, në mos qofsha i gabuar, e ka shkruar i madhi Ferdinand Deda, ose Vasil Tole, si bir i Zagorisë.

Rrëfimtari

Më tej ndërhyn pronari i lokalit.

Pronari i lokalit

 – Sot fshatrat e Labërisë, Odries, Zagories pothuajse janë shkretuar. Banorët e fshatrave kanë shkuar dhe po shkojnë familjarisht në kurbet…!

Rrëfimtari

Kur ai e pa udhëtarin, që e dëgjonte dhe e shikonte si i hutuar, ndërhyn sërish pronari i lokalit.

Pronari i lokalit

 – Zotni, nuk di sa më kuptove, pasi shqipen e flas jo si dikur, sepse kam qenë mbi 15 vjet emigrant në Greqi dhe…

Rrëfimtari

Në kujtesën e Çajupit trokiti kurbeti i shqiptarëve në shekujt e fundit, kurbet që dhe ai e kishte provuar në kurriz. U përmend kur sytë i panë një pjatë me kastraveca me ngjyrë jeshile vezulluese në banakun e lokalit. Pronari ia ofroi pjatën me kastraveca dhe i lexoi një farë dyshimi në sy.

Pronari i lokalit

– Shijen e kanë të mirë, por nuk e di se çfarë lloj kastravecash janë, me farë apo pa farë. Për këtë duhet pyetur Prof. Isuf Kalo, që është dhe nga anët tona. Prof. Isufi, më duket se i dallon mirë këto gjëra në vlerën cilësore të inteligjencës njerëzore.

Rrëfimtari

Çajupi doli nga lokali, ktheu shikimin nga qielli dhe vendosi të nisej për udhë për të mos e zënë nata rrugës.

Pronari i lokalit

– Zotni, po të duash, po të jap një mushkë me qira, që i njeh mirë rrugët, e që të çon drejt e në Zagori. Po të dhuroj dhe një aparat celular modern, që e kam blerë në Athinë. Bisedo me miqtë e tu, kur të duash dhe sa të duash, për qejfin tënd. Është aparat i zgjuar, i njeh mirë edhe valët e zakoneve të reja të vendit. Mund të dëgjosh edhe lajmet në televizor apo në radio kur të jesh i mërzitur.

Rrëfimtari

Poeti s’mund të rrinte pa i shprehur mirënjohjen.

Çajupi

 – Mirë, faleminderit.

Rrëfimtari

Çajupi e pa mushkën në sy, e përshëndeti me disa fjalë dhe hipi mbi të, së bashku me çantën të mbushur me librat e tij. Për çudi, mushka po ecte pa u grindur anës rrugës, buzë lumit Drino.

Pasi kaluan Valarenë, Çajupi e drejtoi mushkën për nga rruga e Zagories, por ajo ndaloi. Nuk i bindej më. Tentoi disa herë me qetësi e dashuri, por pa rezultat. I djersitur dhe i lodhur, e kuptoi, se nuk gjëndej muhabeti me mushkën e nuk mund të udhëtonte më tej. Tha me vete:

– Qenka mushkë xanxare, kokëfortë! Rruga është e gjatë e nuk do të mund t’ia mbush dot mendjen…

Zbriti nga mushka me qetësi, e përkëdheli, i vendosi lekët e qirasë në samar dhe e la në fushën e Valaresë.

Në Valare iu kujtua Ali Pashë Tepelena, iu kujtuan vargjet: “Harro mushkë Valarenë, se Ali Pashën e prenë…” dhe s’po i ikte nga mendja koka e prerë e Pashait, por, duke u larguar, ajo dalëngadalë iu sfumua dhe u faqos në librat e fundit të Prof. Fedhon Meksit.

Me peshën e çantës në krahë mori të përpjetën në këmbë për në fshatin e lindjes, Sheper.

U freskua dhe piu ujë Sterpeni, u çlodh në fushën e Çajupit dhe me një degë trëndeline në dorë ecte me gëzim, si dikur, kur ishte fëmijë për në vendlindje. Udhës i zunë sytë ca udhëtarë, por nuk mundi që të përshëndetej dhe të bisedonte me ta, pasi ata ecnin me çap të shpejtë me çanta në krah dhe flisnin me vete. Njeri prej tyre, me këmishën e djersitur në trup, nxitimthi u shkëput nga udhëtarët e tjerë, nxorri nga çanta diçka dhe iu afrua Çajupit.

Udhëtari

– O i madhi Çajup! Do një degë trëndafili që t’i marrësh erë, apo një degë hardhije që të bësh raki dhe verë…?

Rrëfimtari

Çajupi e pa në sy udhëtarin, u mendua dhe i mori degën e hardhisë… I çuditur pyeste veten: – Për ku nxitojnë këta, vallë? – Disa fytyra të tyre i ngjasonin me të stërgjyshërve. Kujtoi bashkëfshatarët e tij, që merrnin rrugët e kurbetit…

Më në fund hyri në fshat dhe filloi të çmallej me shtëpitë dhe me kujtimet e rinisë.

I lodhur nga rruga e gjatë u shtri nën hijen e rrapit. E zuri gjumi.

Në ëndërr i dilnin vajzat e bukura të gjimnazit të Nivanit, kravatat e mësuesve, kuvendimet e burrave të fshatit, këngët, mishrat e pjekur, sinitë me byrekë dhe dollitë me raki në dasmën e Marigosë me Gjinon…

Por ëndrra iu pre në mes. Me shikim gjysëm të përgjumur për rreth tij shikonte ujqër me gojë të shqyer. Brenda sekondës mendoi: – Mos vallë Marigoja e Gjinua ishin bërë ujqër, apo ujqërit kishin ngrënë Marigonë dhe Gjinon…?

I shtrirë siç ishte, u përmend nga ëndrra e keqe  kur, si një fantazmë i doli përpara në horizont një fytyrë burri, shtatgjatë, me sy të mëdhenj dhe me flokët përpjetë.
Kiço Spiri
– Mirë se na erdhe në fshat, o Çajup! Unë jam Kiço Spiri, ndër poetët më i miri. Më ke mallëngjyer me Elegjinë për Evgjeninë… Edhe unë i kam kënduar Ksanthipit:
O Ksanthipi se ç’më trete
Me ato që ke mbi vete
Dhe, ato, që ke nën vete!
Si pjergull të varen rrushtë,
E ke shtegun shumë të ngushtë,..
Kam shkruar vjersha edhe për “kandarin”. Njerën prej vjershave, po ta them:
Ndonëse të varfër jemi,
Një pëllëmbë pallosh e kemi,
Shyqyr, na ka parë allahu
Dhe na e bëri sa krahu…
Çajupi, gjysëm i përgjumur, buzëqeshi, diçka mërmëriti nën buzë, duke ia bërë me dorë Kiços: – Mjaft!…
Kiçua, i gëzuar nga takimi me Çajupin, vazhdoi bisedën pa pushim:
– O, i madhi, Çajup, unë, dikur, kur kisha një hall. Shkova në Tiranë për të takuar bashkëfshatarin tonë dhe adashin tim në Ministrinë e Tregëtisë.
Roja, tek hyrja e Ministrisë nuk më lejoi. Dola jashtë në rrugë dhe fola me zë të fortë:
– Kiço ti, Kiço unë,
Dil Kiço se kam pak punë…!    
Pranë meje kaloi poeti i madh Xhevahir Spahiu. Ai u shtang në vend kur dëgjoi vjershën time. Më buzëqeshi, më dha dorën dhe më tha:
– Të lumtë, Kiço!

Ma ngrohu zemrën.
Ai, tundi kokën dhe kaçurrelat e flokëve i rranë mbi ballë. E hodhi shikimin nga dritaret e Ministrisë dhe, si i trubulluar, iku. Ika dhe unë.
Po të jap dhe një lajm tjetër të gëzuar.
Kohët e fundit në fshatin tonë na erdhi Kryeministri Edi Rama. Ja, këtu ishim ulur të dy këmbëkryq, nën hijen e këtij rrapi dhe bëmë goxha muhabet.
Ka muhabet të këndshëm e me qyfyre…
Rilindasit i kujtonte shpesh me respekt. Veçanërisht, o Çajup, vjershat e tua, i dinte përmendësh dhe m’i recitonte me qejf të madh.
Po, kur, në mes të muhabetit, më thotë:
– Kiço, je vjershëtor i madh. Aman, më trego ndonjë nga vjershat e tua të fundit!
Më çuditi që  i pëlqenin dhe vjershat e mia!
Ia tregova  vjershën time të fundit:
“Se këtu në vendin tim edhe kungulli ka kuptim…”!
Më pa në sy dhe më tha: – Qenka tepër aktuale…
E mësoi shumë shpejt dhe e ligjëronte  me shpirt në takimet me popullin, pa le, me sa qejf e këndonte me fisarmonikë me romët…
– O, i madhi, Çajup! Fola shumë… por, jam i emocionuar që, u takuam sëbashku në vendlindjen tonë të dashur!
Rrëfimtari
Çajupi, i ngazëllyer nga ato që dëgjoi, u përmend. Hapi përgjysmë sytë e përgjumur, por nuk pa njeri. Hodhi dorën tek çanta e librave, u sigurua që e kishte pranë dhe që nuk ia kishin vjedhur. U kthye nga krahu tjetër dhe e zuri gjumi përsëri…

***

Akti i dytë

Rrëfimtari

Të nesërmen, nën rrezet e diellit të mëngjesit u zgjua, u çua, pastroi kostumin nga gjethet e rrapit dhe u ngjit në majë të malit të Çajupit.

Atje, i ulur mbi një shkëmb, me ballin e rrudhosur dhe me shikimin larg, sodiste bukuritë e natyrës përkarshi, vargmalet Trebeshinë – Dhëmbel – Nemerçkë dhe Shëndëlli – Lunxhëri – Bureto. Ktheu kokën pas, u përshëndet me malin e Tomorit, pastaj, me shumë vështirësi dalloi  dhe shtëpinë e vëllezërve Frashëri, ku ende kishte pak ndriçim nga Qiriri i Naimit.

Papritmas, përballë Çajupit po afrohej me shpejtësi një re e dendur, e zezë në formë akrepi.

Koka dhe veshët filluan t’i buçisnin si koshere bletësh. Në veshë i thërrisnin zëra të ndryshëm, të panjohur dhe që shoqëroheshin me të qeshura dhe ngërdheshje, por, fytyrat e njerëzve, që i flisnin (meshkuj e femra), ai nuk i dallonte.

Zërat e panjohur

– Çajup, ç’deshe që zbrite në tokë? Ne e dimë brengën që të bluan përbrenda, por brenga tënde nuk ka për të gjetur kurrë përgjigje?! Në Parajsë ku ishe, ndoshta mund të të sqaronte më mirë Darvini, apo Frojdi. Të qeshura histerike: “Ha Ha, Ha…”.

Rrëfimtari

Veshët iu zhurmuan nga të qeshurat djallëzore…! Çajupi nuk kuptonte se ç’po ndodhte… Shtrëngoi kokën fort, fort me të dy duart dhe mbylli veshët me gishtat e tij, që i dridheshin nga frika… Kjo situatë e tmerrshme, fatmirësisht nuk zgjati shumë.

Reja e zezë po largohej dhe veshët ju qetësuan nga zërat e panjohur.

“Mallkuar qofshin këto zëra tinzare”, tha Çajupi nën zë. E mblodhi veten. I gjallëruar në shpirt nga ajri i Tokës–Mëmë, mori frymë thellë. Pa e hequr dorën nga zemra, që kish nisur t’i dhimbte, me sytë nga qielli, ai iu drejtua Zotit.

Çajupi

“O i madhërishmi Zot,

Arrita të zbusja derrin

Bisedova dhe me arinë

Por nuk munda dot

të komunikoja me “Njerinë”!

Të lutem dhe të përgjërohem, më thuaj, si t’ia bëj, çfarë këshille më jep”?

Zoti

– I dashur biri im, të këshilloj që të lidhesh në celular me Diogjenin. Veçse, shiko mirë, se janë ndërruar numrat që nga shek.5 p.e.s. Pasi ta gjesh, kërkoi Diogjenit ‘Qiririn’ e duhur për të gjetur në shekullin e 21-të një ‘NJERI’ për sëmbari…

Rrëfimtari

Çajupi, entuziast dhe i mbushur me ajrin e pastër në majë të malit, ngriti antenën e aparatit dhe formoi në celular numrin e Diogjenit. Por linja ishte shumë e ngarkuar, kishte shumë zhurmë…

Duke pritur, që ajo të lirohej, kaloi në radio. Nga “AFP” dëgjoi në frengjisht lajmin e Qeverisë Franceze, se shkrimtari i madh Ismail Kadare dekorohet “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Mori frymë thellë, u mbush tërë kënaqësi dhe tha me vete:

– Ah, “Darka e gabuar”… Faleminderit Kadare që na nderove shqiptarizmin në botën e qytetëruar!

E hoqi mendjen nga lajmet e tjera.

Por, çastet e kënaqësisë nuk zgjatën shumë. Ato iu tretën shpejt, kur në valët e ndryshme të radios dëgjonte zëra në gjuhë të ndryshme, që bërtisnin: “korrupsion galopant”, “padrejtësi”, “hajdutë”, “mashtrues”, “njerëz të pangopur”, “prostitucion”, “mafiozë”, “narkotrafikantë”.

Zhurmë e madhe…

Dikush bërtet: “Ndërpritet seanca…10 minuta pushim”. Në një stacion tjetër, spikeri me një zë të trashë përmendte shpesh fjalët në gjysëm shqip-turqisht: “Kazanë, kusira, tepsira, legenë të shpuar…”.

Çajupi nuk po orientohej dot me fjalorin e folësve në stacionet e ndryshme dhe, nuk po kuptonte, se, ç’po ndodhte me këto lajme të çuditshme…

Fillimisht, u qetësua, pasi mendoj se, ndoshta, në Teatrin Popullor, miku i tij, regjizori Mevlan Shanaj, me të cilin shkëmbente telegrame herë pas here, u mësonte aktrimin kandidatëve për deputetë të Kuvendit me pjesën teatrale “Klub’ i Selanikut”.

Gjersa, papritur, dëgjoi dhimbshëm në italisht Papa Françeskun që, nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, po thosh: “Bota po helmohet nga Materializmi”.

“Ç’bëhet kështu”, tha me vete Çajupi dhe i mërzitur kaloi në një stacion më tej, kur befas, i erdhi një jehonë nga RTSH: “Në Shqipëri, për letërsinë e vitit, çmimi i parë iu dha librit “Vrima”.

Çajupit i qeshi buza, fërkoi duart me gëzim dhe me nostalgji mërmëriti disa vargje.

Çajupi

– Erdhi dita, që dhe poezia ime e “Kandari” të qëndrojë krenare në Bibliotekën Kombëtare në Atdheun tim të dashur:

“Grua po prishet kandari

S’është më ai i pari

Që qëndronte ditë e natë

Gati si barut i thatë…”.

Rrëfimtari

Ndërkaq, në aparatin e celularit u dëgjua një zë i lodhur në greqishten e vjetër.

Hipokrati

– Më falni, Zotni, por i keni rënë gabim numrit. Nuk jam Diogjeni, jam Hipokrati, babai i Mjekësisë.

Rrëfimtari

Çajupi u befasua dhe ngeli i hutuar. Pastaj, i dha vetes kurajë dhe u prezantua se kush ishte.

Hipokrati
– Jehonën e librave të tua e kam dëgjuar dhe të respektoj, por, nuk më thua, si je me shëndetin?
Çajupi
– Doktor Adhamudhi axhendën e vizitave javore e kishte të zënë, por, në saje të Telemedicinës, u konsultova me Profesorin e kardiologjisë Pandeli Çina, i cili më gëzoi kur më tha se, zemrën e kam të fortë. Por, nga mushkëritë nuk jam mirë, o, babai i Mjekësisë. Herë pas here kam vështirësi në frymëmarrje.
Rrëfimtari
Në çast, Hipokrati i vëmendshëm, hapi Traktatin e Mjekësisë në kapitullin “Njeriu dhe Natyra” dhe u mat t’i rekomandonte diçka për ta lehtësuar, po nuk ishte i sigurt që do të kish sukses, kur mendoi se ç’ajër të helmuar nga smogu thith sot i shkreti njeri…

Pas kësaj u zhyt në mendime të thella… do ta trajtonte si “pacient” apo si “klient”!? Fjalën “klient” dhe “mall” në mjekësinë e sotme moderne ai nuk e kuptonte dot.

Shfletoi ‘Enciklopeditë Mjekësore’, por termat që i duheshin, nuk i gjeti gjëkund. Për të qenë më i sigurt, pyeti pasardhësit e tij Galenin dhe Avicenën. Që të dy apostujt e mjekësisë ngritën supet dhe nuk i dhanë dot përgjigje babait të mjekësisë…

Hipokrati, nën peshën e rëndë të përgjegjësisë morale të Betimit të tij, po vriste mendjen se si të komunikonte me Çajupin. Ktheu kokën pas dhe depërtoi në thellësinë e shekujve. Në pasqyrën e kupës magjike të Asclepios pa globin tokësor. Boshti i Tokës po lëkundej… Paralelet dhe meridianët e globit i dukeshin të çrregullt.

Në qendër të globit qëndronte Zot i Mjekësisë Asclepios hijerëndë, i mbështetur në shkopin e tij shërues. Gjarpëri i përdredhur rreth shkopit lëviste kokën majtas – djathtas dhe nga gjuha nxirrte vazhdimisht helm. Hipokrati, qendroi me përulje të thellë përpara Zotit të Mjekësisë, por diçka ndjeu në shikimin e tij të turbullt…

Iu kujtua ngjarja, kur në vitin 1965, me pelerinën e hedhur mbi supe u paraqit në Shkollën e Lartë Mjekësore të Harvardit, për të konkurruar si kandidat për studimin e Mjekësisë moderne. Nga kureshtja, salla ishte mbushur plot me profesorë të mjekësisë. Hipokrati u foli për shëndetin e njeriut të lidhur ngushtë me Natyrën: Toka, Uji, Ajri e Zjarri dhe në fund u tha: -Mjeku, të paktën, të mos bëj dëm-. Komisioni i profesorëve Hipokratin nuk e pranoi si student dhe as ia njohu përgjigjen. Përgjigja e tij, në kohët e sotme modern, duhej të ishte:

– Pacienti/klienti, së pari duhet pyetur: nëse është i siguruar nga ana shëndetësore apo jo?

Si mjeshtër i observimit Hipokrati i nuhati shpejt ndryshimet e ndodhura në shërbimin mjekësor në epokën e modernizmit, por ai duhej të bindej më mirë.

Ngriti ballin e rëndë nga ishulli Kos. Ktheu kokën nga Shkolla Mjekësore “Asclepios”, ku kishte qenë mësues. Gërmadhat e shkollës mezi dukeshin nga çadrat e shumta të emigrantëve, të mbira si kërpudhat pas shiut.

Hipokratit ju kujtuan vitet e arta, kur nga vendet e Lindjes së Largët e nga Kopshtet e Babilonisë vinin në këtë shkollë studentë të gëzuar për të studiuar në Mjekësi… Në çadra hynin e dilnin burra e gra me fëmijë në krah, djem dhe vajza, që flisnin arabisht. Në duar nuk mbanin libra, por batanie dhe pako me ushqime. Nuk ishin studentë, por emigrantë! Dëgjoheshin britma e klithma: “fëmijë të mbytur në detin Egje…”, “emigrantë të mbytur në detin Mesdhe…”, “Europë”, “Europë”, “Jetë, o jetë, ku je?!…”.

Hipokrati, i trishtuar shfletoi fletët e kalendarit. Shekulli i 21-të! Ngriti kokën drejt qiellit: “O, Zot”! Mbylli sytë për një çast dhe me vendosmëri e hodhi shikimin e tij përtej detrave…

Diku, në horizont, i doli përpara fytyra e Presidentit Obama.

E përshëndeti Presidentin me mirësjellje dhe pasi depërtoi në thellësinë e syve të tij, Hipokrati me kujdesin më shumë atëror se sa mjekësor, nxorri nga xhepi i bluzës së tij të bardhë shaminë sterile dhe i fshiu atij, butësisht, ballin e djersitur, veçanërisht nga “Obama Care”…

Nga sytë e Presidentit rrodhën disa pika loti dhe, ai në heshtje, tha: “Zoti e bekoftë Amerikën”!

Më së fundi, Hipokrati i trishtuar dhe i lodhur nga mendimet e shumta, duke u bazuar tek logjika, i drejtohet Çajupit.

Hipokrati

– Eh mor biri im, u mërzite duke më pritur, por, të kërkoj ndjesë, pasi u gjenda me ngjarje të papritura… Unë mund të të jap recetë vetëm, në rast se ti je i siguruar nga ana shëndetësore. Por, nga që s’kam përvojë për këto gjëra në Parajsë, po të jap numrin e ri të celularit të Diogjenit… ndoshta të ndihmon ai me qiririn e tij për të gjetur një mjek të saktë.

Rrëfimtari

Çajupi e falenderoi dhe e mirëkuptoi Hipokratin për angazhimin e tij njerëzor. U lidh menjëherë dhe pa vështirësi me Diogjenin dhe, ai, me shumë qetësi,  iu përgjigj Çajupit.

Diogjeni

– I dashur biri im. Nuk ta kursej Qiririn tim, por, më vjen keq se është shumë i konsumuar nga shokët e tu ndër shekuj dhe zor, se mund të të ndriçojë për të gjetur dikë, që mund të quhet ‘NJERI’… Ndoshta, pas ca kohe, mund të arrish të komunikosh me banorët e rinj në Planetin “Mars”, të cilët kanë pronontuar banesa dhe  mezi presin të shkojnë e të jetojnë aty…

***

Epilogu               

Rrëfimtari

…Filloi një acar i ftohtë me rreshje dëbore. Komunikimi me Diogjenin u ndërpre.

Çajupi po dridhej nga të ftohtit në majë të malit. Gjithçka përreth iu errësua.

U lodh të ndizte një qiri të zakonshëm, por më kot. Era ia fikte. Mustaqet dhe flokët iu thinjën dhe brenda natës i doli mjekra e bardhë si bora e malit.

Kur zbardhi agimi, nga thellësia e pyllit të dendur me bredha të Hotovës së Frashërit, drejt majës së malit Çajup gjarpëroi dhe u përhap melodia “Kaba” e Laver Bariut.

Afshi i ngrohtë i kabasë e ledhatoi Çajupin, i ngrohu trupin dhe, si nga një goditje elektrike, rifilloi t’i rrahë zemra.

Ajo e bëri të merrte krahë si një zog i lirë, me zemër të plagosur e me shpirt të lënduar dhe të shkëputej përfundimisht nga Toka-Mëmë për të arritur në Parajsë.

Hera-herës, banorët e qiellit shihnin, jo pa kërshëri atje, në Parajsë, një njeri, që ecte me libra nën sqetull dhe me një qiri të fikur në dorë, kokëulur e të ngarkuar me mendime.

Qëllonte që, nga lodhja, ai njeri, që gati-gati e lëshonte veten, të gjente qetësi në vetmi dhe të harronte gjithçka, vetëm kur, thuajse zhytej në tingujt e finales: “Përse?”, “Përse?”, “Përse?” të Simfonisë “Dashuria njerëzore”.

Si sirenë mbërrinin në veshët e tij disa zëra melodiozë fëmijësh, që preknin e vibronin edhe shpirtin e violinës. Në telat e violinës thurreshin melodi…

Nën ndriçimin e qirinjve, ndezur prej korales hyjnore “Aleluja”, Çajupit i shkëlqenin sytë dhe i qeshte fytyra.

Çajupi në Parajsë, në lagjen “Shpirti i kulluar”, u çlodh, gjeti qetësi me vetveten, i mënjanuar dhe i vetëm, por i lirë! Me përulje dhe me ndrojtje, iu drejtua Zotit:

Çajupi

– O, i madhërshmi Zot! Të lutem, të më mirëkuptosh! Ky ishte udhëtimi im i parë dhe i fundit në vendlindjen time të dashur…!

Rrëfimtari
Nga thellësitë e Universit tashmë i vinte jehona e zërit të ëmbël hyjnor, që i rijepte forcë e besim me fjalët gjallëruese.
Zoti
– Ki durim, biri im… ki durim!… 
***
Mjekim alternativ
Recetë gratis
Emri: Andon
Mbiemri: Zako (ÇAJUPI)
Mosha: 150 vjeç
Adresa: Parajsë
Nr.Regj: Extra
Data: 24/01/2025
Rp: Dashuri njerëzore
Mënyra e përdorimit: Të lexohet një herë në muaj pas perëndimit të diellit.
Kohëzgjatja: Gjatë gjithë jetës.
Indikimi: Për udhëtarët e jetës.
Kundërindikimi: Nuk këshillohet të lexohet nga njerëzit Hipersensibël dhe Shpirtbrengosur!
Ndërveprimet me ‘ilaçe’ të tjera: “Komedia hyjnore” e Dantes dhe “Komedia Njerëzore e Balzakut.
Efektet anësore të mundshme: Nostalgji dhe Pesimizëm.
Kujdes: Të përdoret me kujdes nga studentët e Mjekësisë!
Mjeku: Ankogu.
***

C’est la vie! 
Sa e vështirë është të humbasësh në jetë një mik të shtrenjtë…?!
Maksim Cikuli
I dashur Ndreko
E mbarova që dje librin tënd. Urime!
Në të gjeta mjekun, historianin, pacientin, muzikantin, njeriun e preokupuar për të gjetur e nderuar rrenjët e familjes. Suprizë ishte se, gjeta dhe Andrean humorist por, me humor të hidhur (Libri “Simfonia e Jetës”. Shkrimi “Apologjia e Çajupit në Mëmëdhe”).
Po ta përsëris atë që të kam thënë ngahera, që je pesimist i pandreqshëm.
Në se, më lejon një këshillë, po të përsëris vargjet e Pierre Seghers nga poezia “Folja jetoj zgjedhohet vetëm në të tashmen”. Në të thotë:
“Kush jeton me kujtime, jeton një vdekje pa fund. Asnjëherë, gjaku nuk do të lëvrijë më gjallërisht se tani në dejet e tua”.
Ndaj, i dashur Ndreko, jetoje sa të mundësh të tashmen!
Po e mbyll me tekstin e një kënge, që më pëlqen shumë:
“Nous avons toute la vie pour nous amuser, nous avons toute la mort pour nous reposer”.
Ndaj, edhe një herë, i dashur Ndreko, mundohu të largosh çdo hije pesimizmi dhe jetoi çastet e bukura, që na dhuron e përditëshmja.
Edhe një herë urime e të fala Letës e fëmijëve!
Maksim Cikuli, Shtator 2019.
***
Tiranë, 18 Maj 2020
Lajm tepër i hidhur! I pabesueshëm, i papritur…?!
Maksim Cikuli na u nda parakohe nga kjo jetë në moshën 68 vjeçare…!
Ah,… shoku dhe miku tim i i dashur Maksi! Përse na ike kaq shpejt…?
Përse, jeta u tregua e pabesë me ty, kur ty e deshe atë aq shumë në rininë tënde të bukur, si baba i dashur dhe, sëfundi, si gjysh i ëmbël…?!
Pushofsh në parajsë në paqe dhe në mirësi, i dashur Maksi!
Andrea.

***
Isuf Kalo
On 20 Jun 2022 21:27,
<kaloisuf@gmail.com>
Përshëndetje i dashur Andrea,
Unë vazhdoj me problemet e mia shëndetësore këtu (p.s. në Kopenhagen), të cilat më kanë shteruar shumë nga forcat fizike por, edhe, nga ato, shpirtërore.
Për ta përballuar këtë situatë të re, të lidhur edhe me moshën, po përpiqem të jem sa të mundem aktiv. Në këtë kontekst mblodha disa nga shkrimet e mia të mëparshme për shëndetësinë, që m’u dukën më esenciale dhe akute si, edhe disa shkrime të reja. Atë e kam titulluar paraprakisht “Mozaik shkrimesh i një mjeku”, por mbetem i hapur për variante të tjera. Kam shpresën apo iluzionin se, ato do kenë diçka të vlefshm për shëndetësinë dhe publicistikën tonë mjekësore.
Librin po ta dërgoj paraprakisht me dëshirën, që të kem një opinion kritik nga
ty, si më i besueshëm për kompetencë, për shijen tënde artistike dhe gjykimin
e sinqertë dhe të baras peshuar.
Disa nga shkrimet  janë disi pikante dhe jam në dilemë, nëse, do duhen të
botohen siç janë apo, dhe të hiqen fare. Do ta vlerësoja shumë opinionin tënd
për to, pa droje, me sinqeritetin që të karakterizon.
Të përqafoj dhe të falenderoj, paraprakisht!
Isufi
On Tue, Jun 28, 2022 at 11:36 AM
<a_gudha@hotmail.com>
***
I dashur Prof. Isufi,
Mbi të gjitha, do të jem shumë i gëzuar për mirë shëndetin tuaj!
Që në fillim, ju përgëzoj për librin e ri, i cili më tërhoqi shumë, shkruar, si gjithmonë, me stilin tënd të veçant letrar.
Libri ka vlera të veçanta për shëndetësinë shqiptare dhe për çdo mjek në veçanti. Të përgëzoj për idenë e librit! Bëre shumë mirë që vendose të hartosh një mozaik të bukur me lule tërë aromë…!
Mendimet e mia modeste t’i kam punuar me ngjyrë të kuqe në libër, të cilat do të jenë në gjykimin tuaj…

Shëndet, përgëzime dhe suksese!
Përqafime, Andrea. 
***
From: kaloisuf@gmail.com
Sent: Monday, September 26, 2022 6:23 PM
I dashur Andrea,
Post Scriptum: …Këto janë dy ide miku im, por subjekti është shumë më kompleks dhe mua më kanë lënë ose po më lënë fuqitë për ta trajtuar më gjerë…
Unë, për fat të keq, nuk jam në “formë” për të reaguar. Sëmundja ka përparuar dhe, asaj i është bashkëngjitur edhe Parkinsoni… aq, sa  më pengon edhe të shkruaj.
Me sa duket, jeta qenka krejt e pamjaftueshme për të bërë dhe thënë të gjitha ato që do të deshnim të bënim dhe të thonim gjatë saj…
Përqafime, Isufi.
***
19Janar 2023, Kopenhagen-Danimarkë
Lajm i hidhur!
Pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçare në Kopenhagen, mjeku i njohur Isuf Kalo!
Mendja e ndritur e Prof. Isufit pushoi së menduari, të rrahurat e zemrës dhe frymëmarrja u ndaluan, sytë observues u mbyllën, gishtat e duarve u ngurtësuan…
Libri i fundit nuk përfundoi…Endrrat ngelën pa u realizuar…!
Amaneti hyjnor ju plotësua që, të prehej në mëmëdhe, në vendlindjen e tij, në fshatin Luzat-Tepelenë, ku u përcoll me nderime.
U prehsh në paqe, miku im i veçantë, Isuf Kalo!
Andrea
“Raca e njerëzve të mirë është në çdukje kurse, gjithçka, që përfaqëson të keqen ka mbijetuar ndër vite dhe, për fat të keq, është shtuar.
Por, ja, që kështu është ndërtuar dhe funksionon bota.
Ndofta, prandaj, edhe nëntoka mban shumë më tepër qymyr se sa ar”?!…
Isuf Kalo, shtator 2022.