Bariu nga Skrapari në betejën e Torviollit
Viron Kona
Lajmin se Kastrioti mbërriti në atdhe,
e dëgjoi kur ishte me bagëtitë në mal,1)
gjaku iu ndez dhe zemra iu bë prush,
atdheu po i kërkonte luftëtarët n`ballë.
Shiti dhentë dhe bleu një kalë jelegjatë,
shpatë,mburojë, heshtë,hark e shigjetë,
u nis për në Torvioll kalorësi skraparlli,
kalëroi n`kodra,lugina e shteg m`shteg.
Te lugina e ngushtë e Torviollit qëndroi,2)
atje ku do të luftonin arbrit me osmanë,
kishte urrejtje të madhe për pushtuesit,
përbuzte shpirtrat e tyre të zinj, katran.
U radhit kalorës në gardën pretoriane,
së bashku me Skënderbeun kryetrim,
admiroi shtatin,pamjen e tij burrërore,
fjalët e zjarrta, që i ngjallnin frymëzim.
Luftoi skraparlliu sypatrembur n`betejë,
i vendosur të mbronte me jetë këtë tokë,
pësoi goditje, plagë të rënda në përleshje,
por luftën s`e ndali, asnjë hap s`u tërhoq.
Në betejë pa si ndesheshin kryetrimat:
Ajdini, Emanueli dhe Anton Linjërosa,3),
Vrana Konti, Tanushi dhe Pjetër Spani,
Moisiu, Hamza, Balsha, Zaharia Gropa.4)
Luftëtarët dhe Kastrioti,emra t`mëdhenj,
gjer në fund të betejës n`ballë qëndruan,
një radhë me ata dhe kalorësi skraparlli,
luginën e Torviollit me lavdi e mbuluan.
Kur beteja përfundoi e armiku u shkatërrua,
kalorësi mori rrugën e kthimit për n`Skrapar,
e pritën me gaz dhe brohori bashkëfshatarët,
dikush,ironik,i hodhi një gjemb për ta ngarë:
“Ku e ke plaçkën e luftës, o kalorës i shquar,
mundimet e sakrificat të paskan shkuar kot!
Nga lufta qenke kthyer i plagosur,i sakatuar,
se ç` fitove në atë luftë, s` po e kuptojmë dot!”
Bariu e dëgjoi i menduar bashkëfshatarin,
dhe i ktheu përgjigje thjesht e me qetësi:
“S`më tërhoqi plaçka në atë betejë, or mik,
por ndjenjat për atdhe, për flamur dhe liri!
Atje rëndë u plagosa dhe keq u sakatova,
por ngulita në kokë një mësim të çmuar:
“Më mirë t`vdesë në këmbë duke luftuar,
sa t`rroj me turkun n`vatër,i gjunjëzuar!”
————————–
1).Në Skrapar edhe sot tregohet për një fshatar, i cili kur dëgjoi për betejën që Skënderbeu do të zhvillonte në Torvioll, pa i thënë askush, shkoi dhe mori pjesë në betejën e Torviollit në krah të Skënderbeut….
2).Beteja e Torviollit, e njohur edhe si beteja e Dibrës së Poshtme, u zhvillua më 29 qershor 1444.
3).Vrana Konti, Ajdin Muzaka, Tanush Topia, Moisi Golemi, Gjergj Stres Balsha, Hamza Kastrioti, Muzaka i Angjelinës, Zaharia Gropa, Pjetër Emanueli, Gjin Muzaka, Marin Spani, Anton Linjërosa…Emra prijësish dhe komandantësh të ushtrisë së Skënderbeut, që morën pjesë në betejën e Torviollit.
-Ajdin Muzaku (Muzaka), ishte njëri nga kryetrimat e Skënderbeut dhe ndër kapitenët kryesorë të betejës së Torviollit. Mori disa plagë në atë betejë dhe vdiq, një ose disa muaj më pas. Konsiderohet heroi i betejës së Torviollit. Mendohet se është nga Skrapari.
–Anton Linjërosa, komandanti i shquar i Labëve dhe i Himarjotëve, i cili ra dëshmorë në betejën e Torviollit..
4).Moisi Aranit Golem Komneni, princ i Dibrës, pas betejës së Beratit 1455, tradhtoi. U kthye me një ushtri osmane kundër Skënderbeut, por humbi. Më pas kërkon falje. Vazhdoi luftërat përkrah Skënderbeut. U kap i gjallë nga turqit më 1464 bashkë me disa nga oficerët kryesorë të tij. U dërguan në Turqi dhe u torturuan deri në vdekje, në atë që quhet “Masakra e Kostandinopojës”.
-.Hamza Kastrioti, nipi dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Skënderbeut, kur e humbi shpresën për t`i zënë vendin ungjit, kur këtij i lindi djali trashëgimtar, kaloi në anën e Sulltanit. Në vitin 1457 ai udhëhoqi trupat osmane kundër Skënderbeut. U zu rob prej tij, u burgos dhe më pas u lirua.