Albspirit

Media/News/Publishing

17 korrik 2018, ora 11, Librazhdi do përkujtojë poetët martirë, Blloshmi dhe Leka

Më datën 17 korrik 2018, në 41 vjetorin e pushkatimit nga diktatura komuniste të poetëve martirë, Genc Leka (23 mars 1941 – 17 korrik), 1977) dhe Vilson Blloshmi (1948-1977),  ISKK, shoqata “Gruaja ndryshe” dhe Bashkia e Librazhdit, promovojnë në orën 11.00, në sallën e Pallatit të Kulturës së qytetit monografinë “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”, të autorit Bedri Blloshmi. Libri është konceptuar si një kronikë e bazuar në dokumenta historike, arkivore dhe dëshmi të shumëllojshme për historikun e kësaj Dere të Madhe Atdhetare. Në këtë takim janë të pranishëm studiues, poetë, historianë, gazetarë, ish-të përndjekur, studentë e familjarë.

 

Fotografia e Vilson Blloshmi Dhe Genc Leka

 

Çerçiz Loloçi: Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist

 

“Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist” është libri më i fundit monografik i autorit Bedri Blloshmi, që rreket të rrëfejë hisorinë e kësaj familje të madhe qysh nga kohët më të hershme e deri në ditët tona.

Ky libër është konceptuar në disa kapituj, mes të cilave “Ago Agaj, prejardhja e familjes Blloshmi”, “Të zhveshësh legjendën, Visar Zhiti”, “Milloshi në betejën e Fushë-Kosovës 1389”, “Hysen Blloshmi”, “Hajdar Blloshmi”, “Selahudin dhe Sara Blloshmi”, “Haki Hajdar Blloshmi”, “Shefqet Hajdar Blloshmi”, “Xhevdet Hajdar Blloshmi”, “Shahin Bajram Blloshmi”, “Selman Hasan Blloshmi”, “Azis Selman Blloshmi”, “Hasan Selman Blloshmi”, “Sami Selman Blloshmi”, autori i këtij libri dhe “Vilson Sami Blloshmi”.

Libri ka gjithashtu edhe kapitullin përmbyllës “Aty ku hyn tragjedia mbetet përgjithmonë llahtari”, që është një apel për autoritetet shtetërore për ta rikthyer kullën e këtij fisi të madh ashtu siç i takon, në një shtëpi muze.

Kapitulli i parë çelet me një studim të gjatë të Ago Agajt që evokon betejën në Fushë-Kosovë dhe që sipas studiuesve pohon se Milosh Kopiliqi, heroi i vrasjes së Sulltan Muratit I ishte me prejardhje nga familja Blloshmi. I të njëjtit mendim është edhe një personalitet tjetër shqiptar, Hasan Dosti që, duke cituar historianë dhe kronistë të asaj periudhe, sjell të dhëna më të besueshme rreth prejardhjes luftëtarit antiturk.

Kapitulli i dytë, si vijim i të parit, është një artikull i shkrimtarit antikomunist, ish i burgosuri politik Visar Zhiti ku argumentohet se Milloshi ka përkatësi shqiptarje dhe pasardhësit e tij janë Blloshmajt e Bërzeshtës në Librazhd.

Dokument me rëndësi dhe që përbën kapitullin e tretë është “Shqiptari Millosh Kopili dhe letërkëmbimi i panjohur i tij me Sulltan Muratin I” ku hidhet dritë rreth përplasjes luftarake mes popujve të Ballkanit dhe forcave të perandorisë otomane. Beteja pati fund të trishtë për kryengritësit, por ndërkaq vrau një nga sulltanët më mizorë të perandorisë, Sulltan Muratin I.

Si një nënkapitull më vete vjen më pas historiku i fshatit Bërzeshtë, përmendja për herë të parë e këtij emërtimi në shek.15, si thirrej nga venecianët dhe personalitetet më të shquara në epoka të ndryshme të historisë.

Pasi përmbyllet ky sfond historik, autori shpalos pemën gjenalogjike të Blloshmëve duke e filluar atë me Hysen Blloshmin. Në këtë kapitull flitet më gjerësisht për konfliktin mes dy familjeve të mëdha, Blloshmi dhe Lekaj, që kohë më vonë do ta shuanin këtë armiqësi nëpërmjet krushqisë.

Personazh tjetër interesant në libër është Hajdar Hysen Blloshmi, lindur më 24 mars 1844 dhe që kishte gjashtë fëmijë. Mësimet e para i mori në shkollën e Ohrit, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Stamboll. Si student i shkëlqyer zotëronte frëngjisht, turqisht, persisht dhe greqisht. Ka punuar sekretar në Ministrinë e Drejtësisë, profesor i frëngjishtes dhe përkthyes në pallatin e Sulltanit. Në 1909 ishte profesor i gjuhës turke në Normalen e Elbasanit, ku bashkëpunoi me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Gashin, Hasan Mazen e mësues të tjerë të shquar të kohës. Bënte pjesë në klubin “Bashkimi” të Manastirit, ndërsa në 1912 ishte mësues i frëngjishtes në shkollën e Durrësit ku bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin, Stef Kaçulinin dhe Jahja Ballhysën u përfshi në kryengritjen kundër pushtuesve osmanë. Në nëntor 1912 u zgjodh përfaqësuesi i nënprefekturës së Pogradecit dhe në qershor 1913 organizon në Vlorë një miting i madh proteste në mbrojtje të tokave shqiptare në Çamëri.

Veprimtaria e Hajdar Blloshmit ilustrohet me material arkivore, shkrime të vetë atij si dhe mjaft artikuj të shkruar nga intelektualë të spikatur rreth figurës së tij. Autori nuk lë pa përmendur heshtjen ndaj kësaj figure të madhe patriotike si në përvjetorin e Normales së Elbasanit apo në enciklopedinë e këtij qyteti.

Selahudin Hajdar Blloshmi përbën kapitullin vijues të librit dhe një nga personazhe më intereante. Ai pati një jetë intensive, megjithëse u nda nga jeta fare i ri, në moshën 36-vjeçare. Shkollën fillore dhe të mesme ushtarake i kreu në Stamboll në 1911.

Selahudini ishte martuar me mbesën e Ismail Qemalit (vajza e vajzës) Sara. Ka shërbyer si oficer në luftërat ballkanike në repartet turke kundër sllavëve dhe grekëve. Në 1915 boton librin “Zani i Fronit, Mbretit të Shqiptarëve”. Ka shërbyer si oficer në Vlorë, ndërsa në Korçë shërben në repartet austriake dhe ato franceze. Drejtues kryesor i ushtrisë shqiptare, delegat i Pogradecit në kongresin e Lushnjës, deputet i prefekturës në Elbasan, në 14 gusht 1926 dekorohet nga presidenti francez me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”, dekretohet ministër fuqiplotë në Bukuresht, në 1928 është komandant i “Entit Kombëtar të Djelmërisë Shqiptare”. Dekorohet “Oficer i Madh i Kurorës së Italisë”.

Për shkak të materialeve arkivore, shkrimeve të shumta, vlerësimeve nga figurat më të rëndësishme të kohës, vendase dhe të huaja, Selaudin Blloshmi zë edhe vendin më të madh në këtë libër monografik.

Sara Blloshmi, bashkëshortja e Selahudinit, zë pak vend në këtë libër, megjithatë edhe ajo shquhet për një aktivitet të spikatur. Lindur në Stamboll në 1904, ajo ishte fëmija e tretë e kolonelit Vehab bej Serdar, djalë i gjeneralit të famshëm Abdyl Kerim Pasha dhe i Mevedet H. Vlorës, vajzës së madhe të Ismail Qemalit. Pas shpalljes së Pavarsisë, Sara u vendos bashkë me familjen në Francë e më pas në Shqipëri. Sara ka qenë një grua shumë e bukur dhe mjaft inteligjente. Me interes për këtë figurë janë dokumentacionet e mbledhura për të, artikujt e saj mbi civilizimin e femrave që janë aktuale edhe në ditët e sotme dhe rrethi i gjerë i njohjeve mes diplomatëve dhe politikanë të shquar të asaj kohe.

Portret tjetër interesant shpalos Haki Hajdar Blloshmi. Lindur më 1904, ishte djali i dytë i Hajdarit. Pas studimeve në liceun e Korçës, në 1918 emigron në SHBA ku vazhdoi një vit liceun anglez të Bostonit dhe dy vite gjimazin Lane të Chicagos. Në prill 1922 punësohet si sekretar i konsullatës shqiptare të Nju Yorkut ku titullar ishte Konstadin Çekrezi. Më pas më 1923 me Abdyl Sulën, duke vijuar me Konstandin Tashkon në vitet 1923-1925 mbas pushimit nga puna të Konstandin Tashkos në shkurt të vitit 1925 e deri në caktimin e konsullit të ri George Priftit në konsullatën e re në Boston. Mbas vdekjes së vëllait papritur kthehet në atdhe dhe punon si kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me krijimin e partisë së Ballit Kombëtar Hakiu bëhet udhëheqësi i Librazhdit dhe Quksit. Së bashku më Nezir Muzhaqi ai merr pjesë në mbledhjen e Mukjes dhe Tapizës. Në mars të vitit 1944 zhvillohen luftime midis reparteve partizane dhe çetave balliste. Kështu më 7 mars 1944 në fshatin Dunicë të rrethit të Pogradecit, në luftimin e ashpër midis batalionit të IV të brigadës së I S, kapen disa luftëtarë të Hakiut. Më pas i bëjnë thirrje atij të dorëzohet për të falur forcat që kishte. Premtimi qe tipik komunist dhe nuk u mbajt. Mbas kapjes u pushkatuan 23 vetë ku 5 ishin të familjes Blloshmi.

Shefqet Hajdar Blloshmi e ka përjetësuar qëndresën e tij në radhët e Ballit Kombëtar duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë, përkrah vëllait më të madh, Hakiut. Si një nënkapitull më vete me “Kronikën e masakrës në fshatin Dunicë të rrethit Pogradec nga terroristët komunistë” autori rizbulon të vërtetën e kësaj masakre ku u vranë tragjikisht dhe në pabesi dhjetra luftëtarë të çetës nacionaliste.

Në kujtesën e bashkëfshatarëve të Librazhdit Xhevdet Hajdar Blloshmi mbahet mend për përgjigjen që u dha forcave partizane duke marrë hak për të vrarët mizorisht në masakrën e Dunicës më 7 mars 1944. Ai u arratis në SHBA duke lënë në Shqipëri tre fëmijtë e tij Selahudinin, Hysenin dhe Minervën, që u u internuan dhe u persekutuan për më shumë se katër dekada dhe që me të cilët u takua pas viteve nëntëdhjetë.

Shahin Bajram Blloshmi, megjithëse i shkolluar në Athinë e Torino dhe ka punuar si ushtarak i lartë në Tiranë, Shkodër, Elbasan, më pas është ekzekutuar nga forcat komuniste dhe ende nuk i gjenden eshtrat e tij. Të dhënat për ta janë shumë të pakta, madje edhe një dosje që ruhet në arkiv i përket vitit 1943.

Selman Hasan Blloshmi vjen në faqet e këtij libri si një atdhetar dhe patriot i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare; atë e gjejmë në shoqërinë shqiptare të Stambollit që përgatisnin libra shqip, në Kongresin e Manastirit dhe në përpjekjet për ringritjen e shqiptarëve kundër pushtuesve të ndryshëm.

Azis Selman Blloshmi ishte djali nga martesa e parë e Selman Blloshmit. I shkolluar në Manastir dhe Grac të Austrisë ai pati edhe dy fëmijë, Dragushin dhe Lumen. Më parë instruktor dhe më pas me gradën major ai shërbeu si ushtarak i lartë në Kukës, Burrel, Durrës e Tiranë dhe më 26 tetor 1944 thirret nga forcat partizane dhe zhduket pa gjyq dhe la lënë gjurmë.

Hasan Blloshmi ishte fëmija e parë nga martesa e dytë e Selmsnit me Xheren, motrën e Bardho Lekës. Në 1952 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, u dënua me 20 vjet burg për strehim diversantësh dhe u lirur në korrik 1965. Po në korrik 1977 u internua bashkë me vëllezërit e tij për shkak të burgosjes së dy nipërve të tij, Vilsoni dhe Bedriu u burgosën për “agjitacion-propagandë e sabotim”, ku i pari u pushkatua më 17 korrik 1977, ndërsa i dyti u dënua me 25 vjet heqje lirie.

Sami Blloshmi është fëmija e dytë nga martesa e dytë e Selmanit. Në mars 1963 u dënua me 7 vjet burg për agjitacion dhe propagandë, ndërsa në korrik 1977 u interrnua familjarisht me 29 vetë për shkak të burgosjes së dy djemve të tij.

Autori i librit, Bedri Blloshmi, djali i Sami Blloshmit dhe vëllai i Vilson Bloshmit, ka përvjetuar një kalvar të gjatë vuajtjesh, është dënuar me 25 vjet burg për “agjitacion-propagandë e sabotim” e megjithatë asgjë nuk e ka përkulur. Me vullnet të jashtazakonshëm nuk ka pranuar asgjë nga akuzat e ngritura, por pas daljes në lirim i është përkushtuar evidentimit të familjes e fisit të tij si një shtyllë e fortë e qëndresës shqiptare.

Poeti i papërsëritshëm Vlson Blloshmi pas viteve nëntëdhjetë u shndërrua në një emblemë të letërsisë elitare, që nuk pati fatin të dilte në dritë në vitet e diktaturës, por që tashmë vlerësohet dhe nderohet nga personalitete të shquara, mes të cilëve edhe shkrimtari me famë botërore Ismail Kadare. Ai u pushkatua në mesnatën e 17 korrikut 1977, duke përbërë një nga shembujt e paktë të hakmarrjes komuniste në shkallë planetare.

Please follow and like us: