Komunistët në Koplik: Po djegim shtëpi e pushkatojmë ata që nuk dorëzojnë armët
Raporti i 7 shkurtit 1945/ Janë djegur shtëpitë e Mark Sokolit e të Kol Tom Stakas, nga Kopliku, për arësye se ndodhen në arati me Llesh Marashin…Është pushkatuarë Tom Marku, vjeç 27, sepse kishte 9 armë e tregoi vetëm një…
Në krahinat e Koplikut e të Vaut të Dejës, operacioni i komunistëve kishte nisur terrorin që në ditët e para të shkurtit 1945. Raporti i 7 shkurtit 1945, i shtabit të Divizionit të IV-të Sulmues, njofton se ishin mbledhur 330 armë të ndryshme në popull, dhe ishin arrestuar dhe dërguar Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit 22 persona të cilëve ju bëhet edhe përshkrimi i arsyeve pse janë arrstuar: nga partizanë të dezertuar, dertorë në dorëzimin e armëve, të dyshimtë, etj…Djegjet e shtëpive të tyre dhe të atyre që ishin arratisur ishin nëj veprim i zakonshëm tashmë për komunistët gjatë këtij operacioni, por edhe pushkatimet para gjithë popullit si masë frikësimi, për arsye “pse nuk i ka dorëzuar të gjithë armët që mbante fshehur..”
I tillë ishte rasti i Tom Markut, vjeç 27, nga katundi Sheldije, “për arësye se duke patur nëndë armë tregoi vetëm një. Pushkatimi i tij është bërë me konferencë përpara popullit të katundit. Ky person bënte nga ana tjetër propagandë për mos dorëzimin e armëve”. Më poshtë e sjellim të plotë këtë raport dërguar Komandës së operacionit (drejtuar nga Mehmet Shehu).
U.N.ÇL.SHQ.
VDEKJE FASHIZMIT – LIRI POPULLIT
SHTABI I DIVIZIONIT TË IV-të SULM.
Shkodër, me 7-II-1945.
Nr. 7/7 Rezervat
KOMANDËS SË OPERACIONIT
K Ë T U
Nga raportimet që kemi prej forcave të Divizionit t’onë që operojnë në rrethet e koplikut e të Vag-Dejës rezullton se deri sot populli i këtyre krahinave ka dorëzuarë 330 arma të ndryshme, (armë lufte, revolvera dhe armë gjahu). Janë arrestuarë deri sot dhe i janë dërguarë Mbrojtjes së Popullit këta persona:
1) Ali Jonuzi, nga rrethe të Leshit, partizan i Brigadës XXII.
2) Duli Ahmeti “ “ “ “ “
3) Bajram Rustemi “ “ “ “ “
(Që të tre kishin dezertuarë nga Brigada)
4) Ymer Isufi nga Kopliku i sipërmë.
5) Selim Ymer Isufi “ “ (i biri)
6) Tom Gjoka nga katundi Sheldije (i vëllai i Shul Gjokës përgjegjësit të Këshgillit të katundi Sheldije që u aratis natën e operimit nga forcat t’ona).
7) Ndon Ndreca, nga katundi Sheldije, i dyshimtë.
8) Arif Selmani, nga katundi Vukatan, përgjegjës i Këshillit, (jataku i Jup Kazazit).
9) Xhelil Halili, nga katundi Vukatan, (i lidhur me kryetarin e Këshillit).
10) Selman Zejneli, nga katundi Vukatan (i lidhur me kryetarin e Këshillit).
11) Reshit Jahja, nga katundi Vukatan (sabotator i dorëzimit të armëve).
12) Mehmet Murati, nga katundi Vukatan (Sabotator i dorëzimit të armëve).
13) Met Noti, nga katundi Vukatan (sabotator i dorëzimit të armëve).
14) Ndrec Neli, nga katundi Vukatan (ju zunë dy pushkë të tepërta).
15) Dan Selimi, nga katundi Vukatan, (i dyshimtë se mbante të fshehur një gjerman).
16) Musa Dani, nga katundi Vukatan (i dyshimtë se mbante të fshehur një gjerman).
17) Ndrek Loka, nga katundi Juban (Kryetar’i Këshillit Komunal, në shtëpinë e të cilit është gjetur një mitraloz engles si dhe një pushkë. Bënte prapagandë dhe porosiste popullin mos me shkue partizanë).
18) Sadik Ramadani, nga katundi Vukatan,
19) Abdul Ramadani “ “ “
20) Oso Ramadani “ “ “
21) Musa Ramadani “ “ “
(të katër vëllezër dhe strehues të Jup Kazazit).
22) Halil Uk Dema, nga katundi Micaj i Pukës (është kapur në Vukatan që vinte nga Gjakova pa dokumenta).
Janë djegur shtëpitë e Mark Sokolit e të Kol Tom Stakas, nga Kopliku, për arësye se ndodhen në arati me Llesh Marashin. Është djegur gjith’ashtu shtëpija e Shuk Gjokës, nga katundi Sheldije, për arësye se ndodhet n’arati së bashku me vëllan e tij.
Është pushkatuarë Tom Marku, vjeç 27, nga katundi Sheldije, për arësye se duke patur nëndë armë tregoi vetëm një. Pushkatimi i tij është bërë me konferencë përpara popullit të katundit. Ky person bënte nga ana tjetër propagandë për mos dorëzimin e armëve.
Nga forcat e tjera që operojnë në rrethet e Bushatit do të njoftojmë ma vonë mbi veprimet e tyre.
Forcat që vepronin në Vaun e dejës u këthyen në gazerma. Gjith’ashtu u këthyen sotë dy kompanitë që shkuan deri në Milot për kapjen e Preng Previzit, të cilat na njoftojnë se informata s’ka qenë e sigurtë.
Llesh Marashi, për të cilin u fol para disa ditë se do të kalonte Drinin, forcat t’ona që vepruan nga ai sektor, na informojnë se Lleshi bashkë me shokët e tij e ka kaluarë lumin në katundin Kuç.
Në Koplik dhe në rrethet e tij është dhënë afat për dorëziomin e partizanëve të dezertuarë dhe t’aratisurve të tjerë politik. Në mbarim t’afatit atyre që s’kanë m’u këthye do t’ju digjen shtëpitë, do tju sekuestrohet pasurija, dhe do t’ju internohen kryetarët e familjeve.
KOMANDANT’ I DIVIZIONIT TË IV-të
Nën-Kolonel
(Asaf Tahiraj)
(firma, vula)