Telegrame Ramiz Alisë nga organizatat komuniste në shkurt 1991, “riktheni në shesh statujën e Enver Hoxhës”
Shkurt 1991/ Në adresë të Ramiz Alisë mbërrinin qindra telegrame nga organizatat komuniste, ku i kërkonin të riktheheshin simbolet e diktatorit, madje ta shpallnin “Hero kombëtar” dhe të çoheshin në gjyq ata që kishin udhëhequr protestat për shembjen e diktaturës…
Ngjarjet e 20 shkurtit 1991 në kryeqytet që kulmuan me rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, patën jehonë e reagime në gjithë Shqipërinë. Ndërsa në Tiranë, Shkodwr, Dorrws, kavajw, Elbasan e në një varg qytetesh të tjera vijonin mitingjet për të përmbysur diktaturën, regjimi kishte ingranuar të gjithë levat e pushtetit në gjithë Shqipërinë dhe kishte organizuar kundramitingje. Ato kishin nisur që gjatë ditëve të grevës së urisë së studentëve që kërkonin heqjen e emrit të diktatorit nga Universitetit, dhe kulmuan sidomos pas datës 20 shkurt, pas rrëzimit të shtatores në shesh. Gjatë gjithë ditëve të shkurtit në adresë të Ramiz Alisë mbërrinin qindra telegrame , që ata i cilësonin “nga populli”, ku i kërkonin të rikthenin simbolet e diktatorit, madje ta shpallnin “Hero kombëtar” dhe të çoheshin në gjyq ata që kishin udhëhequr protestat për shembjen e diktaturës. Nga këto telegrame kemi shkëputur 4 prej tyre dhe i sjellim sipas origjinalit që ruhet në AQSH.
Telegram
Shokut Ramiz Alia
Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
Ne pionerët e Enverit dhe të rinjtë e shkollës së mesme “Naim Frashëri” të Përmetit shprehim indinjatën tonë të thellë për aktet terroriste të kryera nga forcat destruktive në Tiranë e gjetkë. Rrëzimi i përmendores së Enver Hoxhës është fyerje më e rëndë që i bëhet kombit tonë dhe goditje e fortë për demokracinë e vërtetë që duam të vendosim.
Në këto ditë zije kombëtare, solidarizohemi plotësisht me kërkesat e popullit të rrethit tonë e krahinave të vendit për rivendosjen e simboleve të Enver Hoxhës. Gjithashtu, kërkojmë me forcë zbulimin dhe nxjerrjen para gjyqit të popullit organizatorëve të këtyre skenarëve të rrezikshëm për popullin e Atdheun tonë. Si bij të popullit të Dangëllisë të frymëzuar me idealet patriotike e demokratike të Abdylit, Naimit e Samiut shprehim vendosmërinë tonë për të mbrojtur qoftë dhe me gjak interest tona kombëtare, pushtetin popullor dhe figurën e ndritur të Enver Hoxhës.
Pionerët e Enverit dhe të rinjtë e shkollës së mesme Naim Frashëri”
Frashër, Përmet.
26.2.1991
***
Telegram
Shokut Ramiz Alia
Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
Ne punonjësit e fshatit në Vuçisht, të mblehdur sot me 25.2.1991, në mbështetje të nismës së Skraparit për cënimin e figurës së shokut Enver Hoxha dhe jemi për rivendosjen në vend të Monumentit dhe të shpallet Hero Kombëtar.
Kryesia e frontit
Nevicishtë
26.2.1991.
***
Shokut Ramiz Alia
Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor
Ne mësues, nxënës të shkollës së mesme profesionale 26 shkurti Burrel, sot me 26 shkurt jemi mbledhur para sheshit të shtëpisë së kulturës Burrel. Aty 19 vjet më parë shoku Enver Hoxha në plenumin e Komitetit Partisë së rrethit Mat, mbajti fjalimin programatik Socializimin e ndërtojnë masat, partia i bën ato të ndërgjegjshëm. Takon këtu e i dëgjojmë me krenari bisedat e veteranëve që vetë kanë jetuar këtë moment historik dhe që patën rastin e paharruar të takohen me shokun Enver. Ne krenohemi me figurën e ndritur të komandantit legjendar e themeluesit të Partisë e të shtetit të ri shqiptar e këtë gjë e shprehën edhe tri ditë më parë në mitingun e madh në qytetin e Burrelit. Në këtë rast dënojmë edhe njëherë ato forca të errëta që me veprën kriminale të tyre rrëzuan përmendoren e shokut Enver dhe këtë gjë e shprehën të gjithë mitingjet që janë bërë në tërë vendin. Një bust mund ta shembin por kujtimin dhe veprën e shokut Enver nuk mund ta heqin nga zemrat tona rinore e të gjithë popullit. Mbështesim këshillin presidencial si dhe qeverinë dhe ju në krye shoku Ramiz. Kemi besim të plotë për stabilizimin e gjendjes në vend dhe futjen e tij në rrugën e demokratizimit të plotë. Shprehim gadishmërinë tonë në çdo moment që të na thërrasë atdheu.
Nga nxënës, mësues të shkollës profesionale 26 shkurtit mbledhur përpara shtëpisë kulturës Burrel me rastin e 26 shkurtit ditës së ardhjes së shokut Enver në rrethin tonë.
Drejtori i Shkollës Xhelil Pasha
***
Telegram
Këshillit presidencial
Tiranë
Në banorët e 15 fshatrave të zonës së thellë të Fanit të rrethit të Mirditës jemi mbledhur sot për të shprehur solidarizimin tonë në mbështetje të mitingjeve dhe të protestave të mbarë kombit tonë, në mbrojtje të figurës së ndritur të Enver Hoxhës. Ne që po ju shkruajmë ju sigurojmë se jemi zbatues të flaktë të proceseve demokratike që përjetojmë, por jemi kundër çdo përpjekjeje që bëjnë forcat destruktive e reaksionare për të mohuar punën dhe luftën e popullit tonë. Kundër veprimeve të shëmtuara dhe krimit të rëndë të kryer ndaj figurës dhe veprs monumentale të Enver Hoxhës, shokë të presidencës kërkojmë:
1.Përmendorja e Enver Hoxhës të vendoset në vendin ku ka qenë.
2.Të zbulohen e të jepen gjyqit të popullit vandalët. Ky gjyq të jepet nëpërmjet televizionit.
3.Drejtori i radios së jashtme dhe grupi i xhirimit të turpshëm të 20 shkurtit 1991 të largohen menjëherë nga ky institucion e të përgjigjen para gjyqit.
4.Çdo parti politike që është implikuar ose implikohet në veprime të tilla aventureske të nxirret para ligjit.
- Enver Hoxha të shpallet Hero Kombëtar.
- Në qoftëse nuk plotësohen kërkesat e popullit të zonës sonë, ne detyrohemi të vetveprojmë.
Nga mitingu popullor i 15 fshatrave të zonës së Fanit, Mirditë.
27.2.1991