Promovohet në Librazhd libri “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”
Më datën 17 korrik 2018, në 41 vjetorin e pushkatimit nga diktatura komuniste të poetëve martirë, Genc Leka (23 mars 1941 – 17 korrik), 1977) dhe Vilson Blloshmi (1948-1977), Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKPK), shoqata “Gruaja ndryshe” dhe Bashkia e Librazhdit promovuan në sallën e Pallatit të Kulturës së qytetit monografinë “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”, të autorit Bedri Blloshmi. Libri është konceptuar si një kronikë e bazuar në dokumenta historike, arkivore dhe dëshmi të shumëllojshme për historikun e kësaj dere të madhe atdhetare. Në këtë takim ishin të pranishëm studiues, poetë, historianë, gazetarë, ish-të përndjekur, studentë e familjarë.
Pas fjalës përshëndetëse nga Bardha Alimeta (kryetare e shoqates “Gruaja ndryshe”), kreu i ISKPK, shkrimtari Agron Tufa bëri një pasqyrë të veprimtarisë së këtij institucioni dhe i fali bibliotekës së qytetit një kolanë të tërë të botimeve që dokumentojnë krimin komunist gjatë regjimit diktatorial.
Shkrimtari Çerçiz Loloçi, autori i parathënies së librit të Bedri Blloshmit tha se ky botim po aq sa hedh dritë mbi disa gjenerata të këtij fisi athdhetar në epokat më të rëndësishme të kombit dhe shtetit shqiptar, po ashtu pasuron bibliotekat me dokumenta që publikohen për herë të parë.
Profesori dhe poeti Sadik Bejko duke përkujtuar vrasjen makabre të dy poetëve martirë, Blloshmi dhe Leka tha se “Saga e Blloshmëve” është një vështrim realist i historisë, sidomos i periudhës diktatoriale.
Kryetari i bashkisë Kastriot Gurra duke vlerësuar punën e ISKPK, personalisht të shkrimtarit Agron Tufa, të autorit të librit Bedri Blloshmi, të poetit dhe profesorit Sadik Bejko, të skulptorit të monumentit te poeteve Sadik Spahia tha se dy poetët martirë janë tashmë një pikë referimi jo vetëm për Librazhdin, por edhe për mbarë vendin. Ai tha se së bashku me bashkinë e Kukësit do të mbështeste projektin për një botim special për dy poetët e Librazhdit dhe për poetin Havzi Nela, të ndarë edhe ai tragjikisht nga jeta.
Kompozitori Gazmend Mullahi solli për të pranishmit emocionet e gjyqit farsë për dy poetët, 41 vjet më parë, ku krimi shtetëror ndëshkoi me pushkatim dy artistë që luftuan dhe krijuan për fjalën e lirë.
Shkrimtari Rexhep Shahu tha se i ishte bashkuar kësaj veprimtarie së bashku me poetin Izet Duraku pasi në 30 vjetorin e varjes së poetit Havzi Nela, më 10 gusht 1988, po përgatisim numrin special, 14 të revistës ‘Illz’, revistë letrare e Tiranës kushtuar shkrimtarëve martirë. Në ballinën e parë do të jetë poeti i varur Havzi Nela, në ballinën e dytë do të jenë poetët e pushkatuar Vilson Blloshmi e Genc Leka, pra do të jenë mbi 100 shkrimtarë martirë, nga gjithë bota, të varur, të pushkatuar ose të vdekur burgjeve.
Petrika Leka, djali i poetit të pushkatuar Genc Leka, falenderoi të pranishmit dhe autorin e librit dhe apeloi që të punohej jo si në diktaturë për përçarje, por për bashkim.
Autori i librit dhe ish i përndjekuri politik Bedri Blloshmi tha se e kishte parë këtë libër jo thjesht si një detyrim për të dhënë portretin e disa gjeneratave të Blloshmëve, por edhe si një ndihmesë për të ndriçuar figura të rëndësishme kombëtare që kanë dhënë shumë për atdheun dhe që janë fshehur nga diktatura.
Në emër të Misionit Diplomatik për Paqe e Prosperitet përshëndeti dr. Sulejman Abazi, i cili u akordoi familjarëve të poetëve Blloshmi dhe Leka medaljen e lartë të këtij misioni me qendër në SHBA.