Visar Zhiti: Të zhveshësh legjendën
(Shënime për librin “Milloshi, Heroi i Kosovës” me autor Ago Agaj nga diaspora”)
Serbët na kanë vjedhur jo vetëm territore, por edhe histori dhe heronj të saj. Ballkani më poetiku në botë krijues perëndish dhe gjysëmperëndish që s’e kishin të vështirë fare të ndërhynin në fatin njerëzor që ndërkohë u dha atyre pavdeksinë me beteja gati të parreshtuara duke shkurtuar jetët e veta. Ballkani gadishull ky që siç ka ¾ e tij të rrethuara me ujë, ¾ e historisë i ka legjendë, bujaria e pasardhësve të pellazgëve dhe mençuria antike e grekërve pranuan bujtjen e madhe të sllavëve ne shekujt VII e më pas. Kompleksi i joautoktonit, të shpërngulur këtu nga stepat pas Uraleve me cilësinë aspak fatlume të skllavit u dha atyre një zili agresive ndaj zotërve të gadishullit, një inat ndaj shqiptarit fqinj duke shtyrë e shtyrë kështu kufirin e tyre sa më afër detit. Popujt e Ballkanit, ndërkohë i huazonin njëri-tjetrit legjenda të tëra, eksperiencë dhe fjalë në rast reziku të përbashkët bashkoheshin edhe më. Pastaj ndërsa vendasit të lashtë i mjaftonte kjo siguri dhe dinjiteti natyral, ardhacaku i lind nevoja të prehte dinakërinë, të rrëmbente jo vetëm territor, por edhe histori. Ndërsa vendasi prej-historik, i goditur forconte kujtesën kolektive, ardhacaku mundohej të rregullojë dekumentacionin, arkivat duke ia dëmtuar tjetrit sa më shumë. Herë herë duke vërshuar harresë siç kapen fshehurazi pendët e një lumi përmbytës e herë herë duke vjedhur heronjt si statujat e një muzeu. Dhe pastaj vetë pushtuesi, për paradoks të bëhej mbrojtje nga dhuna e sllavizmit të gjithçkaje, të gurëve dhe emrave. Ky shqetësim u ngrit që me betejën e parë të përbashkët të ballkanasve. I cilit popull është Milloshi, ai që në betejën fatrëndë të Kosovës më 1389 vrau me dorën e tij Sulltan Muratin e I dhe humbi jetën duke fituar një pavdekësi enigmatike. Shqetësim për të është shqetësim për të vërtetën dhe kur dëmton të vërtetën e tjetrit, ke dëmtuar edhe tënden. Nuk ka si të mos biesh në mendime kur mbaron së lexuari librin e ardhur nga Amerika të patriotit Ago Agaj, faqen e fundit të të cilit të lënë posaçërisht të bardhë për shënime, ke dëshirë t’i mbushësh. Autori mjeshtërisht e zotëron materialin dhe na i shpalos bukur, bindshëm në mënyrë tërheqëse nga e paqarta tek më e qarta. Të duket sikur po udhëton përmes mjergullave të largëta të kohës të buzë humnerave të ngjarjeve. Ngjarja është në retrospektivë dhe autori brenda kësaj për retrospektivën e arsyetimit duke aklimatizuar, me informacion interesant, guxim të llogjikës që herë pas here bef si vetëtimat duke ndriçuar hareshëm pllaja të së panjohurës. Shkurt përshkruhet ajo betejë e shkurtër e 15 qershorit 1389 në Fushë- Kosovë. Në këtë ditë e në këtë vend u ndeshën fuqitë ballkanase me ato të osmanllinjve, dmth vendasit me të ardhurit, oxidenti me orientin, pra dy botë që ishin në çdo pikpamje krejt të ndryshëm. Ndeshja megjithëse qe e shkurtër u bë me shumë inat dhe ishte tmerronjëse… rrallë në histori ka pasur betejë kaq të vogël dhe efekte kaq të mëdha. Kjo betejë vendosi fatin e të gjithë popujve të Ballkanit për 500 vjet, atë të Hungarisë për disa shekuj… dhe influencoi gjithë jetën ekonomike, politike e ushtarake të Austrisë, e cila atere ishte sinonime me Gjermaninë. Pasi fuqitë turke arritën të rrethojnë dy herë Vienën, kaloria e tyre hyri thellë në Gjermaninë e sotme dhe kjo u detyrua të paguaje haraç. Ndër ne shqiptarët efektet ndihen edhe sot. Ballkanasit e tjerë më realistë, më diplomatë, iu nënshtruan fatit. Mbasi i jepet version i thatë i historianëve osmanllinj njihemi me atë të tradicionit serb e grek e gjithashtu, plot romantizëm e komplekse mbi bëmat e çuditshme ku të humburit fitojnë ne vdekjen e kokës së fitimtarëve. Merren në ndihmë historianë të tjerë e personalitete byzantine, sllavë, gjermanë e shqiptarë (historian Saad, bizantini J. Dukas, Schiro, Hammer Hopf Hahn, Marka Gjoni, M. Frashëri, Koliqi, Dosti, aprovohet Barleti, citohet Kissling e Dragutin Kostiç, polemizohet me Nolin etj.), çohet më tej dilema, guxohet akoma ç’maskohet gënjeshtra dhe e vërteta del si shpata nga milli. Gojëdhëna shqiptare është më interesantja, më bindësja. Autori bën tri pyetje: a) përse nuk e përmend fare kronika serbe emrin Millosh gjer në fund të shekullit 15, (për herë të parë në Duv. Rodoslov); b) përse e përmend atë përpara, këtyre kronistëve turq e të huaj; c) përse i përmend siç duhet të kuptohet prej kronikave të huaja atë emër gojëdhëna e vendit. (Kupto: shqiptare; shënimi im). Dhe përgjigjet i gjejmë nëpër libër arsyetuar me gjakftohtësi ku primar është argumenti e jo dëshira. Kronikat serbe vonuan ta kujtojnë heroin e Kosovës se heroizmi i tij nuk ndjehej i tyre. Kur koha errësoi origjinën “ata filluan të këndojnë dhe i ndërruan edhe emrin e dytë në Obiliç”. Sepse i kishte për mbiemër, siç është zakon ndër ne, emrin e fshatit të tij; “Kopilicë” të Drenicës në Kosovën Shqiptare atëhere edhe sot. Dhe më së fundi si një epilog i debatit të gjatë e shekullor jepen fakte të gjalla të pakontestueshme për origjinën dhe vadishmërinë e gjakut të tij tek shqiptarët, nëpër Blloshmët e Bëerzeshtës gjë që e pranojnë edhe serbët. Mbreti Aleksandër i Jugosllavisë i pat drejtuar një letër Hajdar Bej Blloshmit, krushkut të Ismail Qemalit, me anën e së cilës e ftonte të shpërngulej familjarisht dhe përgjithnjë prej Shqipërisë e të vendosej në Jugosllavi ku “do të gëzonte të gjitha përkrahjet morale e materiale dhe nderimet e duhura si pasardhës i Heroit të Kosovës”. Kuptimi i fjalës “Blloshm” ndjehet si shtrembërim i fjalës “Bollshëm” që ka të njëjtin kuptim “Obiliç” emër që iu dha shekuj më vonë Heroit (sipas Z.Kostiç) mbasi fjala Kopilic u vriste veshët. (Është i njohur pasioni i serbëve për të përkthyer emrat). Dhe Dardania që gjeografët e vjetër helenë, s’dihet përse e quanin “Kosifospedhion” që do të thotë “Fusha e Mëllenjave” siç i thonë edhe historianët gjermanë “Amselfeld” u shkurtua dhe u përshat në gjuhën serbe si “Kosovopolje-Kosovë”. Duke lexuar këtë libër do të ishte naive të thoshe se ndjehesh vetëm krenar, por edhe më i arsyeshëm e dinjitoz, më i sakrifikuar në gjithë ato kryqe dhe udhëkryqe të historisë që gati bëhet legjendë. Dhe vetëm me 53 faqe autori Ago Agaj ia ka dalë të zhveshë legjendën dhe ndërhyrjeve brutale të fatit duke na dhënë profilin e heroit shqiptar si një medalion i rëndë ku ndryshku i kohës i ngjan gjakut të përtharë! Ndërsa u kthehesh edhe një hërë vijëzimeve të librit të kap kërshëria për autorin. Asnjë të dhënë nuk kemi në kopertinën e pasme apo brenda në libër. Cili është Ago Agaj. Mund të mbledhësh vetëm kaq: U lind në 1896 në Smokthinë të Vlorës. Ndërsa shkollën fillore e mbaroi në qytetin e tij plot dallgë jete, të mesmen e mbaroi përtej detit, në bregun tjetër në Itali. Donte të studionte për mjekësi në Gjermani. I ra të fikët në një operacion. E tronditi çarja e njeriut dhe kështu i mbaroi studimet e larta për agronomi në Vienë. Po gjithsesi në shërbim të njëriut dhe natyrës. Kthehet në Shqipëri, bëhet pjesëmarrës i luftës së Vlorës më 1920 për të cilën ka shkruar dhe një vepër të gjërë e me interes. Punon nënprefekt në Gjirokastër, por edhe drejtor i shkollës bujqësore në Lushnje. Më 1937 pse nuk denoncoi kryengritjen e Et’hem Totos për të cilin dinte gjithçka, dënohet me vdekje. Falë rropatjeve pafund fati i të cilit për një kohë të gjatë “s’i hoqi këpucët nga këmbët” duke shkuar zyrë më zyrë (drama e njeriut gjithmonë vesh dhembjen e tjetrit). Ai bën burg vetëm dy vjet. Vjen Italia dhe lirohet. Më 1940 shkon prefekt në Kosovën martire, (dhimbja për të vazhdimisht i rritej si ai zjarri i vatrës). Me ardhjen e Gjermanisë, kur Mehdi Frashëri krijon një qeveri me krerët e vendit Ago Agajt i beson detryrën e ministrit të ekonomisë kombëtare e bujqësisë deri më 1944. Prapë ikën në Itali pastaj në Austri. Mbas 5 vjetësh shkon në Egjypt e më pas në Amerikë ku jeton edhe sot. Merret me studime dhe shkrime. Dashuria për atdhenë bën që zemra e tij të kalojë oqeanin e të rrahë në brigjet e Vlorës se ai vetë, gati një shekullor s’vjen dot. Ago Agaj është nga ata patriotë që ikën për të qenë më pranë atdheut në kundërshtim me ata që ishin aq pranë, tmerrësisht pranë e na u bënë tmerrësisht të largët e të huaj. Diktatura s’u prononcua kurrë kundër Ago Agajt. Siç duket ai u përket atyre njerëzve nderi i të cilëve nuk përlyhet dot as nga armiku.
11 gusht 1993, gazeta “RD”.