Sadik Bejko: Genc Leka, poezi e trishtimit dhe e dhimbjes
RRETHI I HËNËS
O hënë, pse dole moj, aq e trishtuar?
Mos vallë për mua po mban zi?
Që prapa reve shpesh më ke vështruar
Kur kthehesha vonë ,netëve në shtëpi?
Nuk besoj në lot, as në sytë e shkruar,
E humbe freskinë, s’bën për mua ti,
Më tha zemërguri, thëngjill i mbuluar,
Që s’pati në zemër, ndjenja, dashuri…
U tret dhe zëri i fundit. Qetësi
Çdo gjë po fle,dremisin edhe retë.
As fletët nuk po bien më tani,
Kjo natë hesht, veç lumi rrjedh për jetë.
Ah, lumi s’gjeti kurrë qetësi.
** *
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë,
Më shfaqen si vegim, përballë
Gërmadhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E ndrojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithnjë
Me ëndrrat e mia.
CIGANËT
Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë
Dhe këndonte plot mall e trishtim:
“Se si janë ca gra, se si janë,
Ah, të vrasin veç me një vështrim…”
Dhe shkuan ciganët në rrugën plot fletë,
Me këngët, me kuajt revan…
Dhe pas i përcillte me duf një gërnetë
E ndezur prej shpirtit cigan
Dhe prapë erë e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet
Me këngën e vjetër cigane për gratë.
Në vitet e brishta më çojnë mendimet,
Si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet,
Dhe thinjat m’u shtuan çdo natë…
“Se si janë ca gra ,se si janë…”
Gjithnjë më mundon ky mendim.
E pse o ciganë, a gjetshi belanë,
Me këngë e me kuaj çudisni dynjanë
Dhe vjeshtës këndoni me trishtim:
“Se si janë ca gra, se si janë…”?
HARABELAT
Vjeshta e sosi vellon me ngadalë,
Dimri do vijë me ngrica e tufan,
Por ju zogj, këtu i bëni ballë,
Prej këtij dheu asnjë gjë s’iu ndan.
Ka zogj që nisin shtegtimin,
Duan pranverë, duan qiell pa re,
Por tek ky vend ju gjeni veç gëzimin,
Ndaj s’e braktisni kurrë këtë dhe.
LIRIKË
Dashurisë gjithë këto këngë,
Dashurisë gjithë këta lot.
Dashuris’, më të madhes brengë,
Zjarrit që s’e mposhtim dot.
Midis brengash ndenja burrë,
Pisk e paç në dashuri.
Oh, s’e njoha atë kurrë,
E desha fort, se jam njeri.
KUJTIMI YT
Kujtimi yt më hodhi këtë natë,
Në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah, ëndërr e kaltër u këput në mes!…)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
Po shtegun e blertë nuk e gjen gjëkund,
Ndaj vezullon çdo mbrëmje çdo mëngjes!…
Pranverë 1972
KJO ZEMËR
Kjo zemër dridhet si një zog i vrarë,
Si det me dallgë shpirti me balada.
Më djeg kjo flakë e dashuris’së parë
Dhe dritë hedh tani, mbi tri dekada.
Pranverë 1972
** *
…Kur shkrin dëborë e virgjër nëpër male,
Shpirt i ronitur dridhet prej një fjale.
Lirikat si fëmijë i zgjon ngadale
Dhe për atë që desh më fort, derdh lot…
1) fragment nga një poezi e humbur e Genc Lekës.
** *
…Ndofta, ndofta një mëngjes shtatori
Ti do vish sërishmi te ky vend,
Ndaj të pres gjithmonë tek oborri,
Q ë të ndiej hapin dhe zërin tënd.
SERGEJ ESENINIT
Dashuri e tij e madhe porsi deti,
Në një zemër s’mund të futej dot.
Ja kështu me fund e ktheu poeti
Për bejrozën që e deshi aq fort.
. ………………………..
Varg po nisen qerret plot me sanë
Ti si diell i kuq po zbret në varr…
KËNGË PËR MIQTË E PARË
Eh, sa herë erdhët këtij fshati
Dhe këtej u ngritët tërë gaz,
E mbaj mend si ziente monopati
Kësaj rruge ç’gjurmë mbetën pas!…
Kënga juaj tutje nëpër erë
Natën nëpër rrugët pa mbarim…
Vetëm ju s’u lodhët asnjë herë
Ju, o miq na sollët veç gëzim!
Eh, sa kishit parë ju në jetë,
(Un’ i vogël isha atëherë!)
Këndej ju vinit, ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!
Vitet shkuan… ne më s’jemi parë
(Bashkë kemi ndenjur tek ky mur!)
Ju gjithmonë u kthyet fitimtarë,
Ju, o miq, më dhatë një flamur!
Dhe sa kishit parë ju në jetë!
Unë i vogël isha atëher’;
Këndej vinit ju trima me fletë
Të gjithë krahut mbanit maliherë!…
** * Si vegim më erdhe këtë natë…
(Ku t’i shpjerë shpirti këta lot?)
Si dikur hedh fletë vjeshta e artë,
Unë thinjem te kjo rrugë e gjatë,
kurse ti këndej nuk vjen më dot
. ……………………….
Kushedi sa herë nëpër net
Ti do vish i heshtur si vegim,
Fletë do të hedhë vjeshta e tretë,
Gjak do rrjedhë plaga pa shërim…
NËNËS
U thinj ajo në rrugën e mundimit,
Por mbeti e re në zemër gjithnjë,
Ndaj i buzëqesh i pastër njerëzimit
Për gjithë zemrat që nuk thinjen më.
Si ky lëmsh që mbledh ti sot në duar
Ashtu t’u mblodhën brengat, nëna ime,
Ti më mësove të lexoj në thëllime
Dhe askujt të mos i lutem shpirtlëshuar.
SPIUNËT
Në sahan të Sigurimit
Pinë helmin e helmimit.
LULET E HORASANIT
Toka që e deshët aq shumë,
Si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,
Priti sa të binit ju në gjumë
Dhe pastaj u drodh me dëshpërim…
Hëna dridhej vetëm për mbi retë,
Yjet u këputën një nga një!…
Kurse ju u ndatë nga kjo jetë,
Që në botë të mos vini më!
Këngët enden nëpër shkretëtirë,
Në çdo zemër zgjojnë mall dhe brengë,
Ndaj e zgjova prapë të shtrenjtën lirë,
Ndaj për ju derdh lot në këtë këngë.
Dhe sa lot derdhi në mes tuaj
Esenini i dhembshur, shpirt njeriu,
Zemërdjeguri poet nga vis i huaj
Sikur të ishte vetë Saadiu.
** * O hënë, pse dole, moj, aq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi? …………
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar,
Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi.
GENC LEKA, POEZI E TISHTIMIT DHE E PËRSIATJES
Prej Genc Lekës kanë ardhur rreth 30 poezi. Ndihet në to kujdesi për formën e bukur; midis tyre ka dhe ndonjë sonet. Motivet që trajtoi poezia e Genc Lekës, janë të njëjta me poezinë e moshatarëve të atyre viteve. Trajtoi tema të tilla, si: tradita, lufta, arsimi, trishtimi për fëmijërinë e ikur, gëzimi për festat, për plakun prej dëbore, për lapidarët… krenohej me luftëtarët e luftës partizane, gëzohej për shkollën si vatër e dijes dhe e përparimit.
Këto qenë temat e fillimeve të tij.
Në dukje, asnjëherë nuk doli nga rrethi i temave që lejoheshin për t’u shkruar. Edhe brengosjen ngjante se e kishte brenda kuadratit të lejuar: brengosej se i kishte ikur fëmijëria, se në vjeshtë iknin zogjtë, se, bashkë me ta, iknin dhe ciganët nga krahina e tij.
Për nga forma poezitë e tij janë të thjeshta, të kuptueshme, me vargje të matura, shumica me strofa katërshe dhe me rimë. Janë vargjet e një të riu në moshë dhe në poezi:
…Kur shkrin dëborë e virgjër nëpër male,
Shpirt i ronitur dridhet prej një fjale.
Temat e drejtpërdrejta politike G. Leka nuk i kishte për zemër. Edhe kur përmendte ndonjëherë fjalën “parti”, e bënte se “ashtu duhej”, se ashtu ishte e udhës të shkruaje në atë kohë. Shkroi dhe për Leninin (Djali i Uljanovskit) në mënyrën lirike të Eseninit, të poetit të tij të dashur.
Që të hyje në letërsi në ato kohë, edhe sikur mos t’i kishe problemet e “biografisë”, duhet të paguaje haraç dhe çfarë haraçi për politikn e ditës.. poezi të forta, poezi për njerëz të shëndetshëm, njerëz heroikë, njerëz me shpirt të mrekullueshëm dhe shumë të lumtur nën udhëheqjen e partisë. Ishte një kërkesë cinike, por kjo kërkohej, Duhet ta bëje këtë “me gjithë zemër”. Jo me gjysmë zëmre.Të lëkundurin nuk e pranonin. Njeriun që shkonte gjer në gjysmë të rrugës dhe kthehej, e survejonin dhe, më pas, e ndëshkonin. Disa nga redaktorët e organeve të botimit atëherë bënin dhe atë punën tjetër, raportonin heshtur, por rregullisht në shtet për çfarë sillnin në redaksitë e botimeve shkrimtarët. Raportonin dhe për shkrimet që nuk botoheshin.
Genc Leka nuk ka qenë i përgatitur për të paguar një haraç të tillë. Mbase nuk e ka ditur se si vihej në punë mekanizmi i botimeve, ose… nuk ka dashur të shkruajë vargëzime për politikën e ditës. Shumë poetë, edhe shokë të shkollës së Gencit, shokë më të regjur se ai në hile, i bënë heronj përmbi heronjtë në “poemat” e tyre ata brigadierët “e shkathët” të fshatrave tona. Të shkathët do me thënë: gënjeshtarë, të ligj, ashtu si i kërkonte koha të ishin.
Genci, me “biografinë” që kishte, ishte i përjashtuar vetiu nga letërsia. Dhe gjeni të ishe, atëherë ta thoshin copë: nuk e duam poezinë tënde, poezinë e birit të armikut.
Më 1961 në gazetën “Zëri i rinisë” ai ka botuar një tufë prej tri lirikash. Është debutimi i parë i Genc Lekës në shtyp. Prej këtyre pooezive vërehet se ai e ka filluar më herët poezinë. Këto lirika, me nga një strofë secila, dëshmojnë një njohës e zotërues të mjeshtërisë së shkrimit. Ky ishte një fillim i mbarë për një 20-vjeçar. Por…
Nga datat në fund të disa prej poezive të pabotuara, vërejmë se ai shkroi poezi edhe më pas, kur ia ndaluan të shkruante për gazetat. Mbase ka shkruar më pak, mbase disa nga poezitë e tij kanë humbur, mbase i dogji vetë, kur ndjeu se do ta arrestonin, pra, nuk mund ta dimë saktësisht sesa ka shkruar.
Arti është konkurrencë me veten dhe me të tjerët. Genci nuk mund të shkruante pa u përfshirë në konkurrencë, të shkruante, edhe kur e dinte që ishte i përjashtuar përgjithmonë nga letërsia. Ta gëlltisje përjashtimin politik nga botimi dhe të vazhdoje të shkruaje për hesapin tënd, do të thoshte që ta vije veten përtej asaj shoqërie. Ta vije veten në një kohë tjetër. Genci nuk arrinte dot deri këtu. Ishte shpirtërisht i papërgatitur për një shkallë të tillë vetëmartirizimi.
Pra, poezia e tij deri më 1965, është poezia e një fillestari, e një të riu premtues, është poezi e provave të para. Kjo poezi e shkruar sipas të gjitha kërkesave të kohës, si në përmbajtje ashtu dhe në formë, në gjykimin e ekspertëve letrarë të vënë nga policia, u quajt armiqësore për shtetin. Poezitë mbi vjeshtën, mbi ciganët, mbi zogjtë, mbi natyrën nuk kaluan pa vëmendjen e ekspertëve të policisë, për t’i quajtur poezi të trishtuara, jo optimiste, jo të ndritshme e jo të gëzuara, siç kërkoheshin. Të ishe i trishtuar, ta shpallje trishtimin tënd, në ato “kohë të gëzimit”, ishte baraz me krim.
Sado që Genci ishte njeri i matur, diçka nga pakënaqësia e nga brengat e tij kishin rrjedhur padukshëm në vargje. Temat mbi “Oxhakun”, pra mbi traditën, mbi “miqtë e parë”, iu morën për blasfemi, se për mendimin e kohës tradita u shpall me të meta, tradita ishte e kundërta e “së resë”. Natyra e butë prej romantiku e Genc Lekës në lëndën e poezisë përcillte kujtime dhe përsiatje. Për të fëmijëria ka qenë e bukur. Por mund t’i thoshin: pse ka qenë e tillë? Mos se kishe pranë atë babain tënd, atë që ka tradhtuar? Po të thoshte që ka qenë e trishtuar, mund t’i përsëritnin po të njëjtën pyetje: pse ka qenë e trishtuar …? Ai ishte druri me shenjë i pyllit, me shenjën për t’u prerë. Genci jo gjithmonë ia kishte arritur, që të përshtatej me kërkesat e kohës. Lëkundshmëria e tij ishte e fshehur, por jo aq sa të mos dukej. Kur shkruante për shkollën, për mësuesin, ai linte të kuptohej se ishte i dëshpëruar që e kishin lënë pa nxënësit e tij, që ishte flakur jashtë radhëve të atyre që e vazhdonin mësuesinë. Njeriu poshtërohet, kur i marrin dhunshëm një të drejtë, kur e vënë të bëjë punë të rënda dhe jashtë profesionit të tij. Ai shkroi për mësuesin e tij të parë, për premtimet e mbajtura ndaj tij, për atë se një nga ish-nxënësit e këtij mësuesi (Genci), po shkruante vargje për të. Kjo lehtësisht të çonte te mendimi se vjersha i kushtohej mësuesit Bardho Leka, babai të tij, atëherë një i arratisur nga Shqipëria dhe i shpallur armik. Kështu vjershat për mësuesin e parë, për miqtë e parë, e vunë në kryqëzim. Dyshime ranë dhe mbi poezitë me temën e luftës. Ai kësaj teme i kushtoi mbase shumicën e vargjeve deri më 1966. Por ai nuk i ktheu vargjet mbi luftën partizane në flakë e në buçimë, ashtu siç kërkohej. Ai fliste për ca pika gjak, për ca pika lot, për ca gjurmë, kur me gjuhën e propagandës pikat e gjakut duhet të ishin sa lumenjtë e sa detet bashkë… Poezia e tij mbahej në fillin e hollë të së pranueshmes, të së ndershmes, të reales. Kjo nuk ishte pak për atë kohë të dhunimit të të vërtetave. Diku, midis vargjeve, pa dashjen e tij, i shket pak lapsi dhe kundër kohës. Në një klimë të politizuar shoqërore dhe për një njeri me prejardhje familjare jo të mirë, këto quheshin as më shumë as më pak: armiqësi, krim. Ai duhet ta dinte se do të futej në brimë të gjilpërës për çdo fjalë që shkruante e për çdo fjalë që thoshte…. Por, deri këtu mund të shkonte, jo më tej. Përshtatja e vetes me kohën, nuk i mjaftoi as sa për të jetuar. Qoftë dhe sa për të marrë frymë mbi tokë, pa lëre për të shkruar letërsi.
Vargjet e tij më të mira, vargje të thjeshta dhe të tejdukshme për nga kuptimi, nxjerrin në dukje një poet elegjiak. Vjershat mbi fëmijërinë, mbi harabelat, vjeshtën vizatojnë më mirë prirjet shpirtërore të tij, nxjerrin hapur frymën e ankimit, të mosrealizimit, jo aq si filozofi, se sa si përshtypje të drejtpërdrejta nga jeta. Ai më shumë i vuante dhe i bluante gjërat përbrenda, ishte një shpirt që prirej më shumë nga meditativja, sesa nga revolta e shpallur.
Për stilin dhe përgjithësisht për tonalitetin e tyre, vjershat e tij kishin afri me vjershat e atëhershme të botuara nga Jorgo Bllaci dhe me ato të poetë të tjerë të atij brezi. Ja disa strofa karakteristike për poezinë e tij:
*** Më la fëminia dhe humbi diku
Si vesa që zhduket nga bari.
Mbas vjetësh e pashë sërishmi te ju,
O lule që çelni së pari.
*** Era i tund e fletët tutje venë,
Vapa kaloi, në kodër barin dogj.
Për diku larg … u nisën disa zogj,
Por kurrë s’do harrojnë ata folenë.
Kjo ishte poezia e Genc Lekës deri në vitin 1966. Pas këtij viti, atij iu nxi jeta përfundimisht. Me opinga llastiku, me bukën e misrit dhe fasulet në një kavanoz qelqi në trastën e tij, nisej në mëngjes pa gdhirë për në fermë dhe kthehej me natë në shtëpi gjatë dimrit. Në këtë kohë poezia e tij bëhet më shpirtërore. Gjejmë dhe shprehje të ëndrrave të tij me sy hapur për kthimin te dashuria e dikurshme me shoqet e klasës: “Ku je ti me flokët kaçurrele?” fillon një poezi e tillë që ka humbur. Shkruan një poezi të gjatë për vdekjen e Eseninit. “Varg po nisen qerret plot me sanë,/ Ti si diell i kuq po zbret në varr”- vetëm pak vargje kanë arritur prej saj. Ai po kërkonte shembuj nga historia e letërsisë për fatin e keq të poetëve, të sivëllezërve të tij të largët në kohë. Ndër mend i vjen Vexhi Buharaja dhe nallanet e drunjta nëpër shi e nëpër shkretëtirë të poetëve të hershëm të Persisë, vend të cilit Esenini me shijen ekzotike për çajhanet, për vajzat fytyrëmbuluara, për Shaganenë, i kishte kushtuar ciklin e “Luleve persiane”. Genc Leka shkroi poezinë “Lulet e Horasanit”. Një strofë nga kjo poezi mund të jetë si epitaf për mbasjetën e tij dhe të Vilson Blloshmit. Ai sikur e ka parashikuar që për ata të dy një ditë do të kujtoheshin:
Toka që e deshët aq shumë,
si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,
Priti sa të binit ju në gjumë
Dhe pastaj u drodh në dëshpërim.
Edhe gjatë kësaj kohe Genci nuk do të jetë i drejtpërdrejtë në vargje. Herë-herë ai flet dhe për brenga, për thyerjen e jetës, por kurrë nuk e shkroi ashpërsisht, nuk e përtheu saktësisht në vargje trishtimin e tij. Ja një poezi e kësaj kohe:
Si vegim më erdhe këtë natë…
(Ku t’i shpjerë shpirti këta lot?)
Si dikur hedh fletë vjeshta e artë.
Unë thinjem te kjo rrugë e gjatë,
Kurse ti këndej nuk vjen më dot. …….
Kushedi sa herë nëpër net
Ti do vish i heshtur si vegim,
Fletë do të hedhë vjeshta e tretë,
Gjak do rrjedhë plaga pa shërim.
Kjo ngjan me një poezi dashurie, një dashuri e ndërprerë nga vdekja a nga diçka e rëndë pa kthim. Por, sipas dëshmisë së tij, kjo poezi i kushtohej të atit, Bardho Lekës, vdekur në arrati, si armik zyrtar i Shqipërisë së kohës. Genc Leka thoshte se shumë nga poezitë e tij ngjajnë me pardesynë që vishet nga të dyja anët. Poezia pa titull, që fillon më vargjet “Kur në dritare rri me mall” është pikë për pikë e tillë.
***Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë,
Më shfaqen si vegim, përballë,
Gërmadhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E ndrojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithnjë,
Mes ëndrrave të mia.
Në të parë, kjo poezi shpreh trishtimin e përjetshëm njerëzor për ikjen njëherë e përgjithmonë nga fëmijëria. Situata në strofën e fundit vjen e bëhet pak më e rëndë se sa kaq: një lumturi është shtypur përgjithmonë nën gërmadhat e një shtëpie të dikurshme. Nuk ka asgjë të keqe. Por jo… Komenti i ekspertëve të hetuesisë (D. Ç.) këtë poezi elegjiake e sheh të rrezikshme për shtetin, të dënueshme: Genc Leka përqafon pesimizmin më të errët, shprehjen e një trishtimi pa rrugëdalje.
Vërtet, poezia “Kur në dritare rri me mall” duhet lexuar dy herë, se, po “ta kthejmë pardesynë nga ana tjetër”, kuptojmë që edhe kjo poezi lidhet me kujtimin e të atit të autorit. Ajo flet për një gërmadhë reale, jo për një “vegim” gërmadhe. Kur, i ati i Gencit, Bardho Leka u arratis nga Shqipëria, shtëpinë e tij, shtëpinë e një armiku të rrezikshëm, shteti e rrëzoi për tokë, rrafsh me themelet. Genc Leka, në kohën kur ka shkruar poezinë “Kur në dritare rri me mall”, banonte në një ‘shtëpi’ tjetër, në një haur, shtëpi përdhese, përballë me gërmadhat e gurët e shtëpisë së madhe e të lumtur të fëmijërisë, shtëpisë dykatëshe të një pinjolli nga fisi i rëndësishëm Lekaj. Ta kenë ditur këtë fakt ekspertët e hetuesisë, të cilët e rendisin edhe këtë poezi lirike si të rrezikshme për shtetin?!
“Ciganët” është një nga vjershat më të plota të Genc Lekës. E plotë do me thënë e shtjelluar mjeshtërisht deri në fund, e rrumbullakuar si gjendje e si mendim. Kjo poezi ka temën e ikjes të së bukurës, e mërgimit të romantikës, të gjërave më mbresëlënëse të jetës së njeriut. Poezia e vë në pah mrekullimin vrasës ndaj së bukurës, trishtimin e përkohësisë, të kalimit, të rënies bashkë me gjethet të bukurisë. Genci bashkë me një cigan: … këndonte plot mall e trishtim: “Se si janë ca gra, se si janë, / Ah, të vrasin veç me një vështrim…”/ … Në vitet e brishta më çojnë mendimet,/ Si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet, /Dhe thinjat m’u shtuan çdo natë… /Ah, “Se si janë ca gra, se si janë…” ?
Ja edhe poezia e fundit e Genc Lekës. Mund ta ketë shkruar në gushtin e vitit 1976, në ditët që priste ta arrestonin. Nuk është vetëm prirja e tij nga elegjiakja, është më shumë se sa kaq: një profeci e përzishme për vetveten. Vargjet janë të qeta, të matura, të rimuara në përzishmërinë e tyre:
O hënë, pse dole, moj, aq e trishtuar,/ Mos vallë për mua po mban zi?/ ………… Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,/ Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?/ Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar, / Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi. … “
…dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar”… është një varg që në qetësinë dhe shpirtlartësinë e tij e lë të hapur llogarinë me jetën. Nuk e mbyll.
STUDIMET
Mbasi i lau duart me botimin e poezive, ai u kthye më me ngulm nga studimet shkencore, mblidhte e fjalë dhe shprehje të rralla nga krahina, bënte studime etnografike dhe gjurmime leksikologjike. Ato ia niste Institutit të Gjuhësisë në Tiranë. Ishte një punë e heshtur dhe e padukshme. Ky kthim nga puna studimore ishte në përputhje edhe me prirjen e familjes së tij. I lindur në një fshat si Bërzeshta që kishte kujtimet e shkollës së parë në krahinë, me babanë mësues, me gruan dhe motrën mësuese, ata ishin një familje e përgatitur për të dhënë mësim, për t’u marrë me gjuhën shqipe, me studime. Ishte, pra, kthimi në vazhdën e një tradite. Por edhe dëshira për të hapur një portë tjetër, atë të studiuesit, me që atë të poetit ia mbyllën. Ishte një përpjekje për mbijetesë intelektuale, për t’u mbajtur me thonj e me dhëmbë, për të mos i hedhur armët ndaj gjithë pengesave që i dilnin përpara. Kjo punë me gjuhën, dorëshkrimet e tij me fjalë të rralla, me të dhëna folklorike dhe etnografike, mbeten me vlera edhe sot, vlerësohen dhe sot nga specialistët e fushave. Janë tri studime të plota etnografike, një për familjen, një për martesën dhe tjetri për blegtorinë në Bërzeshtë. Për mendimin tonë më i miri është ky i fundit.
Prej tij vijnë edhe rreth 200 faqe me fjalë dhe shprehje të rralla, të shoqëruara me shpjegime të karakterit leksikologjik dhe etnografik. Prej këtij materiali të gjerë gjurmues dhe studimor përvijohet profili i një studiuesi, i një bashkëpunëtori shkencor të vlerësuar nga institucionet e kohës.
Këto studime janë të plota, të pasura, me një gjuhë të përpunuar të ligjërimit shkencor. Ai është një studiues i realizuar. Sot nuk mund ta përcaktojmë prerë, se cili nga dy talentet e tij, ai i poetit apo ai i studiuesit, e mbizotëronin njëri-tjetrin. Mua më ka tërhequr ana nga ai i poetit. Por në botimin e plotë të “Veprës” së tij, ai del më i spikatur si studiues. Kjo është aq e vërtetë sa mund të bësh pyetjen: po ta linin të jetonte dhe të thellohej e të piqej në punën intelektuale, cilin nga dy talentet e tij do të ndiqte Genc Leka, atë të poetit apo atë të studiuesit? Puna e tij si etnograf dhe si mbledhës i leksikut është bërë me pasion, me durim, me këmbëngulje dhe me profesionalizëm. Këto cilësi i sollën vlerësimin e shkencëtarëve deri dhe të vetë titullarit të atëhershëm të Institutit të Gjuhësisë. Kjo dëshmohet nga një letërkëmbim i gjatë midis tyre. 12 vjet letërkëmbim specialistësh: G. Leka me profesor A. Kostallarin. Ky profesor, veçse shkencëtar, ishte dhe një personalitet i lartë politik për kohën. Ai ka drejtuar punën si leksikografi numër një i kohës, ai ka bërë platformën e gjuhës standarde më 1972. Prof. Kostallari, ky njeri i fuqishëm sa shumë pak njerëz të shkencës në atë kohë, ka një letërkëmbim 12-vjeçar me Genc Lekën mësues, ushtar, me Genc Lekën punëtor ferme, me Gencin që dosja e Sigurimit i stivohej ditë për ditë që ta varrosnin, jo ta burgosnin. Letrat me Prof A. Kostallarin ruhen dhe janë të botuara.
Shkurt, me gjithë hallet e tij “biografike”, G. Leka mbeti një bashkëpunëtor jetëgjatë (1963 – 1975) i Institutit të Gjuhësisë, i Institutit të Folklorit. Ky profesor, A. Kostallari, si talent e vlerësoi, nga vdekja… nuk e shpëtoi dot.
Nga vdekja e parakohshme në një sistem si ai, kush mund të të shpëtonte?
Genc Leka, qoftë kur ishte mësues, apo… një punëtor i përbuzur ferme, arritjeve të tij prej studiuesi, shqyrtimeve të tij prej gjurmuesi shkencor u qaset me modesti. Për skrupujt shkencorë dhe moralë që e udhëhiqnin atë në studimet dhe gjurmimet, më shumë se kushdo, flet kjo letër e e tij drejtuar Institutit të Gjuhësisë:
Dy fjalë*
Një dorë fjalësh e shprehjesh frazeologjike. Ja më në fund fryti i thjeshtë i një pune, duke u endur poshtë e lart te ky vend plot gjurmë, që të çojnë deri në thellësitë më të largëta të lashtësisë. E ndoshta, mjeshtërve të thesarit gojor të popullit do t’u duhet një punë shumë e madhe për t’i bërë këto fjalë e shprehje të vlefshme për gojën e brezave të ardhshëm! Këtë dorë fjalësh e shprehjesh të mbledhura nga goja e popullit, në krahinë dhe jashtë saj, jam munduar ta pasqyroj ashtu siç duhet, me sa më pak të meta dhe mbi të gjitha t’i qëndroj besnik folësit, qoftë nga ana e shqiptimit të fjalëve apo shprehjeve, ashtu edhe nga ana kuptimore e tyre, në raste të ndryshme të të folurit. Siç do të shihet, në këtë material numri i fjalëve si kategori leksiko-gramatikore të ndryshme, është i paktë dhe më tepër zënë vend shprehjet frazeologjike, të cilat jam munduar t’i paraqes ashtu siç i kam dëgjuar gjatë bisedave të lira nga persona të moshave të ndryshme. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura i kam renditur sipas alfabetit (për këto të fundit, kam paraqitur fjalën e parë të shprehjes sipas radhës alfabetike) dhe sipas kohës kur janë renditur në bllokun e vogël të xhepit. Kjo dorë e vogël fjalësh le të jetë vazhdimi i një pune të thjeshtë, filluar 7 vjet më parë, dhe guri i parë në themelin e veprës së ardhshme pa emër të një fjalëmbledhësi të thjeshtë, në gurrën e pashtershme të gjuhës amtare!
Bërzeshtë, më 4 tetor 1970
Profesor Emil Lafe, që përgatiti për botim materialet gjuhësore të G. Lekës thotë se fjalë të mbledhura prej tij janë futur në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”. Prof E. Lafe e quan Genc Lekën “dëshmor të gjuhës shqipe”, për atë punë të heshtur, të ngulët e të devotshme të tij.
Vepra e tij u botua pas vdekjes, nuk mbeti pa emër, siç thotë ai me pak pikëllim të fshehur në letrën e cituar më lart.
Së fundi, po përsëris vargjet nga poezia e tij “Lulet e Horasanit”, për fatin e pangushëlluar të Genc Lekës dhe për fatin e poezive dhe të studimeve të tij, të cilët u varrosën bashkë me autorin, për t’u zbuluar nga arkivat e policisë dhe të institucioneve studimore gati tridhjetë vjet më pas nga vdekja e tij me pushkatim. Këto vargje mund të ishin si epitaf mbi varrin e tij dhe të Vilson Blloshmit:
Toka që e deshët aq shumë,
si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,
Priti sa të binit ju në gjumë
Dhe pastaj u drodh në dëshpërim.
Diktatura siç ua shprishi Lekajve jetën në gjallje, ua shkatërroi edhe iluzionin e të mbledhurit të kockave bashkë e pranë e pranë në varreza, në vdekje. Nuk do të preheshin kurrë bashkë. Sot Bardho Leka prehet në varrezat e Prizrenit. Gjiska, e shoqja, në varrezat e fshatit Bërzeshtë. Genc Leka pas zhgroposjes nga Përroi i Firarit ku mori dhé pas pushkatimit, nga viti 1994 prehet ne varrezat e qytetit të Librazhdit. Zhuli, gruaja e Gencit, tashmë prehet në varrezat e qytetit të Korçës.
“Kur në dritare rri me mall”, kur del në dritaren e varrit, vallë kë ka pranë, kë mund të kundrojë sot Genci? Asnjë nga të afërmit e tij. Diktatura i dënoi me vetmi edhe në jetën tjetër.