Ylli Xhaferri: GODOJA NUK DO TË VIJË
dallga
hepohet, zhytet, thërmohet
thellohet në lugina
përbyset nëpër brazda e humnera
si smeralde shkërmoqet
kjo djersë e ndershme e natyrës
zemra mbi dallgë më qetohet
shkund lodhjen e gjatë
bëj dashuri në shtretër leshterikësh
lind fëmijë me sy të kaltër
botoj libra në shtëpi botuese oktapodësh
votoj në guacka të hapura
ngre arkitekturë ëndrrash në kripë
trilloj jetesë sirenash
det e valë
dallga një hap para, një frymëmarrje pas
grish në gjeratoren e bardhë
ku ëndrrat si zgaleme shkumëzojnë
pastaj, papritmas, fillikat
si zogj të vonë të shtërngatës
fërgëllojmë përballë grabitqarëve
si Nastradinë modernë në breg të jetës
s’dimë kë të numërojmë më parë
dallgët që ikin apo ato që vijnë?
Please follow and like us: