1991/Dokumenti që krijoi qeverinë “Bufi”
Nga Kastriot Dervishi
Ky dokument i nënshkruar fiks 27 vjet më parë, i hapi rrugë rrëzimit të qeverisë së fundit të Partisë së Punës dhe krijimit të qeverisë së stabilitetit që u drejtua nga Ylli Bufi. Dokumenti është për të ardhur keq nga konceptimi dhe formulimi i përgjithshëm. Po ashtu të pranishmit nuk kanë identifikuar partitë dhe emrat e tyre. Duket një punë e bërë shpejt e shpejt e pa cilësi administrative. Në dokument lexohen nënshkrimet e Gramoz Pashkos, Skënder Gjinushit, Sabri Godos, Jani Janit dhe një personi tjetër që mund të jetë përfaqësuesi i Partisë Agrare. Edhe ky dokument, si edhe tjetri nuk është administruar në fondin ku duhej të ishte.
Përmbajtja:
Partitë politike në mbledhjen e datës 3.6.1991, ranë dakord:
1-Qeveria të japë dorëheqjen
2-T’i sugjerohet presidentit të republikës së Shqipërisë, kryeministri i ri, i propozuar nga Partia e Punës, i cili në bashkëpunim me partitë politike të hartojë përbërjen e qeverisë dhe programin e saj mbi bazën e drejtimeve themelore të përpunuara në konsultimet ndërpartiake.
3-Anëtarët e qeverisë së re të shkëputen nga partitë përkatëse dhe të mos kenë të drejtën të formojnë parti dhe të kryejnë veprimtari partiake dhe elektorale.
4-Qeveria e re të mos ketë të drejtën e subjektit elektoral.
5-Të kryhen zgjedhjet e reja në një datë të përshtatshme në periudhën maj-qershor 1992.
6-BSPSH ranë dakord që në bashkëpunim me qeverinë e re të garantojnë paqen sociale për të mos bërë grevë gjatë funksionimit të kësaj qeverie.
Gjithashtu, në një takim me kryesinë e BSPSH u mor angazhimi që me miratimin e dorëheqjes dhe fiksimit të datës së zgjedhjeve të ndërpresin grevën e urisë. /55news.al
4.6.1991