Albspirit

Media/News/Publishing

Fane Veizi: Autobiografia e Himarës në këngët e hershme popullore (2)

Image result for himara e vjeter

Marrë nga libri i Fane Veizit ‘Bregu i Detit në Këngë’

 

 

QË NË GUMENICË E LARTË

 

Që në  Gumenicë e lartë,

Himarë i thonë çdo fshatë,1)

gjithë trima e levendë,

burra stralli pallergjendë,

lënë nam kudo që venë.

E nisim me Bregdenë,

e shkojmë  në Tepelenë,

vemi kufi me Delvinë,

ndë Dragji e gjer Kaninë.2)

 

Vuno-Qeparo, Himarë, 1956

 

Në një variant tjetër nga Bolena, përveç dy vargjeve të para shtohen dhe dy vargje të tjera si më poshtë:

 

Turku punoj me zanat,

ndaj kemi mbetur pak.

 

1). Krahina e Himarës, para periudhës së islamizimit e, sidomos para shek. XVIII, përbëhej nga më se 50 fshatra. Gjerësia e saj ishte rreth 50 milje dhe gjatësia 100 milje. Fillonte  nga kepi Longeta e mbaronte në afërsi të kështjellës së Butrintit. Në këtë krahinë bënin pjesë fshatrat: “Himara, Piliureus, Bumceci, Drimades, Klloparo, Nivic – Bubari, Pallasa, Pikerni, Basilio, Liates, Llukovo, Gjomboçari, Kvarabta, Bunai, Saseno, Dukates, Drazhia, Radhima, Gumenica, Mazzari, Drubaçe, Kudesi, Nivica, Lopes, Mavrova, Vranishti, Zenogorica, Smokthina, Gjonimei, Kallozherates, Vermihiotes, Lepenica, Kuçi, Kardini, Velçja, Bratades, Galiasa, Golimbades, Liaparda,  Millu,  Loksiotes,  Progonates,  Gliopezotes,  Vansa, Bënça, Tepelena dhe  të tjerë më të  vogla që nuk përmenden”. (Shih: Buletini i Shkencave Shoqërore, T., 1955, nr. 2, f. 158-159).

2) Është fjala për fshatin Tragjas të Vlorës.

 

HIMARË, KANINË, DRASHOVICË

 

Himarë, Kaninë, Drashovicë,

Tepelenë, Kardhiqë, Nivicë,

kaonë janë të gjithë,1)

nga një farë e nga një fis.

Që me ardhjen e Turqisë,

në vendet e Labërisë,

i ndau i bëri dyshë,

në xhami edhe në qishë.

O kaonë, shumë vove,

në gërxhe e male rrove,

traditat nuk i harrove,

nderinë e respektove,

bujarllëkun e nderove.

 

Himarë, 1976; Jani Brigo, 1968

1). Fis epirot që banonte gjatë Bregut të Jonit prej lumit Thyamis (sot Kallama) në jug deri në malet Akrokeraune (sot LLogora-Malet e Vetëtimës) në veri dhe në krahinat e brendshme të luginës së Drinos (Shih: FESH, T., 1985, f. 450-451).

 

 

QE NE KANINE E DELVINE

 

Që në Kaninë e Delvinë, 1)

s’ka njeri që të na hijë,

se me thik’ i ham mëlçinë.

Himariotë si luanë,

që luftojnë si asllanë

me kordh’ e me jataganë.

Të gjithë një kokë kanë,

mbi pesëdhjet’ fshatra që janë.

 

1). Bëhet fjalë për zonat malore të Himarës para procesit të islamizimit.

 

 

PSE S’HA BUK’ E PSE S’PI VERË

 

– Pse  s’ha buk e pse s’pi verë,

Ago Ago, Imer Ago?  1)

– Ku kam buk’ e ku  kam verë?

– Pse s’e lot karadyzenë?

– Unë e loz, po s’ia kam ngenë.

Ç’pashë një ëndërr të zezë.

Ëndërr të zezë për mua.

Se gruaja m’u martua.

Dhe babai m’u verbua.

– Ç’më jep ti të lëshoj unë?

– Të jap besën e imkrave

Mb’udhë u poq me krushkëtarë.

– O ju krushq e ju xhallarë,

– kush e nje Imer Aganë?

Tha nusia: e njo unë.

Më kish thënë e zeza nënë,

kishte një nishan në llërë.

 

Himarë

Sotir Veizi, 1937; A. Duka, Ll. Çipa

  1. Përsëritet pas çdo vargu.

Në legjendën për këtë këngë, që është shumë popullore në krahinën e Himarës, thuhet se Imer Agai u zu rob. Një princeshë, duke dëgjuar për trimëritë e tij, duke e parë të mërzitur nga ëndrra që kishte parë, i dha leje që të shkonte në shtëpi, po me kusht që të kthehej  prapë, se, në të kundërtën, ajo do ta paguante keq. Rrugës, duke shkuar për në shtëpi, gjeti disa dasmorë dhe midis tyre njohu ish gruan e tij që po  martohej me një tjetër, se kishin thënë që Imer Agai kishte vdekur. U kthye në shtëpi me nusen. Ata iu lutën të qëndronte, po ky meqë kish dhënë besën që të kthehej, u nis përsëri. Kur mbërriti në vend, princeshën e kishin dënuar me vdekje për shkelje të rregullave dhe po e shpinin për ekzekutim. Në këtë kohë shkoi me vrap Imer Agai dhe kërkoi ta merrte ai përsipër dënimin e saj. Sipas legjendës u falën që të dy.

Please follow and like us: