Albspirit

Media/News/Publishing

Mars 2011/Prishtina promovon sprovën e Kadaresë

In Memoriam, poetit, shkrimtarit dhe pedagogut te Unversitetit te Prishtines, Basri Çapriqi

Në sallën e bibliotekës së Prishtinës Pen Qendra e Kosovës dhe Pen Qendra e Shqipërisë zhvilluan takimin e tyre të parë të përbashkët duke diskutuar për sprovën e Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”.
Takimi u përshendet nga presidentët e dy qendrave Basri Çapriqi Prishtinë dhe Entela Kasi Tiranë, ndërsa mbajtën referate të veçanta edhe emra të spikatur të kulturës si prof. Xhevat Lloshi, dr. Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Izet Shehu, Çerçiz Loloçi etj.
Kadare e bëri shqipen gjuhë botërore, tha mes të tjerash në këtë aktivitet prof. Xhevat Lloshi duke shtuar se pikërisht pasi Ismail Kadareja u bë shkrimtar i dëgjuar filluan të merren edhe me gjuhën e tij ashtu sic ishin marrë më përpara me gjuhën e Naimit, të Fishtës, të Jakov Xoxës dhe shkrimtarëve të tjerëve.

Rizgjim shqiptar(Libri-testament i Kadaresë “Mosmarrëveshja…”)

Libri testament i Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja…” i publikuar shtëpia botuese “Onufri” dhe që del së shpejti në një version të ri, falë mijëra kopjeve të shitura jo vetëm në viset shqiptare, ka nxitur vetvetiu një rizgjim të vetëdijes shqiptare.
Pos publikimit të tij vijuan një sërë ndodhish të mëdha dhe të vogla që trazuan ndërgjegjen shqiptare në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe në kryeqendra të rëndësishme perëndimore ku jetojnë gjithashtu bashkëkombës tanë. Fill pas librit dukuria më domethënëse ishte krijimi i “Aleancës kuq e zi” që s’ka ndonjë doktrinë të sofistikuar, por që i ka rënë kryq e tërthor qyteteve tona duke finalizuar një peticion njëzetmijë firmash që kundërshton regjistrimin e popullsisë në bazë të dy neneve antikushtetuese dhe antikartave ndërkombëtare. (Peticioni pati një epilog simbolik me firmën përmbyllëse të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I, por ajo që bie në sy në mijërat e nënshkruesve është shkrirja e të gjithë gjeneratave të popullsisë, sidomos të rinjtë dhe të rejat, përfshi edhe tre-katër besimet).
Njëherësh me këtë aleancë, herë brenda saj dhe herë në staturën e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nën bekimin e nënkuptuar edhe të Presidenti Topi, ndërmori një kontroll në rrethet gjyqësore të disa niveleve në Korçë, Gjirokastër, Shkodër e Vlorë dhe denoncoi shifrat alarmante të tjetërsimit të kombësisë, falë një ligji të miratuar disa vjet më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga papërgjegjësia e disa gjyqtarëve dhe nëpunësve të vegjël të zyrave të gjendjes civile.
Po aq sa puna e bujshme dhe e pabujshme e kësaj aleance, një dukuri tjetër domethënëse ishte angazhimi i mediave më serioze vizive e të shkruara në këtë hapësirë me kufij në shkrirje e sipër, që rimorën ide nga eseja brilante e Kadaresë dhe nga problematika e sotme shqiptare. Në këto cikle emisionesh apo speciale të gazetave u thirrën të jepnin opinionet e tyre intelektualë, akademikë dhe historianë të spikatur. Nën këtë përgjegjësi ishte edhe një veprimtari e dy PEN Qendrave të Kosovës dhe Shqipërisë në sallën e bibliotekës së Prishtinës ku diskutimi letrar i “Mosmarrëveshjes…” u bë shtysë për trajtimin e problemit të identitetit shqiptar përballë prirjeve globalizuese të shoqërisë së sotme.
Dhe në këtë atmosferë të zgjimit shqiptar, nuk mund të mos emocionojnë lëvizja e flamurit të tifozëve në ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësueses shqiptare, valëvitja e tij e përhershme në shtëpinë e ikonës poetike Lefter Çipa në Himarë, shpërndarja e flamurit në ditë feste të të rinjve të partisë çame të bashkuar dhe qindra episode të tjera kur shqiptarët shtrëngojnë radhët rreth vetes për të mos u cenuar prej askujt dhe nga askush.

Dy fjalë pë librin

Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten Sprovë letrare me autor Ismail Kadare. Shtëpia botuese “Onufri”, viti i botimit 2010. Faqet e librit 208. ISBN 978-99956-87-33-5

Si veteran i gjymtuar pas prerjes, që u përmend në krye të kësaj sprove, ai himn do të avitej me drojë te sheshi i kombeve, përballë himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiler-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për t’i dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë. Nëpërmjet tij, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që rrihnin të kapnin përgjigjen për të. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë… Se çfarë kishte thënë Zoti dhe si e kishin kuptuar ata, ky kishte qenë dhe ende mbetej thelbi i pazbërthyer i çështjes.

“Ky libër nuk është as histori dhe as shkencë, por thjeshtë letërsi dhe sprovë letrare”, sipas Kadaresë. Sipas tij “ky libër u përket të gjithëve”. Libri nis me sprovën “Rreth himnit të vjetër të shtetit” për të vazhduar më tej me “Enigma”, “Mjegull,Prolog me djallin”, “Dialog me Djallin dhe Zotin”, “Pantomima e frikshme e Bronzit”, “Gjergj Kastrioti kundër Arbrit”, “Intermexo me dy vrasje në sfond”, “Lëngatë në gadishull”, “Tri gjendje të Kastriotit”, “Epilog me Zotin”.

Please follow and like us: