Albspirit

Media/News/Publishing

Plani serbo-rus dhe ndihma Rama-Thaçi për krijimin e federatës serbo-boshnjake!

Enver Bytyçi
Gjithçka që po ndodh këto kohë në Kosovë dhe rreth Kosovës është diçka e parashikuar dhe e paparashikuar, por di të them se Kosova as në kohën e Milosheviqit nuk ka qenë në këtë lloj qorrsokaku. Së paku atëherë shqiptarët e Kosovës ishin homogjen dhe dinin çfarë kërkonin e çfarë bënin. Kosova është në një udhëkryq shumë të madh. Dhe në një udhëkryq pa zgjidhje, në një amulli që nuk mund të imagjinohet.
Nëse do më thoshte dikush para 5 ose 10 vitesh se do vinte një ditë, kur vetë presidenti i Kosovës do të bënte Pazar me territorin e vendit, këtë nuk do ta pranoja edhe sikur një serb ta udhëhiqte atë. Por realiteti është i tillë. Diplomacia serbe është në pozitë superiore edhe në raportin e saj me mikun më të madh të shqiptarëve, SHBAnë. Kosova është në rrezik serioz. Kjo ka ardhur sepse presidenti i vendit është bashkuar me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Shqipërisë në aventurën e realizimit të ëndrrës së Serbisë së Madhe.
Atë që nuk mundi ta bënte Milosheviqi me luftë e masakra po e bëjnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit i futi në thes di dy liderët aktualë shqiptarë, i mikloi ata me lloj-lloj formash dhe më në fund ia arriti që t’i bindë për ndarjen e Kosovës. Pra, jemi këtu ku jemi, sepse vetë presidenti i Kosovës ka dashur dhe dëshiron që Kosova të ndahet, që Serbia të jetë e pranishme në Kosovë edhe në të ardhmen dhe që Kosovën ta drejtojë një Ali Shukri apo një Rrahman Morinë i kohëve më moderne.
Esat Pashë Toptanët
Projekti nuk ndalet me ndarjen e Kosovës. Pas ndarjes Rama e Thaçi, me mbështetjen e dikujt në opozitë, do të kërkojnë zyrtarisht krijimin e një federate shqiptare me dy republika, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Thjesht, do jetë një shou i radhës, për t’u thënë shqiptarëve se “ja, ne e bashkuam Kosovën me Shqipërinë”! Do të mburren e do të mburren, aq sa qytetarët do të besojnë “si gomari ëndërr” se “nuk i kanë dhënë territor Serbisë, po përkundrazi e kemi mundur edhe njëherë tjetër Serbinë”! Për këtë projekt ata do ta kenë mbështetjen e Beogradit e të Moskës.
Pse? Sepse Moska dhe Beogradi në modelin e federatës shqiptaro-kosovare duan të themelojnë një federatë tjetër, atë serbo-boshnjake. Justifikimi është se në BH jetojnë një milion e treqind mijë serbë dhe një federatë serbe me BH është e justifikueshme dhe ndoshta e pranueshme edhe për Fuqitë e Mëdha. Për këtë arsye situate në Bosnjë mbahet e ngrirë, shteti nuk funksionon atje.
Pra, ndarja e Kosovës realizon dy interesa madhore strategjike dhe gjeopolitike të Serbisë e Rusisë: – Në njërën anë Beogradi merr pjesën më vitale, më të pasur të Kosovës, nga ana tjetër krijon mundësinë e zgjerimit të territorit serb në formën e një federate edhe dy herë më shumë sa është sipërfaqja e sotme. E gjitha kjo do të realizohet me ndihmën e pakursyer të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Për këto arsye Rama dhe Thaçi pas një dekade do të kenë monumente në qytetet serbe, njësoj siç ka një monument të tillë Esat Pashë Toptani. Dhe me të drejtë: As Moska nuk ka mundur t’ia japë këtë shans Serbisë. Po ia japin Edi Rama dhe Hashim Thaçi!
Rusia dhe Serbia kanë mundur t’i bindin disa shtete evropiane se “Nuk është gjë e mirë që në OKB të kemi dy shtete shqiptare”! Kjo e ka dobësuar pozitën e Kosovës dhe i ka dhënë përparësi opsionit të ndarjes. Ndërkaq për këtë e kemi ndihmuar me parullat tona patetike të “bashkimit kombëtar” shtetin e Serbisë! Është një temë për të cilën kam folur vazhdimisht, sepse e kam ditur se “patriotizmi folklorik” edhe i disa të ashtuquajturve akademikë sidomos në Kosovë, do të na kushtojë. Ndërkaq ky lloj “patriotizmi” është nxit fort nga Edi Rama.
Tani kuptojmë qartë se ideja e “bashkimit kombëtar” dhe flamuri i “bashkimit kombëtar” po i bindin Fuqitë e Mëdha se “Ndarja e Kosovës e bën atë shtet jo funksional dhe për këtë arsye mënjanohet anëtarësimi i saj në OKB, sepse pjesa e mbetur lehtë bashkohet me Shqipërinë”! Kështu nuk do të ketë dy shtete shqiptare në OKB. Ndërkohë që ky akt i hap më pas rrugën krijimit të asaj që është projektuar, Federata SerboBoshnjake!
Agjenda antishqiptare
Po pse Thaçi dhe Rama janë angazhuar në ndihmë të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe? Nuk është vetëm Gjykata Speciale, nuk janë vetëm ato që thuhen, se Thaçi “është i kapur” nga ngjarjet e luftës. Ky ngërç kapërcehet, sepse një dosje e krimeve serbe në Kosovë me emra e mbiemra serbësh të inkriminuar do të zhvleftësonte çdo akuzë kundër Thaçit dhe ish-komandantëve të UÇK-së të akuzuar për të ashtuquajturën “krime lufte”!
Rama dhe Thaçi kanë interesat a realizojnë këtë projekt, sepse nëpërmjet tij zhvillojnë aferat e biznesit me Serbinë. Ata edhe sot kanë aksione në kompanitë e lidhura me presidentin serb. Kanë interesa ekonomike dhe kanë projektuar që në të ardhmen të bashkëpunojnë përmes kapitalit të të tri vendeve, përmes formave të njohura të grabitjes së pasurisë. Ndër to më e preferuara është Partneriteti Publik Privat! Ata të tre kanë plane të mëdha për të ardhmen. Duan që të shndërrohen në njerëzit më të fuqishëm të pushtetit e të biznesit në rajon.
Mendojnë se në këtë formë e kanë më të lehtë ta putinizojnë qeverisjen e vendeve respektive, dmth të krijojnë një sistem politik e institucionesh, të cilin do ta administrojnë dhe drejtojnë këta të tre, përkatësisht në Shqipëri, Edi Rama, në Serbi, Aleksandër Vuçiq dhe në Kosovë, Hashim Thaçi.
Nëse dikujt këto që po ju them i dukën fantazi, koha do të provojë se bashkëpunimi Rama-Vuçiq-Thaçi ka një prapavijë dhe agjendë antishqiptare në funksion të shndërrimit të tyre në demonë të popujve dhe kombeve që ata drejtojnë. Për të realizuar këto qëllime ata po shfrytëzojnë me mjeshtri zhvillimet e sotme ndërkombëtare.
Ndërkohë Fuqitë e Mëdha, të cilat deri sot ishin kundër ndarjes së Kosovës, kanë të drejtë kur shprehen se “Nëse ju bini dakord për ndarjen, ne nuk kemi pse të jemi kundër”! Loja është sajuar të zhvillohet në portën e Kosovës e për llogari të fitores së Serbisë. Me këtë formulë operon shumë lehtë Beogradi. Presidenti i Kosovës po luan hapur kartat serbe. Në prapavijë e në hije i vjen në ndihmë Edi Rama. Pa folur për sejmenët e shumtë që u shërbejnë këtyre të dyve në Shqipëri dhe në Kosovë.
Mu. Na.!
Në Shqipëri nuk ka dalë krejt rastësisht me një rol të tillë njëfarë Mu. Na.! Në Kosovë njihen këta sejmenë. Dhe në fund, nëse dikur shqiptarët dhe bota fajësonin Milosheviqin, tani askush nuk mund të fajësojë askënd pse Kosova dhe shqiptarët po dhunohen kaq brutalisht madje me humbje territoresh ose me krijimin e një shteti serb brenda saj!
Please follow and like us: