NATO: Jemi të gatshëm të ndërhyjmë në Kosovë në çdo situatë të tensionuar
Komandanti i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli Admirali amerikan, James Foggo, ka deklaruar se NATO ka 4000 ushtarë në gatishmëri në çdo situatë dhe ata janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo rasti të dhunës në Kosovë. Ai ka deklaruar se NATO nuk dëshiron që të ndërhyjë në bisedimet Kosovë-Serbi, por shton se nuk sheh asnjë kërcënim për integritetin e Kosovës. “KFOR është shumë i fortë dhe ne nuk shohim ndonjë problem në të ardhmen e afërt apo të largët”, tha ai. Sa i përket ndarjes së Kosovës, një opsion që është duke u lakuar në mediat kosovare ai tha: “këto janë pyetje politike që duhet të zgjidhen përmes dialogut Prishtinë-Beograd”. “Çdo herë që ka diskutime për zgjidhje kontroverse politike për problemet në Ballkan, ka potencial për trazira. Dhe rrjedhimisht jemi të vetëdijshëm se kjo është një kohë e rëndësishme, se ka shumë diskutime përtej kufijve të Kosovës, siç thashë në mes të Prishtinës dhe Beogradit, udhëheqësit politikë që përpiqen t’i zgjidhin disa çështje të vështira”, theksoi ai. “Në demokraci, jo të gjithë pajtohen, disa njerëz i shprehin mosmarrëveshjet e tyre në rrugë, unë do të ju rekomandoja që të mos e bëjnë këtë gjë, ose nëse veprojnë kështu, si në çdo demokraci të civilizuar, kjo gjë të bëhet në mënyrë paqësore. Ne do të jemi këtu për t’i mbështetur institucionet e Kosovës, të cilat ruajnë sigurinë, gjatë këtij muaji dhe muajve të tjerë të vitit”, ka thënë Admirali Amerikan.