Albspirit

Media/News/Publishing

3 gusht 1983, kur mbyllte sytë përgjithmonë bashkëshortja e Lasgush Poradecit

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit. Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar”? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.
Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë”!

E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë.

L. Poradeci Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, pergatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho.

Please follow and like us: