Albspirit

Media/News/Publishing

Musa Vyshka: GENCI E VILI

 

 

Kushtuar dy poetëvë të pushkatuar nga diktatura.

 

Dhe s’di se kush qan i pari

Shkumbini plak apo Rrapuni,

Por di që këto vise qajnë

Akoma e nuk i zë gjumi.

 

Dhe s’di si del ende Polisi

E më krekoset përballë botës,

Por di që vetë Skenderbeut

Iu pre buzëqeshja sipër sofrës.

 

Dhe s’di se kush qe vargu i fundit,

Që gdhin me një figurë të vdekur,

Por di që poezia vetë

Erdhi e qau mbi ta e heshtur.

 

Dhe s’di në cilin rrokje e varg,

Dhimbjet mbi tela rimash mbetën,

Por di që vdekja u përlot

Kur ata po falnin jetën.

 

Dhe s’di si zbriti nëpër rreshta

Dielli aty të ndizte flakët,

Por di që zbriti në Bërzeshtë

Zoti që t’u mjekonte plagët.

 

Dhe s’di në cilin varg ka mbetur

Ajo, e fundit poezi,

Veç di që rron e nuk ka vdekur

E madhërishmja dashuri.

 

Tiranë, më 5 shkurt 2001.

Please follow and like us: