Fritz Radovani: Katilat e mbytën dhe e lanë edhe pa varr
2 GUSHT 2018 EDHE NJË USHTAR I ATDHEUT DHE I FESË MA SHUMË!
2 GUSHT 1918 U shugurue Meshtar At Bernardin Palaj O.F.M. (1894 – 1946).
EDHE NJË DIJETAR FILLON ME DALTUE ME PENË NDER ALPET TONA…
1944 Per Françeskanët e Shqipnisë, hapi vetem gropa varrimi pa emen dhe Kryq…
Pranë Spitalit të Shkodres ishte edhe konvikti “Malet Tona”, një ndertesë që shpejtë u kthye në hetuesi, se i duhej Sigurimit të shtetit me kenë pranë Spitalit per “autopsi”…
Në vitin 1946 asht arrestue edhe një shkodranë që per fat ka jetue deri në vitin 1999, kur shumica e Martirëve tanë e kishin mbyllë jeten e vet. Ky ishte Loro Vata, nder Burrat e nderuem per qendresen nder tortura dhe në vuejtjet e pafund nder kampet e shfarosjes.
Njëtjeter vlerë e Loros që ndoshta, nder shumë të tjerë edhe mungonte, ishte saktësia e ruejtjes së ngjarjeve në kujtesen e Tij, që kur fliste të dukej sikur po lexon kujtime…
Pata fatin e madh me u njoh afer me Loron mbas vitit 1992, kur unë porsa kishe fillue me shkrue per vitet e paharrueshme të diktaturës komuniste dhe “luftës së kllasave”.
Një ditë u takueme tek Dugajt’ e Reja, dhe u ulëm me Loron me pi nga një kafe tek klubi poshtë shtëpisë Plevneshëve. Loro filloi nga 1946, pak ditë mbas arrestimit kur Loro Vata dergohet në hetuesinë tek konvikti “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje edhe të arrestuemit tjerë. Në krahun tjeter Fadili i kishte vue pranë Loros një zonjë shkodrane, së ciles i kishin pushkatue burrin dhe këte po e torturonin me e dënue. Kjo ishte zonja Bedrije Ashikja, e motra e Ahmet Ashikes.
Shpesh Bedrijen vinte dhe e merrte hetuesi Dul Rrjolli, dhe e vente me pastrue zyret.
Loro po më tregonte per ditët e para të Dhjetorit 1946, kur Bedrija mbasi mora fshisen dhe koven e ujit shkoi tek dhoma e Fadilit me e pastrue zyren e tij. Dy kriminelat, Fadili me Dulin kishin dalë perpara ndertesës dhe po pinin cigare.
… Nuk kishin kalue pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomen e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse… As nuk mund të merrej me mend!
Shumë shpejtë nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti Bedrijen: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro… moj e poshter.., moj…” dhe
ai vazhdoi, tue terhjekë rrëshanë Bedrijen, që nuk i ndigjohej fare zani, por tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, eci derisa e holli në qeli… Mërrijti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund Fadili e porositi me nervozitet Bedrijen: “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj ..!”
Loro tregoi se atë natë ishe i sigurtë se i pergjojnë, prandej, as nuk i kishte dhanë asnjë sinjal Bedrijes per me marrë vesht shka ngjau atëditë, në zyren e torturave të Fadilit…
Të nesermen heret më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di shka ka ngja dje në zyre të hetues Fadilit?” – Unë, i pergjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë, dhe hollen aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët mu tek qerrshija brinjë murit të hetuesisë… Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura!
Bedrija i kishte tregue Loros, se: “Gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet ngjyrë kafe. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe nga tmerri më ka ra të fikët… Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e mbas pak kam ardhë në vete. Gjithë diten jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka…
Një tmerr me e pa Fratin e shkretë ashtu..!!”
***
E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me u shkrue si ishte e verteta!
Keni “harrue” sa vjet janë ba tue tregue përralla me mbret e tetanoz…
E sa mija e mija Martirë t’ Atdheut janë të mbuluem me përralla e rrena…
HIQNI DORË NGA MASHTRIMET ! Kerkoni të verteten!
Nuk ua hiqni dekoratat “Heronjve” Vrasës dhe Tradhëtarë! I mbrojnë bijt’ e tyne…
…E, kur pat pyet Dulin një shok i veti: “Çka po bani në këte popull kështu, o Dul!?”
Ai u pat pergjegjë: “Kur ishim fëmijë, nder mejtepe, nga Hoxhallarët e patme ndigjue fjalen Zot! Po këta që po rriten që as nuk e kanë ndigjue as, nuk e dijnë Atë Emen?
Mendoni se çka do të bajnë këta mbi këte Popull…”
Koha po i verteton të gjitha parashikimet!
Melbourne, Gusht 2018.