Jorida Tabaku: Rama i dha vëllait miliona euro
Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë të vëllait monopolin e kontrollit të tregut të bixhozit, duke fituar miliona euro nga numri i lartë i pikave të basteve, që janë 4 fishuar këto 5 vite.
“Katërfishimi i pikave të basteve në Shqipëri nuk është thjesht një marrëzi e Edi Ramës, por është një plan korruptiv i mirëmenduar për t’i dhënë të vëllait, Olsi Rama, miliona euro fitime nëpërmjet konçesionit të mbikqyrjes së lojrave të fatit. Në shkelje të çdo ligji, kontrata e konçesionit nuk është bërë asnjëherë publike dhe Ministria e Financave vazhdon të fshehë sesa do ta rëndojë buxhetin ulja e taksave për bixhozin”, deklaroi Tabaku.
Më tej Tabaku është ndalur tek premtimi i Ramës pasi erdhi në pushtet për të mbyllur pikata e basteve, që sipas të dhënave nuk janë zvogluar, por shtuar ndër vite.
“Në vitin 2013 ishin 928 pika bastesh dhe 4 vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pikat e basteve janë katerfishuar, duke numëruar 4230 pika bastesh. Edi Rama që, dikur përbetohej për mbylljen e pikave të basteve dhe mashtronte shqiptarët se ishte kundër bixhozit, e ka përdorur pushtetin për t’i dhënë të vëllait monopolin e tregut të bixhozit”, shton ajo.
Sipas Tabakut, ligji i jep Olsi Ramës monopolin e mbikqyrjes dhe kontrollit të tregut të bixhozit, duke e dhënë me konçesion shërbimin tek një kompani e vetme, e cila, sipas ligjit korruptiv të vitit 2015 do ta ketë këtë të drejtë për 30 vjet.
“Edi Rama po e shtyn prej 3 vjetësh hyrjen në fuqi të zbatimit të ligjit për t’i dhënë mundësi bixhozit dhe pikave të basteve të zgjerohen dhe, në këtë mënyrë, kompanisë konçesionare të të vëllait, t’i shtohet fitimi”, u shpreh Tabaku, që preton se pasi të vijë PD në Pushtet do të anulojë çdo ligj selektiv, çdo konçesion që është monopol dhe çdo favorizim nga ata që sot qeverisin me krimin e organizuar dhe po pastrojnë paratë në ekonomi.
“Rishikimi i ligjit antimafia do të sigurojë që çdo qindarkë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të kthehet në ekonomi”, theksoi Tabaku.