Albspirit

Media/News/Publishing

IMAM VEHBI ISMAII-PATRIOT, NJERI I FESË DHE DISHEPULL I TRADITËS SË TOLERANCËS FETARE NDËR SHQIPTARËT

 

Siç është njoftuar më herët, Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë të dielën më 21 shtator. Gjatë kthimit të tij me aeroplan nga Seuli për në Romë të hënën, Papa zhvilloi një seancë me gazetarët që e kishin shoqëruar në vizitën e tij në Korenë e Jugut. Ndër pyetjet e shumta të gazetarëve që kishin të bënin me gjendjen aktuale në botë, udhëheqësi i Kishës Katolike u pyet edhe se, pse kishte zgjedhur të vizitonte Shqipërinë në shtator.

Në përgjigje të pyetjes, Ati i Shenjtë – sipas Radio ‘Vatikanit’, nënvizoi se, ai nuk po vizitonte Shqipërinë, siç kanë supozuar disa, se sipas tyre, është në stilin e Papës për të filluar në “periferi”. Radio ‘Vatikani’ njofton Papa, u tha gazetarëve se, ai po viziton Shqipërinë për dy arsye të rëndësishme: “e para sepse shqiptarët kanë arritur të krijojnë një shtet të unitetit kombëtar midis tri feve kryesore të shqiptarëve, islamit, ortodoksisë dhe katolicizmit, falë një Këshilli Ndërfetar që vepron me shumë ekuilibrim”. Kjo,- tha Papa – është një gjë e mirë dhe shtoi se, “Prania e Papës (në Shqipëri) do të shërbejë për t’i thënë të gjithë popujve të botës se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku”.

Papa Françesku, u tha gazetarëve se, arsyeja e dytë me rëndësi, se pse ai po viziton Shqipërinë në shtator, ka të bëjë me historinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, ishte unike ndër vendet ish-komuniste, Kushtetuta e së cilës ndalonte me ligj fenë dhe se ishte shpallur vend ateist. “Të merrje pjesë në meshë, ishte kundër Kushtetutës së regjimit komunist”, u tha Papa gazetarëve të huaj. Sipas Radio ‘Vatikanit’, gjatë përgjigjes ndaj pyetjes mbi vizitën e ardhjes në Tiranë, ai përmendi gjithashtu edhe shkatërrimin e Kishave gjatë sundimit komunist dhe si përfundim, ai sot e ndjen si detyrë që të vizitojë atë vend fisnik, është cituar të ketë thënë Papa.

Papa Françesku

Duke u bazuar në prononcimet e Vatikanit dhe të deklaratave të vetë Papa Françeskut, është e qartë se njëra prej arsyeve kryesore që ai ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Europë, pikërisht në këtë moment të historisë ka të bëjë me vlerësimin e madh që Selia e Shenjtë i kushton harmonisë dhe tolerancës fetare ndër shqiptarët. Është kjo një traditë me të cilën shqiptarët kudo, me të drejtë, mburren. Por kjo harmoni nuk ka pikuar nga qielli, por ka tani dhe ka pasur mbështetësit dhe promovuesit e saj, pikësëpari në radhët e udhëheqësve fetarë të tri besimeve kryesore, tani dhe në të kaluarën, si brenda trojeve shqiptare ashtu edhe në mërgim.

Njëri ndër ta në mërgim ka qenë Imam Vehbi Ismaili, një udhëheqës i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe i atij mysliman në veçanti. I njohur mirë brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, i përndershmi Imam Vehbi Ismaili, i lindur në Shkodër, ka shërbyer për disa dekada, si udhëheqësi i Qendrës Islame Shqiptare në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si udhëheqës fetar dhe atdhedashës i dalluar, gëzonte një respekt jashtëzakonisht të madh nga i mbarë komuniteti, pa dallim feje e krahine. Jeta dhe veprimtaria e tij është shumë e pasur në shumë fusha, por për qëllimet e këtij shkrimi modest dhe për kohën që jetojmë, e kujtojmë Imamin e ndershëm, sidomos për kontributin e tij të madh dhe të pashlyeshëm në harmoninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve pa dallim feje në vigjilje të vizitës së njoftuar të Papës në Shqipëri, siç duket si njëra prej dy arsyeve kryesore që ai po viziton shqiptarët.

Tradita e harmonisë fetare, midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme simbolizohej më së miri nga jeta dhe veprimtaria e Imam Vehbi Ismailit. Ai ndërroi jetë më 2008-ën, por trashëgimia e tij në fushën fetare dhe kulturore është gjithnjë frymëzuese për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve dhe jo vetëm në Amerikë. Ai gjithë jetën e kaloi në shërbim të fesë dhe të Atdheut, si promovues i harmonisë fetare dhe jo vetëm në radhët e shqiptarëve, por edhe më gjerë. Ky qëndrim i tij vihej në dukje kurdoherë që fliste. Një rast i tillë, që ende mbahet mend nga pjesëmarrësit ishte pothuaj 30 vjet më parë, më 1985, kur Qendra Katolike Shqiptare për Informim, në San Francisko të Kalifornisë pati organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste. Ironikisht, por ndoshta simbolikisht, Enver Hoxha vdiq në vigjiljen e mbajtjes së Përkujtimores, tema e së cilës ishte paqja dhe pajtimi dhe njëherazi u bë thirrje për një përpjekje të shërimit të plagëve kombëtare.

Në këtë ceremoni përkujtimore pati marrë pjesë edhe Imam Vehbi Ismaili, i cili me fjalimin e tij bëri që i gjithë kongregacioni të ngrihej në këmbë me duartrokitje. Në atë fjalim, përmbajtja e të cilit rezonon aq fuqishëm dhe është profetizues edhe për ditët tona, Imami shqiptar iu drejtua pjesëmarrësve, ku përveç shqiptarëve kishte edhe shumë amerikanë dhe përfaqësues të kombësive të tjera, duke thënë se, “Jetojmë në një botë të rrezikshme, në një botë ku forcat e errëta të fanaticizmit politik-fetar dhe racial kanë ndërmarrë një sulm frontal kundër vlerave morale dhe shpirtërore, të cilat janë pjesë e përvojave tona, kryesisht e trashëgimisë sonë fetare. Luftërat e ashpra dhe ‘primitive’, tha ai, ‘konkurrojnë’ me urinë dhe sëmundjet për të zënë vendin e parë në një garë, që po kërcënon themelet bazë të jetës dhe të shoqërisë tonë.

Lufta midis të keqes dhe të mirës ka arritur proporcione të pashembullta”, theksoi ai. “Nuk është kjo një luftë e një feje kundër tjetrës, por është vetë feja që po kërcënohet që të zhduket nga faqja e dheut. Feja është bërë objekt sulmi i forcave të verbëta të së keqes dhe të shkatërrimit”, tha Imam Vehbi Ismaili, 30 vjet më parë në fjalimin e tij në San Francisko të Kalifornisë. Duke falënderuar organizatorët e ceremonisë së përkujtimit të persekutimeve fetare në Shqipëri për ftesën që i kishin bërë Imam Vehbi Ismailit, ai tha me atë rast, se kishte dy arsye se, pse ai e ndjente si një detyrim të ishte i pranishëm në atë ceremoni. Njëra arsye për pjesëmarrjen e tij, -shtoi ai, si udhëheqës fetar ishte e shenjtë dhe arsyeja e dytë ishte njerëzore, e cila ka një vlerë njerëzore universale. Ai theksoi se: “Të gjithë ne, pa përjashtim jemi krijesa të Perëndisë, të një familjeje të madhe dhe unike… Si mysliman”, -vazhdoi ai, – “unë e ndjej veten pjesë të kësaj familjeje njerëzore, të një familjeje të vetme dhe të pandarë… vëllezër e motra, pjesëtarë të racës njerëzore”.

Imam Vehbiu vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se, “vrasja e një prifti të krishterë ose të një imami mysliman në Shqipëri ose në Kinë, ose të një të burgosuri shqiptar në Jugosllavi, ose të një hebreu të torturuar në Bashkimin Sovjetik, ose të një zezaku në Afrikën e Jugut…të gjitha këto janë plagë të pashërueshme që brengosin dinjitetin tonë njerëzor dhe si të tilla duhet të kundërshtohen me të gjitha fuqitë dhe pa marrë parasysh pasojat… ne duhet të shohim, të dëgjojmë dhe të flasim me qëllim për të ndaluar, në të ardhmen, holokauste kundër njerëzimit. Çdo gjë më pak do të ishte baras me tradhtinë kundër njerëzimit”, -ka thënë Imam Vehbi Ismaili.

Duke folur për harmoninë dhe tolerancën fetare, që siç tha ai është një subjekt shumë afër zemrës dhe veshit të tij, ai u shpreh se: “Ndoshta shembulli më i mirë i bashkëpunimit dhe tolerancës midis feve dhe besimeve të ndryshme mund të gjendet këtu, në këtë shtet të bekuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pikërisht në radhët e besimtarëve shqiptarë në këtë vend. 70 vjet më parë, kur ortodoksit shqiptarë morën iniciativën për të ndërtuar kishat e tyre në Amerikë, myslimanët shqiptarë”, -tha ai, “kontribuuan bujarisht për ndërtimin e faltoreve ortodokse shqiptare. 35-vjet më parë kur myslimanët shqiptarë filluan ndërtimin e Xhamisë së parë në Detroit, ortodoksit shqiptarë ndihmuan, gjithashtu bujarisht. Dhe kohët e fundit vazhdoi Imam Vehbiu, “kur vëllezërit dhe motrat tona katolike shqiptare filluan fushatën për ndërtimin e kishave të tyre në New York dhe në Detroit, në xhamitë tona u mblodhën fonde për ndërtimin e kishave katolike në Amerikë.

Kjo është Amerika! Kjo është Shqipëria në liri. Kjo është ndërgjegjja më e lartë njerëzore”, përfundoi Imam Vehbi Ismaili fjalimin e tij 30 vjet më parë, me rastin kujtimit të 40- vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste. Ky ishte Imam Vehbi Ismaili, shembull fetari dhe patrioti, i cili së bashku me Imzot Fan Nolin dhe me klerikët katolikë shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshin dhe Don Prenk Ndreavshajn, ndër të tjerë, njëkohësisht si patriotë dhe fetarë që ishin, ata e dalluan veten si bartës të traditës shqiptare të tolerancës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, duke mos humbur kurrë dashurinë e tyre për atdheun. Jetën dhe veprimtarinë e Imam Vehbi Ismailit e përmblodhi më së miri redaktori i shtëpisë botuese “Logos-A” në Shkup, e cila ka botuar përmbledhjen prej disa vëllimesh të veprave të Imam Vehbi Ismalit, z. Afrim Gashi, i cili duke pasqyruar, në një intervistë me ‘Zërin e Amerikës’, vlerat fetare dhe patriotike të Imam Vehbiut, u shpreh se: “Ajo që na dallon ne shqiptarëve nga popujt e tjerë, është edhe mënyra si e praktikojmë ne Islamin, sepse tek shqiptarët Islami nuk është përplasur me kulturën shqiptare, kështu që feja dhe kultura shqiptare kanë bashkëjetuar mes tyre.

Veprat e Imam Vehbi Ismailit, jeta dhe veprimtaria e tij në Shtetet e Bashkuara është tregues se Islami te shqiptarët dallohet nga ai te kombet e tjerë”, tha z. Gashi. Kontributi i Imam Vehbi Ismailit, me shembullin e tij dhe me shkrimet dhe veprimtarinë e tij, mbetet tepër i madh edhe gjithnjë mbahet mend si klerik dhe patriot i dalluar në radhët e shqiptarëve të të gjitha feve, si promovues i harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit ndaj njëri -tjetrit, pa marrë parasysh dallimet fetare ose krahinore që mund të ekzistojnë.

Ai është mishërim i dashurisë së tij për fenë dhe për Atdheun. Ai është cituar të ketë thënë me një rast se: “Një klerik i ndershëm, nuk e tradhton kurrë atdheun. “Nderim dhe respekt për trashëgiminë e traditës së harmonisë fetare ndër shqiptarët dhe për kontributin në këtë fushë të Imam Vehbi Ismailit, kësaj figure të shquar atdhetare dhe fetare të kombit shqiptar, të kësaj tradite dhe trashëgimie ndër shqiptarët, për të cilën edhe Papa Françesku u prononcua para botës, se po shkon në shtator në Shqipëri për të adhuruar këtë traditë tolerance dhe harmonie fetare dhe njëkohësisht, siç u shpreh ai vet, që me praninë e tij në Shqipëri, t’u thotë, “të gjithë popujve se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku”.

 

Please follow and like us: