Haradinaj: Kosova është e gatshme të japë kontribut në misionet e NATO-s
Prishtinë, 5 gusht 2018 – “Është nder të ju kemi këtu. Ne ishim në Pentagon dhe jemi munduar ta shpjegojmë historinë tonë, të arriturat tona. Por, ardhja juaj në Kosovë është rast që Ju t’i shihni për së afërmi të arriturat tona. Kosova është partner i SHBA-ve”.
Kështu ka thënë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me Gjeneralin Joseph L. Lengyel, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtar i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shtunën, në Prishtinë.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se zhvillimet e fundit në Kosovë ishin temë e bisedës në këtë takim.
Kryeministri Haradinaj e njoftoi Gjeneralin Lengyel për progresin që ka shënuar Republika e Kosovës, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për orientimin properëndimor dhe euroatlantik dhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në Forcë të Armatosur, thuhet në njoftim.
“U jemi mirënjohës SHBA-ve për ndihmën e dhënë deri më tani në rrugën tonë drejt lirisë dhe në procesin e ndërtimit të paqes. Çka do që është arritur në Kosovë është një punë e përbashkët. Jemi optimist për të arriturat dhe për orientimin tonë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të SHBA-ve në procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, duke theksuar se ky transformim do t’i kontribuonte stabilitetit në vend dhe në rajon.
Haradinaj ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë profesionale dhe multietnike, ku janë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe ka theksuar se ajo është e gatshme të japë kontributin e saj edhe në misione jashtë vendit.
“Kosova është shtëpi e të gjithëve. Ne kemi bërë punë të mirë brenda FSK-së, duke përvetësuar standarde profesionale, duke i përfshirë minoritetet dhe duke bashkërenduar veprimet tona në partneritet me aleatët tanë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova tani është kthyer nga absorbuese e sigurisë në faktor stabiliteti për sigurinë, duke qenë pjesëmarrëse në të gjitha nismat rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe se është e gatshme të shndërrohet në ofruese të sigurisë në misionet e NATO-së kudo në botë.
“Ne kemi punuar shumë që të arrijmë në këtë fazë, për të qenë të gatshëm të bëhemi partner dhe të krijojmë marrëdhënie bilaterale edhe në fushën e sigurisë”, ka thënë Haradinaj.
Sipas njoftimit tw Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtari i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjeneralin Joseph L. Lengyel, e ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai ka thënë se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën.
Kryeministri Haradinaj e ka nderuar Gjeneralin Lengyel me Hartën e Kosovës, në shenjë respekti dhe nderimi për kontributin e tij dhe të SHBA-ve në interes të Kosovës.
Në këtë takimi kanë marrë pjesë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtënant, Rrahman Rama, dhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.