Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Podrimja: Revoltë e heshtur

1.

Përfytyroni Ismail Kadarenë në mbarim të viteve të pesëdhjeta dhe vargun çelës në universin e tij poetik Un’ tek udha kam dalë dhe rri…(Fusha shtrihet errët, 1957). Lexuesi i vëmendshëm këtë përceptim do ta kapë si revoltë të heshtur, thënë përmes një lirizmi të zymtë e mjaft sugjestiv, që vijëzon dhe atmosferën e shoqërisë shqiptare, e cila gjysmëshekulli përpëlitej dhe dëgjonte propagandën e Piramidës si refren monoton: te ne gjithçka është e bardhë…

Fusha e errët do ta përcjellë në ecejake poetin dhe do të bëhet shqetësuese mbasi fundi nuk i dukej. Me jakën e ngritur ëndërroja në shi, thotë ai në Poemë vjeshte. Pra, pakgjë shihej më tutje dhe atë që ta kapte syri ishte vetëm një kreaturë frikësuese, që kishte depërtuar dhe në ëndrrën e njeriut të mbyllur në kohë bunkerizmi. Kadare i vetëdijshëm për kodin etik të krijuesit, nuk mund ta pranonte miopinë ndaj së shëmtuarës, që rrënonte dinjitetin kombëtar dhe autoritetin e Shqipërisë para botës, se një vend pa krenari e moral i ngjan guaskës boshe. Me të lozin valët e mistershme. Ishte i bindur se nga ato tërmete e zjarre të brendshme duhej liruar, pra të mposhtej dhe izolimi kombëtar. Hulumton fuqinë magjike dhe fillon seleksionimin e elementeve shprehëse, beson në fjalë, nga e cila kërkon të pamundshmen. Në “Fushën e errët” megjithatë frymonte edhe diçka e shëndetshme: njerëzorja, e lashta e dënuar, e bukura…

Ndokush artikulimin e Kadaresë do ta shikojë me sy të tjetër dhe do ta kapë si provokim, por mu te ky dyshim hetohet kurajoja e tij intelektuale, se me pakënaqësinë qitte krye rebelimi, që do ta lexojmë edhe në prozën e tij si fuqi orteku që vë përpara të keqen. Vështrohet, hulumtohet, përceptohet e thuhet më sublimja në universin e tij; ngriten ide si të dilet nga ajo zymtësi shqiptare. Përmes mesazheve komunikon me lexuesin-interpretin. E djeshmja fillon te e sotmja dhe e tanishmja diku thellë në të ardhmen. Në tekstin e tij poetik inkuadron të bëmat nga lashtësia shqiptare, por edhe nga mitologjia helene; ia kënda të bredhë në botën shekspiriane dhe të na përkujtojë gjëra makabre. Mjaft me helm në vesh, dëgjohet poeti, tek e vë në shënjestër diktaturën, e cila turpshëm mbyllej, se ajo Fusha e errët na është hija e izolimit që kishte rënë në hapësirën tonë, ndoshta “hija e një shpendi të madh” siç do të thoshte Sen Xhon Persi. Po e ardhmja? Maalaut thotë: “E ardhmja nuk është shkruar asgjëkund, e ardhmja është ashtu si do ta bëjmë ne”, pra duhet dhënë shenjë se je gjallë; se duhet vepruar kundër të keqes në fushën e errët, ku “gjithçka është e varfër, e mjerueshme, e frikshme” (Dirck Schümer).

2.

Disa poezi të përzgjedhjes autoriale të Kadaresë kanë përfundim të papritur; paralajmërohen ndarje, përplasje, shantazhe; na shfaqet malli bojë hiri… adresat humbin (poezia Llora); dyshohet dhe në intimitet, se syrit të Piramidës vështirë t’i shpëtohet. Këto duhet shikuar nga një rrafsh tjetër, ku poeti shqetësimeve personale u jep përmasa kombëtare. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj. Fati i individit nuk shihet ndaras fatit të popullit, siç nuk mund të pranohet triumfi i çështjes  kombëtares fitore fisi. Tek e lexon një lirikë me subjekt dashurie, bindesh më vonë se ke hapur një fletë tronditëse nga historia njerëzore, depërton në çështje esenciale të ekzistencës. Kufizimi i lirisë Kadarenë e tmerron. (Ri)lexoni poezinë “Mall” dhe ndaluni te thënia e Heraklitit: Të zgjuarit janë bashkë në botë/ Kurse të fjeturit janë veç”. Thënie kjo e njohur, të cilës Kadare ia gjen vendin diku në strofën e tretë të poezisë së lartëpërmendur. Nuk ju zgjon kjo asociacione me mbylljen tonë prej një gjysmëshekulli? Vërtet tepër gjatë qemë në gjumë, as veten nuk e njihnim, se na mungonte kurajoja? Shikimi ynë thyhej aty te muri izolues, prej ku poeti u drejtohej brezave të ardhshëm: se shumë fjalë do t’i ketë zhdukur jeta… (Epilog, brezave që vijnë), apo shfajësimit ndaj një qytetërimi që deri dje e shikonim ndryshe: Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë…(Krishtlindjet në New York, 1997). Po ky udhëtim imagjinativ i Kadaresë me një kujtesë të rëndë dhe me një hark kohor prej katërdhjetë vjetësh (1957-1997), me gjithsej 40 poezi nxit të bësh pyetje: dolëm nga ajo fushë e errët apo mbi “varrezë bubullimash” endemi si të përhëntë?

Për herë të parë në botim të Rilindjes (Prishtinë, 1980) doli kompleti i veprave të Kadaresë, pra më herët se në vendin amë. Libri i dhjetë ishte përzgjedhja e poezive dhe më ishte besuar mua. Titullohet Buzëqeshje mbi botë. Ishte konceptuar mes dy poezive Vallja shqiptare dhe Kënga e ushtarëve të vjetër. Pse mbyllja librin me të dytën? Shkak ishte vargu: Nga lufta vijmë në lufta shkojmë. Parandjenjë e çuditshme me atë që ndodhi në Kosovë në vitin biblik (1999), kur barbaria serbe dogji edhe gurin e shtëpisë. Ndërsa përjashtë kisha lënë poezi dhe poema që nuk i bënin nder autorit. Koncepti im ishte diçka tjetër. Duhet zgjedhur vlerat e konfirmuara te krijuesit, sepse mbron letërsinë kombëtare. Frika e Kadaresë ishte dhe frika ime. Besoj se vlera dhe guximi nuk mund të rrinë ndaras. Zgjedhja autoriale “Ca pika shiu ranë mbi qelq” (Onufri, 2003) është lehtësim për mua, se paskam vepruar drejt në përzgjedhjen e lartëpërmendur. Kadare shkoi më larg, u tregua tepër rigoroz. Këtë e bëri për hir të poezisë, të këtij arti elit. Nuk është i vetëm Lasgushi, të cilin e bezdiste edhe një fjalë, edhe një figurë. Gjatë përpilimit të Buzëqeshjes mbi botë më kishte shqetësuar një piru, i cili vërtitej atje lart mbi botën. Pas Kosovës, Çamërisë, Mbishkodrës e trojeve të tjera kush e kishte radhën? Bën Shqipëria të jetë më xhuxhe, të humbjes së unit?

3.

Në vitet e ’70-ta të shekullit XX nacionalizmi serb ishte egërsuar. Nuk kishte poet serb që Mitin e Kosovës të mos e kishte subjekt të ndonjë teksti, apo vepre. As nuk mund të konsideroheshin kombëtar ata krijues që realitetin e shikonin ndryshe. Ujku i çalë u bë lajtmotiv, shfaqej nga poetët më të rinjë e deri te Vasko Popa (Vasil Popeski, rumun me origjinë). Shkrimit të tillë kishte zënë t’i vinte erë temjani, të pagëzohej art temjani. Nga libri i dhjetë i kompletit të Kadaresë kisha nxjerrë më vonë poezinë Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389, të cilën e kishte përkthyer në gjuhën serbe një mik imi. Kjo u botua në një gazetë letrare serbe. Lexuesit e kritika serbe e kishin pranuar si polemikë të mençur, ndërsa nacionalistët si dush ndaj nacionalizmit serb. Ra një poezi e Kadaresë dhe Mitit të rremë mbi Kosovën i shkaktoi dridhje të papritur. Fatkeqësisht propaganda serbe edhe në ditë të sotme këtë mit e përdor si tapi ndaj trojeve tona të aneksuara. Guximi intelektual i Kadaresë meriton të çmohet, se hedh dritë mbi çështje kurciale të Kombit.

Libri Ca pika shiu ranë mbi qelq, lexohet në shumës. Përmes shqetësimeve e kurajos së individit na jep dhe fatin e një populli. Me të drejtë bashkëkohësi i tij Dritëro Agolli e quajti emblemë kombëtare.

 

(Ulpianë, 15, 10, 2003)

Please follow and like us: