Albspirit

Media/News/Publishing

Hyjnë në fuqi sanksionet amerikane ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara rivendosën sanksionet ekonomike ndaj Iranit, të cilat fillimisht u imponuan që Teherani të kufizonte programin e tij bërthamor dhe më pas u hoqën në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare në vitin 2015.

Presidenti Donald Trump ka qenë një kritik i shpeshtë i marrëveshjes dhe i tërhoqi Shtetet e Bashkuara prej saj tre muaj më parë, duke rivendosur sanksionet, të cilat hynë në fuqi mbrëmë në mesnatë.

Në fillim të nëntorit pritet të hyjnë në fuqi sanksione të tjera amerikane që synojnë sektorin iranian të naftës dhe bankën e tij qendrore.

Në një koment në Twitter sot herët në mëngjes, Presidenti Trump shkruante se ri-vendosja e sanksioneve do të thotë: “Kushdo që bën biznes me Iranin NUK do të bëjë biznes me Shtetet e Bashkuara.”

“Unë po kërkoj Paqe në Botë, asgjë më pak!” shkruante ai.

Sanksionet e ashpra ekonomike e rrisin presionin ndaj Republikës Islamike, pavarësisht deklaratave të aleatëve europianë, të cilët shprehnin keqardhje të thellë.

Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja historike 2015-s ishte “e tmerrshme”, sepse i dha qeverisë iraniane fonde për të ushqyer konfliktet në Lindjen e Mesme.

Irani akuzoi Shtetet e Bashkuara për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore, e nënshkruar nga administrata Obama si dhe për krijimin e kaosit në ekonominë iraniane.

Në një deklaratë të bërë në prag të rivendosjes së sanksioneve, Presidenti Trump tha “Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të ndërmarrin hapa të tillë që e bëjnë të qartë se regjimi iranian përballet me një zgjedhje: ose të ndryshojë sjelljen kërcënuese, destabilizuese dhe të riintegrohet me ekonominë globale, ose të vazhdojë rrugën e izolimit ekonomik.”

Trump paralajmëroi se ata që nuk i shkëpusin lidhjet e tyre ekonomike me Iranin “rrezikojnë pasoja të rënda”.

Pavarësisht nga pretendimet e zotit Trump, marrëveshja “po funksionin dhe po e realizon qëllimin e saj” për kufizimin e programit bërthamor të Iranit, tha një deklaratë shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ministrat thanë se marrëveshja për Iranin është “vendimtare për sigurinë e Evropës, rajonit dhe të gjithë botës”. Bashkimi Evropian shpalli një “statut bllokimi” të hënën për të mbrojtur bizneset evropiane nga ndikimi i sanksioneve.

Një zyrtar i lartë i administratës, duke informuar gazetarët në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë “veçanërisht të shqetësuara” nga përpjekjet e BE për të mbrojtur firmat evropiane nga sanksionet.

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se Irani mund të mbështetet tek Kina dhe Rusia për të mbajtur në këmbë industritë e naftës dhe të sektorit bankar. Duke folur në një intervistë televizive, ai kërkoi gjithashtu kompensim për ‘ndërhyrjen’ amerikane ndaj Republikës Islamike për dekada të tëra

Muajt e pasigurisë kanë dëmtuar më tej ekonominë e Iranit. Monedha e vendit ka rënë mjaft, dhe kjo ka shkaktuar protesta anembanë vendit./VOA/

Please follow and like us: