Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Zholi: Mbi librin e dytë me poezi “Në gjirin e nënës”

Sot doli në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Vllamasi” libri i dytë me poezi “Në gjirin e Nënës” i autores Sabina Elmazaj. Ky është libri i dytë si redaktor me këtë poete premtuese dhe tepër patriotike.

Libri me poezi “Në gjirin e Nënës” i poetes Sabina Elmazaj, një libër patriotik me vlera

Libri i ri me poezi i poetes së re Sabina Elmazaj “Në gjirin e Nënës”, është një nismë poetike për të hyrë në poetët e rinj shqiptar me seriozitetin e një poeteje që tenton të lejë gjurmë në poezinë e brezit të ri. Libri i parë ishte një kërkesë ndaj vetvetes për të sjell tek lexuesi dëshirën dhe ëndrrën e parë fëminore për të krijuar dhe të afrojë lexues, pasi vitet e vështira fëminore nuk i krijuan luksin për të krijuar e lirë dhe të kalonte një fëmijëri të gëzueshme, mes lodrash dhe lumturisë. Pas librit të parë “Zemër e plagosur” Sabina i rriti kërkesat ndaj vetes, zgjeroi tematikën e krijimtarisë, rriti ndjeshmërinë e vargut, ofroi më shumë tek vetja hulumtimin njerëzor ndaj fenomeneve të përditshmërisë, përzgjodhi fabulën, lëmoi fjalën, tentoi të kapërcejë disa tabu individuale.

Për vite të tëra në emigracion, për vite të tëra në një vend me demokraci të konsoliduar siç është Belgjika, Sabina përcolli tek vetja dëshirën për të marrë dhe dhënë nga kulturat mes dy vendeve, të emancipojë më shumë veten dhe të jetojë realitetin me ngjyrat reale pa artifica. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet letrare, duke futur në bibliotekën e saj shumë libra me poet shqiptar dhe të huaj, Sabina e kultivoi më shumë vargun metaforik duke e përcjellë poezinë me vërtetësinë e një nëne dhe gruaje që di çfarë kërkon në jetë dhe çfarë mesazhi duhet të përcjellë. Larmishmëria e poezisë, tematika e pafundme në fabulat e përcjella, stili lakonik dhe besnikëria e vargut për ta sjellë sa më qartë idenë e poezisë tek lexuesi ka bërë që në këtë libër, poezia e Sabinës të vijë më e qartë, më e freskët, më e bukur, më e larmishme, më jetësore, më mesazhore.

Poezitë për Atdheun, Çamërinë, Kosovën, Flamurin kombëtar, dashurinë, fëmijëve, janë një pjesë e tematikave të gjalla që ajo i ka përcjellë me shumë intimitet, ndjeshmëri dhe diku edhe të mbështjella më filozofinë popullore shqiptare. Sabina nuk tenton që të kapërcejë idetë e vargut pa lidhje kohore dhe artistike dhe të gozhdohet vetëm tek një temë. Jo! Larmishmëria e tematikës dhe e fabulës, gjetjet e veçanta artistike, përcjelljet e mesazheve paqësore dhe bashkuese, e bëjnë librin të këndshëm por dhe intrigues në lidhje me koherenca dhe zhvillimet sociale në botë. Sabina nuk bën një jetë të mbyllur, as të kufizuar në ide, ajo është tejet e hapur në jetën e saj familjare dhe atë shoqërore dhe vargëzon bashkë me jetën me koherencën e saj. Poezia e Sabinës në këtë libër nuk është statike, as statistikë shifrash, por është një qëndismë shpirtërore e vargëzuar që sjell një erë mirëkuptimi dhe dëshirëmirë për të jetuar një botë në paqe.

Në poezitë e saj ajo nuk është e shtirë, as lajkatare dhe e nxituar. Jo! Poezia e saj në këtë vëllim vjen në mënyrë organike, tepër e sinqertë. Diku në ndonjë poezi ka dhe shenja melankolie, por tematika që zënë këto poezi kanë të bëjnë me pjesë të krahinave shqiptare si Çamëria, që koha, historia, është treguar e padrejtë. Ky melankolizëm ka dhe forcën brenda, për të dalë mbi të dhe për të kërkuar të drejtën historike sipas normave dhe ligjeve ndërkombëtare. Pa stisje, pa thirrje histerike, pa aludime, me përcjellje të drejtpërdrejta shprehjesh artistike, vëllimi i ri poetik “Në gjirin e Nënës”, i Sabinës, është një arritje artistike, një qasje e re estetike, një përmirësim elastik mesazhor. Me këtë vëllim, Sabina kërkon më shumë tek vetja, më shumë vëmendje nga lexuesi, më shumë realizëm nga kritika. Duke qenë vetvetja, me sinqeritet fëminor, Sabina në këtë vëllim ka përcjellë një poezi atdhetare, hulumtuese, por edhe të përgjegjshme. Dëshira e saj në këtë vëllim është: Ju lutem më lexoni me seriozitet, unë shkruaj me shpirt, ju më jepni me zemër çka më takon!

Please follow and like us: