Albspirit

Media/News/Publishing

Balil Gjini: Në këtë botë…

Nga poret kësaj dite i rrjedh mbi lëkurë
E verdhë veze dhe e kaltër jargavani.
Në gropat e të qeshurave jam bërë shallanurë
rrëzuar për qejf nga ky fat dustabani.

Nostalgjitë nga banaku i jetës kush i fshin vallë
(kriposur me shëllirën e keqardhjes memece)?
Jeta? Freski. Gjak i kuq, spermë e bardhë
veç gjëra me afate të shkurtëra skadence.

Jam gati të shuhem në shtrat pa bujë
sesa fatin ta tremb me gjestet e të fortit.
Ja sandalet: rrjedhin më shumë fjalë se ujë
mu para Vezuvit ku u hodh Empedeokli.

Netëve brenda dollapit të kalbur të trupit
ndiej dikë që rrëmon epruvetat e venave.
E dashur vdekje: pse merr veset e hajdudit?
Të lutem: zbrazi eksi kupat e zemrave

Ku-ku?… pyet qyqja fshehur mes gjetheve
(mos Zoti e ka shkarkuar Fatin si postier?)
Në këtë botë zbardh neutral veç porcelani i enëve
Gjithçja tjetër mut apo flori i verdhë…

Please follow and like us: