Albspirit

Media/News/Publishing

Edona Paloka: BUQETA E BRAKTISUR

Barinjtë dolën në kullotë
e delet të ngordhura i gjetën
nëpër ajrin e prillit ku zukasin kandrra.
Si lule të këputura
iu dukën delet barinjve
e në ҫast kokat e tyre
i mbërthyen në buqetë,
i futën në katua
ato lule të bardha.

Mbrëmja erdhi shpejt
e barinjtë katuan bosh e panë.
Të kërkojnë delet dolën në livadh,
e nëpër lule shkelën kokat e bardha.
I cytën drejt haurit duke psherëtirë
e sharë nëpër dhëmbë delet e urta,
i qëlluan me të shpejtë, iu dukën të plogështa,
i përbuzën për këmbët e ngathta,
nëpër errësirën e prillit ku zëzëllonin mijëra kandrra.

Delet e heshtura, të rëna përmbi bar
nuk iu dukën të ngordhura,
të ngrata thundrat e bardha iu shfaqën,
në errësirën që nisi të sjellë acar’n e ngrirë
e më s’u dukën as lulet,
me rrasa guri goditën delet të shpejtojnë në grigjë.

Por s’u panë më as delet, as lulet,
barinjtë u nisën duarbosh në shtëpi
e pezmi i tyre u nis i kotë nëpër acar.

Kur agu shpërtheu
e shfaqi rrezen e parë,
kur e ardhmja guxoi të harrojë të shkuarën,
mllefin e zemërimin që njerëzit e pëlqejnë,
barinjtë mbajtën zi,
i gjetën delet e ngordhura
si një buqetë e braktisur
me lule që dhurohen kur shpirti s’ka të kryer
e nëpër vesë gjen një lot ku të maskohet.

Please follow and like us: