Albspirit

Media/News/Publishing

Pranvera Vatoci: Presioni e shantazhi nuk e shëndoshin drejtësinë…!

 

Rasti i Tropojës, precedent negativ!

U bënë ditë që media e OJQ në Tropojë e më gjerë po trumbetojnë si akt korruptiv një vendim të gjykatës së shkallës së parë në Tropojë, lidhur me pezullimin e përkohshëm të veprimit përmbarimor në dëm të dy kompanive ndërtuese në Valbonë. Një sponsorizim i mbrapshtë dhe i paramenduar ka krijuar një tymnajë spekulative që manipulon opinionin, i cili në pamundësi të njohjes me faktet reale juridike detyrohet të besojë këtë histeri mediatike. Sa më sipër sqaroj se Gjykata e Tropojës ka marrë një vendim konform ligjit dhe kodit ligjor të Republikës, vendim jo i formës së prerë, pasi ka organ gjyqësore më të larta se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë. Edhe nëse ka indicje për shkelje nuk janë elemente që fshihen nën safrabezin e OJQ-ve e medias që determinojnë drejtësinë apo jo të vendimit. Është Gjykata e Apelit Shkodër e cila po shqyrton lendën dhe do vendosë. Atëhere përse kjo ngutje deri në agresivitet?! Dihet qartë se duke menduar situatën delikate e kontekstin ku ndodhen institucionet e drejtësisë po tentohet t’i bëhet presion, shantazh dhe intimidim Gjykatës së Apelit Shkodër. Asnjë rresht i vendimit të gjyqtarit të Tropojës Sami Ujkashi nuk bie ndesh me ligjin dhe as atakon vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit! Po ashtu si media dhe OJQ-të e sponsorizuar me mbrapshti, por dhe publiku e din mirë se gjykatat nuk japin dhe as ndalojnë koncensione. Për ato ka vendime qeverie dhe gjykata gjykon vetëm lëndët e konfliktit mes palëve bazuar në ligj! Por halli është gjetkë. Ata ustallarë që qëndrojnë pas kësaj proteste të stisur po synojnë të shfrytëzojnë e keqpërdorojne klimën e një terrori që po përjeton dhe pjesa e ndershme e gjyqësorit. Gjykata e Tropojës është e hapur për sqarime profesionale juridike dhe interpretim real të këtij vendimi, por kjo nuk ju intereson sponsorëve. Ata mendojnë se në këtë ‘det të thartuar për tu bërë…kos’ të kapin lugën që e mbajnë në brez përherë për përfitim. Vërtet ka probleme në drejtësi, por është rruga e reformave me qetësi e maturitet profesional e njerëzor dhe jo presion bastard i konkurencës së pandershme e cila mënon të shfrytëzojë situatën për interesa meskine. Askush nuk është mbi ligjin dhe jo trumpetat e klithmat, por institucionet kanë tagrin të veprojnë. Ndaj le të presim me qetësi pa daulle dhe histeri.

Please follow and like us: