Sadik Bejko: Sejfulla Malëshova, ministri i kulturës dhe… terrorizmi
- Një thënie proverbiale: martohesha me Sejfullaun
Sejfullau ishte i sëmurë, po i vinte fundi. Në spitalin e Fierit mjeku A. A. e pyeti se ç’ gjuhë të huaja përdorte. Iu përgjigj se, kur përkthente letërsi, vinte në punë rusishten, anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten, pastaj mund të përdorte edhe gjuhë të tjera. Bëheshin nja 15 gjuhë të huaja. Malëshovën që në moshë të re e njihnin për njeri të zgjuar e të ditur. Noli e kishte patur sekretar. Faik Konica në testamentin e tij thoshte se ai, “Lamja i vogël”, ka qenë ndër njerëzit që e kishin kuptuar më mirë në këtë botë. Kur Nolit më 1960 i thanë “Eja në Shqipëri, të të bëjmë kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve”, ai u tha se “Nolin” ju aty e keni, por e keni bërë magazinier në Fier.
Mund të thuash se shokët e tij jo vetëm e çmonin, por diçka më shumë: e adhuronin; për ata ai ishte mënçuria vetë. Kur Y. D-ës., mikut të tij, e ëma i tha se gruan, për nga mendja nuk e paske gjë, ai ia ktheu: e kam të bukur. Po të ishte për të mënçur, martohesha më mirë me Sejfullaun.
Ky komunist si poet ishte për trojet etnike: “Unë e dua Shqipërinë/ që nga Shkupi në Janinë,/ nga Preveza në Vraninë”; si ministër arsimi donte që Fishta dhe Konica të studioheshin në shkolla; si politikan ishte për një ekonomi të hapur ndaj Perëndimit…
Në spitalin e Fierit, në moshë të thellë, me pensionin e një magazinieri, ai, i internuari politik, ia largoi dorën mjekut që donte të bënte ndërhyrje kirurgjikale.. Gjithë natën në banesën e tij, i vetmuar, kishte bërtitur me gjithë zërin nga dhimbjet në stomak, por dy njerëz të shtetit mbas derës së tij i ndaluan komshinjtë që t’i japin ndihmë apo që të thërresin mjekun.
- Dhëmbshuri për Sejfullaun
Nga gjithë ç’la pas, të bën përshtypje një robdishan gruaje dhe një palë shapka të holla, zbukuruar me motive mongole. Ishin të një skijatoreje me origjinë mongole, bërë sportiste ruse, e cila qe martuar a kishte bashkëjetuar me Sejfullaun, gjatë kohës së qëndrimit të tij në Moskë.
Ky rrobdishan dhe shapkat kishin kaluar bashkë me Sejfullaun netët kur ai lexonte kapitalin e Marksit, bënte tezën e diktoraturës për Empedoklin, përkthente “Zgalemin” e Gorkit dhe “Ançarin” e Pushkinit. Kur e hoqën nga Moska dhe si Buharinist e dërguan me dënim në Kaukaz, kur e kthyen pas një kohe prej andej dhe e bënë dekan të fakultetit të filozofisë në Universitetin Lomonosov, kur e hoqën prej andej për ta dërguar si komunist internacionalist në Paris, gjithandej në baulen e Sejfullaut do të ishin robdishani she shapkat.
Robdishani dhe shapkat kaluan me Sejfullaun Operacionin e Dimrit dhe atë të Qershorit, plenumin e Beratit ku ai tha se partia kishte marrë nga e kaluara e Shqipërisë kulturën e vrasjeve në pusi e në prita të pabesa. Thika e terrorizmit e mprehur në flakët me ngjyrë gurkali të luftës për pushtet, kish hyrë si igrasia në trungun e në praktikat e Partisë. Pastaj robdishani mbase zuri vend me pajisjet e tenisit të ministrit të arsimit e të kulturës, pranë librit “Vjersha” dhe fjalimeve të tij për të ardhmen e shtetit të ri komunist.
I internuar, së pari, në Ballsh, ku Lamja lante kokën dhe e rruante më brisk çdo mëgjes, dimër e verë drejt e me ujin e çezmës, robdishani dhe shapkat me motive mongole mund t’i kenë dhënë forcë për të ruajtur sqimën: mbasdite mund ta luante një parti shahu me ata që ia kishin vënë pas që ta përndiqnin, mund dhe ta vazhdonte përkthimin e poemës së Nekrasovit “Kush jeton mirë në Rusi”. Poker nuk mund të luante më.
Lumi Gjanica i Fierit ia përmbyste Lames barakën ku flinte. Të nesërmen ai i ndente librat, i fshinte faqe më faqe nga llumi, i qante me lot. Librat bashkë me robishanin e shapkat me motive mongole. Dhe shkonte në magazinën ku mbante litarë, patkonj e samarë për gomerët
Ishte plakur, mund të dilte në pension si robdishani dhe shapkat që kishin dalë me kohë. Prapë në shkollat e Shqipërisë nxënësit e kishin të detyruar ta mësonin përmendësh “Zgalemin” e Gorkit. Kjo prozë poetike me një shqipërim të pashembullt të Sejfullaut botohej prej 40 vjetësh në të gjitha antologjitë shkollore, pa emrin e përkthyesit. “Ançari” i Pushkinit me atë dyvargshin e paharruar: “Si karakóll i tmerrshëm rri ançari,/ I vetëm ky në botë mbretëron” qarkullonte me emrin e një përkthyesi tjetër dhe nuk komentohej më në shkollat e mesme. Mbase kjo pemë e helmit (ançari) i duhej Sejfullaut, kur ngrysej e gdhihej vetëm e i vetëm në barakën e prishur. Si robishani e shapkat me motive mongole në fund të një bauleje të grisur. Atje ia gjeti e motra që e vetme në qerren me buaj të komunales e shoqëroi të vëllanë deri në varrezat e Fierit, në banesën e tij të fundit. Sejfullaun e varrosi në Fier, robishani dhe shapkat shkuan në fshatin e mbyllur pas maleve, në Malëshovë.
- Makina e Ministrit të sotëm të Kulturës
Sipas shtypit, makina e Ministrit të sotëm të Kulturës, që gazetarkat e TV Kohës publikisht e sajdisin me nofkën “Sandër mafishja”, emri i një personazhi të një komedie shumë popullore, harxhon deri dy milion lekë benzinë në ditë.
Ky vërtetë nuk lidhet gjëkund me Sejfulla Malëshovën, s’ ka ndonjë doktoraturë e as ndonjë libër me vjersha. As Operacionin e Dimrit a të Qershorit nuk i njeh fare. Si i ri, pak modern, pak dendy, puna e tij mund të jetë që edhe të qenit partiak, edhe ministër, kanë lidhje me makinat. Hobi i tij janë shefat dhe “bensat”. Me një fjalë, e gjen e mira ose belája nga makinat.
Por ja që është i Kulturës dhe ata të bashkisë së Këlcyrës i kërkuan 200 mijë lekë të vjetra dhe pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e shpalljes së Sejfulla Malëshovës Qytetar Nderi i Këlcyrës.
Meselé më vete kjo e Qytetarit të Nderit. Në fillim, dashamirët e Sejfullaut shkuan te bashkia e Përmetit dhe ngulën këmbë, ta bëjmë Sejfullaun Qytetar Nderi të Përmetit. “Kë ”, u thanë ata të bashkisë, “Sejfullaun?… Jo, ai është me probleme. E ka dënuar Partia jonë. Ne këtu kemi reliket e Kongresit të Pëmetit, të Komandantit që e ka dënuar Sejfullaun. O me njërin, o me tjetrin. Si mund të rrinë bashkë”.
Kjo logjikë i vuri në sedër ata të Këlcyrës dhe, mbase për karshillëk, ia bënë forra, e bënë ata Qytetar Nderi. Por edhe Ministri ynë i Kulturës mbajti anën e Kongresit të Përmetit, nuk u dha as ato 200 mijë lekë të mjera, që makina e tij i harxhon vetëm sabá-sabá, sa për fresk, dhe as çoi njeri si përfaqësues të Ministrisë. Megjithatë, edhe pa Ministrin, edhe pa Përmetin Këlcyra ia dha Sejfullaut Qytetarinë e Nderit.
Tani, s’ ka dy javë, miqtë e Sejfullaut me mësuesin dhe gazetarin e zellshëm Niko Tyto që ka bërë një libër të mirë për S. Malëshovën, mblidhen mu në Tiranë. Mbajnë dhe kumtesa me vlerë. Prapë i lutin që të marrin pjesë dhe prapë i bojkotojnë ata të Ministrisë së Kulturës. Pse? Nuk kanë fonde? I harxhon të gjitha makina e Ministrit? Nuk dihet. Një gjë dihet: më mirë të marrësh pjesë në një festë surrogato si ajo e ballokumeve, se sa në përkujtimin e një personaliteti “të dyshimtë” si Sejfullau që Partia mëmë e ka dënuar. Dhe kurrë nuk e ka rehabilituar. Këtu Ministri zyrtarisht është në rregull. Kë ka dënuar Partia dhe është rehabilituar? A nuk kemi një shtet partiak? Një shtet partiak ruan vijën e partisë, vetëm të partisë. Po të doni, quajeni, hë de quajeni, “Sandër mafishja” një Ministër të tillë?
- A janë bankierët e sotëm partiakë ?
Këto ditë ka dalë një libër për historikun e Bankës së Shqipërisë. Për çfarë nuk flitet: për muret e për gurët e bankës etj… Për guvernatorët e shquar etj. Vetëm harrohet, themi harrohet, që një nga drejtorët e drejtorive të kësaj Banke dikur ka qenë dhe Dhimitër Pasko, alias Mitrush Kuteli, shkrimtar i shquar, emër i pashlyer i letrave shqipe. Thua janë kaq të paditur bankierët? Dhimitër Pasko me profesion ka qenë ekonomist. Ka mbrojtur në vitet ’30 në Rumani dhe doktoraturën si i tillë me disertacionin “Bankat e Ballkanit”. Ka një kontribut të rëndësishëm profesional dhe atdhetar si bankier… e ka të dokumentuar, e përmend dhe në testamentin e tij me atë thënien lapidare: “Atdheun ta duash, edhe kur të jep dhembje”. Por edhe Paskon e kanë dënuar e, kur të dënon partia, brezat trashëgues të saj nuk duan të kenë punë me ty. Larg! Ç’u duhet të ngatërrohen me armiqtë. Bankierët e sotëm na qenkan të partisë, kur Dh. Pasko një punë të tillë e quante të shqiptarisë. Për këtë, posaçërisht për këtë, e meriton ky Pasko që të heshtet dhe të fshihet nga historiku i Bankës së Shqipërisë.
- Një mentalitet i terrorit?
Komunistët i trembte dhe i tremb fjala “rehabilitim”. 2500 vjet më parë filozofi kinez Konfuçi hodhi një ide që u bë normë në qytetërimin kinez: njeriu që gabon, mund të rehabilitohet e të gjejë vendin e tij në shoqëri. Është në praktikën e qytetërimit shqiptar kjo që, po gabove njëherë, mbetesh me njollë për tërë jetën? Apo një kulturë e tillë e damkës për tërë jetën mbi shpinë, sidomos po qe damkë politike, e solli komunizmi në Shqipëri?
Nuk dua të jap përgjigje përfundimtare. Për mua, thjesht për mua, ky quhet vazhdim i mendësisë së terrorizmit, një variant i atij terrorizmi që e vuajtëm për 50 vjet. Disa ndëshkimin e tij e marrin mbi vete e nuk u shlyhet as pas vdekjes. Mentaliteti i së keqes është më i rrezikshëm, se sa vetë e keqja. Ai trashëgohet. Po nuk vdiq mentaliteti, e keqja, sado të rrëgjohet, zgjohet prapë dhe mund të vazhdojë në forma të tjera. Në se sot flasim për një terrorizëm të rilindur me bomba dhe me dinamit, të sofistikuar e të stërholluar në mjete, a nuk ka ndonjë lidhje ky me praktikën tonë politike 50-vjeçare që sapo e kaluam? Nëse ka ndonjë lidhje me pusítë e pritat e pabesa, si të ruhet njeriu? Kujtoni robdishambrin e shapkat me motive mongole të Sejfulla Malëshovës, të cilat ai i mbrojti dhe me jetën e tij, jetë që ia bënë fërtele shokët e idealit. Kujtoni dhe Mitrush Kutelin që i terrorizuar tërë jetën, në fund do të linte testamentin: ta duash atdheun, edhe kur të vret. Duhet të mblidhemi shuk në fund të vetes sonë si Sejfullahu për të mbrojtur jetën, intimitetet e pasuritë tona? Duhet t’u lëmë fëmijve tanë mesazhe tragjike si ai i Mitrush Kutelit?
Brezat që erdhën nga terrori, sa do të dinë t’i shmangen atij?