Skënder Minxhozi: Kush ja tërheq litarin Hashimit dhe Aleksandrit?
Shumëkush në Prishtinë, Tiranë dhe qendrat e tjera shqiptare, vazhdon të kruajë kokën me habi, për hovin e papritur që ka marrë teza e ndryshimit të kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë. Një temë e cila është konsideruar thjesht si një tabu diplomatike nga të gjithë ata (shqiptarë apo të huaj), të cilët janë marrë me problemet e sigurisë së shtetit më të ri në kontinentin europian. Ka një habi të përgjithshme tek e gjitha ajo elitë njerëzish që kanë besuar dhe vijojnë të besojnë se të prekësh kufinjtë në Ballkan, do të thotë të shtypësh një buton që zakonisht bën të shpërthejnë luftrat e konfliktet. Dhe rajoni ynë ka ditur të jetë veçanërisht gjakësor, kur ka qenë fjala për të caktuar sinoret mes shteteve.
Por tani që ka kaluar një farë kohe pas hedhjes së tezave të “korrigjimit kufitar” nga Presidenti i Kosovës dhe të “ridefinimit të kufinjve” nga ai serb, shumëçka është bërë më e qartë dhe më e dukshme për vëzhguesit e situatës në Ballkan. Në një konkluzion të parë dhe të thjeshtë për t’u vënë në dukje, sot duket se as Hashim Thaçi s’ka folur kot, e as Ilir Meta apo Edi Rama s’po heshtin kot. Sa për serbët, ata janë të gatshëm t’i lëvizin kufinjtë aktualë. Edhe deklaratat e atyre që kanë folur në Prishtinë e Tiranë (të gjithë kundër ndryshimit kufitar me Serbinë), nuk kanë qenë qëndrime të improvizuara, por kanë pasqyruar humoret e prishura të asaj pjese të elitave politike, që shohin një rrezik të madh për stabilitetin rajonal e europian, në atë që propozohet me naivitet të shtirur nga krerët e Serbisë e Kosovës.
Në një deklarim të të mërkurës, presidenti serb Vuçiç është shprehur pro “ridefinimit të kufinjve me shqiptarët”. Një përcaktim që vetëm pak muaj më parë do të kishte efektin e një bombe në ambjentet diplomatike të të gjithë Europës e SHBA-ve. Po pse flasin në këtë mënyrë sa të sinkronizuar, aq edhe të pazakontë Aleksandar Vuçiç e Hashim Thaçi?! Cila është ajo shtysë madhore që i ka tërhequr zvarrë pozicionet deri dje të ngurta në lidhje me kufinjtë?! Pse dialogu serbo-kosovar po përfshin papritur rregullimin territorial – një element i cili nga të gjitha administratat e mëparshme amerikane dhe vendet anëtare të BE, është parë thjesht si një temë e panegociueshme dhe e papërshtatshme për çfarëdo lloj diskutimi, sado parimor e teorik?
Të gjitha këto pikëpyetje, të cilat shoqërojnë përmbysjen de facto të strategjisë perëndimore për paqen e sigurinë në Ballkan, duket se mund të marrin disa përgjigje, nëse hidhet një sy mbi zhvillimet më të fundit politike në dy anët e Atlantikut. Pikërisht në atë hapësirë e cila ka prodhuar dy dekada më parë, konfigurimin që ka sot Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor. Zgjedhjet amerikane të fundit të 2016, por edhe proceset elektorale të vrullshme në disa nga vendet e mëdha të Europës Perëndimore, duke shtuar faktorin rus gjithnjë e më të fuqishëm në planin global, kanë krijuar mesa duket një konjukturë të re gjeopolitike. E cila, më së pari mbështetet tek vizioni kontradiktor dhe i paqëndrueshëm i Donald Trump për shumë nga temat e nxehta të politikës ndërkombëtare. Nga Lindja e mesme tek Irani e Koreja e Veriut, Trump po i jep një shkundje të fortë piketave klasike të marrëdhënieve mes shteteve e blloqeve të mëdha politike e ekonomike.
Një ndër përplasjet më të forta të administratës Trump ka qenë ajo me Bashkimin Europian. Përkrahës i fortë i Brexit-it britanik, ai ka ndërmarrë masa të forta proteksioniste kundër BE, ka kritikuar me tone të diskutueshme NATO-n dhe themelet mbi të cilat ajo ngrihet, si dhe ka acaruar skajshëm raportet me Gjermaninë.
Paralelisht me këtë, personat më të afërt të presidentit, ku bën pjesë edhe frymëzuesi e këshilltari i tij i vjetër Steve Bannon, janë investuar për të mbështetur e fuqizuar lëvizjet populiste të ekstremit të djathtë në Europën Perëndimore. Takimet e Bannon, pak javë më parë, me kryeministrin Orban, shefen e Frontit Kombëtar francez Le Pen, ministrin e brendshëm italian Salvini, ravijëzojnë qartë strategjinë e asaj pjese të së djathtës amerikane, që dërgoi më së pari në Shtëpinë e Bardhë një përfaqësues të spikatur të saj, e që tani po kërkon t’i japë një shkundje rendit botëror. Bannon ka njoftuar krijimin e një fondacioni me bazë në Bruksel, i cili kërkon të ndihmojë populistët europianë, duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme europiane të majit 2019.
Ka elemente për të dyshuar se Ballkani, më saktë pjesa perëndimore e tij, po fillojnë të ndjejnë lëkundjet sizmike të këtij vizioni të ri të politikës amerikane, që bazohet mbi rrëzimin e të gjitha “dogmave” e “klisheve” të deridjeshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në takimin që pati para pak ditësh me kryeministren e serbëve të Bosnjes, “guru”-ja i Trump, Steve Bannon, i deklaronte medias boshnjake se ai dhe lëvizja e tij do të përpiqeshin të krijonin një kundërpeshë ndaj propogandës së miliarderit filantrop Geoge Soros, i cili sipas Bannon dhe të djathtës së sotme amerikane, përbën një kërcënim madhor “majtist dhe liberal”.
Përtej sherrit me Soros, populizmi që buron sot nga Shtëpia e Bardhë duket se po e lëmon gradualisht gjuhën zyrtare amerikane, edhe ndaj një rajoni si Ballkani, ku SHBA kanë qenë historikisht të ndjeshme. Aq të ndjeshme, saqë provokuan një luftë me Serbinë e Millosheviçit, duke hedhur bomba në tokën europiane, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse i hedh një sy deklaratave të fundit, siç qe ajo e Departamentit të Shtetit, kupton se diçka thelbësore po ndodh në kursin amerikan në Ballkan. Të paktën sa i përket parimit të kufinjve, tradicionalisht sensitiv dhe i paprekshëm për Uashingtonin. “Thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Evropian si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë të procesit, të ulin retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”, thuhet në deklaratë. Siç shihet, në tekst është eliminuar çdo referencë ndaj debatit për korrigjimin kufitar. Superfuqia që vizatoi për herë të fundit kufinjtë zyrtarë të Kosovës së sotme, bën thirrje që zgjidhja të vijë mes palëve dhe të jetë “elastike”. A nuk tingëllon e çuditshme e gjitha kjo?!
Hashim Thaçi e di më mirë se kushdo tjetër se kufinjtë e Kosovës janë elementi më esencial i qenies së shtetit të cilin ai drejton. Sidomos kur përballë ka një fuqi rajonale që nuk e njeh fare si vend sovran dhe që zyrtarisht e quan territor të sajin. Është praktikisht e pamundur që ai dhe homologu i tij serb Vuçiç të gjejnë në distancë dhe brenda pak ditësh, rakordim të plotë për korrigjim-ridefinim (siç e quajtën vetë) të kufinjve, megjithëse janë takuar dhjetra herë më parë në të gjitha kryeqytetet e Europës, pa lëvizur asnjë centimetër nga pozicionet respektive.
Çfarë ka ndodhur këto orë në dy zyrat më të larta të dy shteteve, që për kufirin janë vrarë e djegur, e që tani duan ta spostojnë vijën kufitare në tavolinë, sikur po luajnë një dorë letra?! Cila është ajo forcë e padukshme që motivon këtë modifikim epokal vizionesh dhe qëndrimesh zyrtare, dy dekada pas pavarësisë së Kosovës?! Në botën ku jetojmë, këtë mund ta arrijnë vetëm ajo/ato fuqi që kanë në dorë të bëjnë kohën e mirë dhe të keqe nga Alaska deri në Lindjen e Largët. E në rastin kur Gjermania (pra BE) deklarohet e acaruar me retorikën e ndryshimit të kufinjve mes Kosovës e Serbisë, fuqitë që mbeten në lojë janë vetëm dy: Uashingtoni e ndoshta edhe Moska. Secila duke tërhequr litarin përkatës në Ballkan. E para Prishtinën, e dyta Beogradin. Sa për pasojat, ato do t’i shohim gjatë rrugës nëse ky ekuacion do të rezultojë i vërtetë një ditë.