TE HAVZI NELA, NË KOLLOVOZ: LUMJANI I LIRË
-Ep i ri-
Vërshojnë në një shtrat, por janë pak dy Drina,
T’ia mbushin damarët dhe zemrën me gjak.
E ulët Gjallica, e brishtë Pikëllima,
Për shtatin e tij, gjymtyrë e asht!
Sjell erë Ereniku, fryn Jugë e Veri,
Por prapë s’mjaftojnë për frymën e tij.
“Njeriun këndon, për vete mban zi”*.
Lirisë ia bën fron burrërinë e tij!
Në steril të ngricës, në shpirtshkretëtirë,
Kalëron lumjani Pegasin i lirë.
Syri i Polifemit e ndjek, e sheh dhe leh,
Shpirtin e njeriut rreh ta kthejë në pleh!
Dhentë e “Odisesë” s’e nxjerrin dot nga shpella…
Hapsanë t’u bë tirani dhe hasm, o Havzi Nela!
Kufijtë t’i bëri nyje në lak të një litari,
Si gjuhë e gjallë kambane, në qiellin tënd të vari.
Koka shkoi te ëndrrat, lart u ngjit në qiell,
Trupi, thellë dheut, lis më këmbë i mbjellë!
————-
Perifrazim e një vargu të Havziut.