Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Xhoi Jakaj: Këndvështrimi social ‘Burrëri e braktisur’

 

Po e nis kētë shkrim duke u bërë një lloj apeli nënave të reja. Vlerëso burrin që është i përkushtuar, atë që “burrërinë” prej mashkulli e ka braktisur dhe i shërben fëmijës e familjes së tij në maksimum…pa përtesë e bezdi edhe kur është i angazhuar në punë shteti apo biznes dhe orët e lira ia dedikon familjes. Kam kohë që has gjatë ditës dhe i shikoj të shtuar shumë djem të rinj baballarë që i japin karrocës së bejbit, mbajnë në gjoksore burrash me fëmijën e tyre në shëtitje, e lyejnë me krem dielli dhe i mësojnë notin vajzës apo djalit, mbajnë duke ecur krah bashkëshortes qeset me ushqime në njërën dorë dhe në krahun tjetër ka fëmijën e tij që i buzëqesh plot dashuri.

Praktikisht kjo është e drejtë dhe kështu duhet të jetë, sepse të dy bashkëshortët duhet të kontribuojnë në familje për të pasur përpos barazisë gjinore edhe një familje të shëndetshme. Sot me shkrimin tim unë kam si qëllim tē flas për këta djem të mirë-edukuar nga nënat e tyre dhe që për të dy palët kam falenderim pafund pasi në këtë mënyrë nuk i keni bërë mirë vetëm familjes por dhe emancipimit shoqëror…

Po t’i kthehem viteve 96-97 kur unë isha mami e re me dy goca, njëra pas tjetrës dhe nuk i gëzoja këto cilësi të plota nga bashkëshorti im dhe pse punoja si mësuese me orë të tëra në gjimnaz paradite e pasdite, punoja në kurse private si e si të krijoja mirëqënie për fëmijēt dhe familjen time, shumë gra të tjera kur të lexojnē shkrimin tim do e gjejnë veten në heshtje te ky shkrim.

Burrat baballarë tē post viteve ’90 nuk e kishin kurrë këtë emancipim, edhe nëse kishin dëshirë t’i ndihmonin gratë dhe nënat e fëmijëve të tyre, nuk i linte një lloj burrnie me të cilën në vite ishte i veshur burri shqiptar dhe mbështetja e gruas në publik sipas mëndësisë së mashkullit shqiptar ishte “zhburrnim” edhe të hedhësh mbeturinat, të vëndosesh rrobat në ballkon pasi janë larë nē lavatriçe, t’i mbash qeset bashkëshortes e aq më pak të mbash fëmijën tënd në gjoksore nuk ndodhte fare ose rastet ishin aq sporadike sa dhe nëse ndodhte ata etiketoheshin si burra që ju bën ligjin gruaja, burra të butë dhe pa vlera burrnore që bëjnë punët e gruas.

Personalisht unë kam pasur një burrë me ‘Rr’ të tillë edhe pse nuk kam vuajtur në rritjen dhe edukimin e vajzave të mia sepse krah meje kisha një super vjehërr dhe një super kunat që më mbështetën shumë. Ama e kam ndier jo pak herë në supet e mia të forta peshën e kësaj burrnie edhe pse burri im ishte rritur në të njëjtin ambient me vëllain e tij që ‘bëhej copa’ për vajzat e mia duke i dërguar te lodrat, në plazh dhe duke i shoqëruar e mësuar shpesh herë dhe rregullat minimale të mirësjelljes dhe higjenës personale. Me këtë dua të them shpesh që “burrnia” e burrave shqiptarë, përpos edukimit jo të mirë në familje nga nënat, është e shkruar disi dhe në gjenezën e tyre pasi dy meshkuj të rritur dhe edukuar në të njëjtën mjedis kanë sjellje të ndryshme social- kulturore.

Janë dashur vite që të pranohen ndarja e detyrave në familje; fatmirësisht sot e shikoj tek shumë djem të rinj baballarë, ndaj ju nënat e reja vlerësoni fatin tuaj, mbajeni e ushqeni dashuri të ky lloj mashkulli dhe mbroni fort familjen duke lënë ndonjëherë menjanë egon për t’u marrë vetëm me veten, flokët, thonjtë apo dukjen tuaj të jashtme e të harroni misionin e shejtë të mëmësisë, sepse shumë prej nënave të tjera në këtë vend i rrisin, ushqejnë dhe edukojnë vetëm fëmijët për shkak të kēsaj “burrnie” të brymosur herët dhe qē ndër vite mbeti ne genet e tyre. Vështirë të ndryshohet lehtë ky realitet sidomos në zonat e thella rurale, mbase edhe pēr shumë e shumë vite të tjera?!

Por që kjo tabllo familjare të plotësohet e në shoqërinë shqiptare të funksionojë familja, rolin kryersor e ka gruaja nënë, ne të gjitha rastet po rritët djem me kulturë edukatë dhe me ndjesinë pozitive për të qënë të barabartë me bashkëshorten, ne vazhdim do shohim familje të funksionale të shendosha dhe që gëzojnë lumturinë e plotë…

Please follow and like us: