Albspirit

Media/News/Publishing

Edlira Gjoni: Pa fjalë nga tragjedia e Selenicës!

Pa fjalë nga tragjedia e Selenicës. Të parat shkaqe që vijnë ndër mend janë papunësia, mungesa e perspektivës, e qarkullimit të lekut, përdorimi i marijuanës, depresioni masiv, mungesa e leximit, vlerave, modelit familjar, moralit shoqëror, drejtësisë së përdalë, shembullit helmues politik, principeve që duke i shtypur, na sjellin te të tilla gjëma.
Por pa e marrë veten nga kjo shumatore faktorësh që po e çmend një vend pa asnjë perspektivë të dukshme zhvillimi normal, del në skenë më arroganti i të gjithëve. Në vend të qetësojë gjakra e mendjet e çoroditura të zgjedhësve të tij, a në vend të dërgonte publikisht mesazhe familjarëve si çdo shtetar në vrasje masive, kryeministri zgjohet me lugën propagandistike të radhës: “Mirëmëngjes nga bumi ekonomik. Fundjavë të qetë”.
Për ta bërë edhe më të papranueshëm reagimin e tij të çuditshëm, i vendos postimit edhe ca lule, xixa e ikona nga universi paralel i Rilindjes online.
Sa nga 8 viktimat plus autorin ishin punësuar në këtë bumin e ri ekonomik? Sa të rinj nga fshati i tij, nga Selenica, nga fshatrat e Vlorës, Lushnjes, Elbasanit, Lezhës, Kukësit, gjithë Shqipërisë janë punësuar në bumin e universit paralel?
Nuk ka as mëshirë, as synim për të ndalur përdhunimi që i bëhet këtij populli nga politika anadollake që herë lëshon armë, e herë i hedh njerëzit në greminë me propogadën e shëmtuar sipas modelit të shëmtuar diktatorial e ish-komunist.
Depresioni masiv e përdorimi i drogës që bën gjëmën janë pasojë e drejtpërdrejtë e keq-manaxhimit politik të kësaj mine me sahat ku rriten vrasës. Politika sjell gjendjen, por edhe modelin e gjithckaje të gabuar.
Në mungesë drite në fund të tunelit, njerëzit merren me pula deti. Medias i vjen për shtat kjo e çdo histori makabre.
Po pse politika hedh vetëm benzinë mbi gjendjen që digjet?
Zot mbaj dorën! Ngushëllime për çdo jetë të humbur.

Please follow and like us: