Orjola Pampuri: Përmirësimi e mirëfunksionimi i hallkave në sektorët e shëndetit mendor
Përmirësimi e mirëfunksionimi i hallkave në sektorët e shëndetit mendor, minimizon rrezikun për ngjarje të trishta, si rasti i Selenicës, Dhërmiut etj.
Shëndeti mendor është një nga hallkat e rëndësishme të sistemit shëndetësor.
Kemi përmendur disa hallka, sektorë e departamente në sistemin shëndetësor, por një sektor shumë i rëndësishëm është ai i shëndetit mendor i cili nis nga struktura bazë informimi e promocioni me qëllim dhe prevenimin apo avancimin e mëtejshëm të simptomave të cilat nëse nuk ndërhyet mund të çojnë deri në degradim të sjelljeve të individit, të cilat mund të cenojnë vetë individin, familjen apo komunitetin.
Sjellje të tilla mund të përkojnë me çrregullime si çrregullimi i personalitetit paranoid, simptomat e të cilit përkojnë me sjelljet e mëparshme të autorit, të cilat mund të jenë shfaqur që në adoleshencë dhe kanë kaluar pa u vënë re, por sigurisht diagnoza vendoset pasi rasti fillon të ndiqet nga mjekët përkatës.
Tek persona me patologji të tilla mllefi e dyshimi është i madh kundrejt personave me të cilët komunikojnë, apo dhe bashkëveprojnë duke dëshiruar dhe eleminimin e tyre.
Por për rastin e Selenicës dhe raste të tjera të ngjashme që kanë ndodhur, së pari duhet të bëjmë një analizë më të thellë, e cila nis që nga sjellja fillestare, pra simptomat e hershme të individëve të tillë.
Nuk mund të mohojmë, kurrsesi që personi nuk ka psikopatologji, pasi të egzekutosh në gjakftohtësi 8 persona, ndër ta dhe fëmijë, të vijosh i qetë, të komentosh në fcb, të mos shfaqësh pendesë madje edhe të vesh në lojë policinë, këto janë simptomat tipike të një personi kryesisht me patologjinë e mësipërme mentale.
Gjithsësi unë nuk dua të shmang edhe familjen nga faji, pasi shpesh si pjesë e një shoqërie paragjykuese mundohet të shmangë, apo të mospranojë simptomat e të afërmit, fëmijës apo prindit, duke i fshehur, apo duke duruar shpesh edhe dhunë e kërcënime mbi kurriz vetëm që të mos e referojë tek specialisti, sepse fqinjët, miqtë apo të afërmit do ta paragjykojnë, apo akoma edhe më keq do të mbetet pa u martuar. Ky është ndëshkimi më i madh që i bëhet shoqërisë, pasojat e së cilit po rëndojnë sot me viktima, e masakra të cilat janë horror për familjarët e makth për ne që i dëgjojmë.
Së dyti do të doja të citoja rëndësinë e qendrave komunitare të shëndetit mendor dhe qendrave rezidenciale për rehabilitimin dhe trajtimin e personave të tillë të trajtuar veçmas sipas psikopatologjive. Shumë prej familjarëve të cilët duan të referojnë të afërmit e tyre në një qendër për t’u trajtuar, nuk pranojnë t’i vendosin në spitale psikiatrike, kushtet e të cilëve lënë për të dëshiruar. Mungesa e qendrave të tilla ka bërë që shumë të afërm e familjarë të preferojnë t’i mbajnë në shtëpi, ku përbëjnë rrezik për komunitetin e familjen. Sa persona enden rrugëve me patologji mendore dhe askush nuk merr masa për ta.
Në rastin e Selenicës, problemi në të cilin duhet të fokusohemi nuk është arma por akti, i cili do të ndërmerrej edhe në mungese të asaj arme duke u zëvendësuar me diçka tjetër.
Së treti do të doja të shtoja nevojën e një regjistri kombëtar të çrregullimeve mendore, i cili mungon e duhet ta marrë përsipër Instituti i Shëndetit Publik, i cili ka sektor të veçantë për shëndetin mendor, e mbi të gjitha është institucion kërkimor shkencor. Nëse do të kishim një database, sigurisht do të kthjelloheshim dhe do të kuptonim nevojën e informimit, ndërgjegjësimit të popullatës për të referuar rastet, duke i bërë të njohur simptomat dhe sigurisht nevoja për forcimin e strukturave dhe hallkave të shëndetit mendor duke përmirësuar kushtet e spitaleve, duke ndërtuar qendra trajtimi e rehabilitimi dhe vendosja e specialistëve për referimin fillestar në qendrat shëndetësore.
Një pikë tjetër e rëndësishme është; sa më shumë të flasim për patologjitë e shëndetit mendor aq më pak tabu do të jenë ato për komunitetin dhe kush më mirë se specialistët e promocionit në rrethe mund ta bëjnë këtë në komunikim të drejtpërdrejtë e të herë pas hereshëm me komunitetin.
Ministria e Shëndetësisë në vend të check-up-it, mund të kishte menduar edhe për këtë hallkë të rëndësishme të sistemit shëndetësor, për të cilën premtoi restaurimin e qendrave komunitare, por as këtë nuk e bëri.
Nëse nuk merren masat e mësipërme, raste të tilla do të përsëriten, por më pas nuk mund të themi që faji është i patologjisë por pashmangshmërisht i sistemit.