Albspirit

Media/News/Publishing

Pali Nikoll Marku, “Qytetar Nderi i Patosit”


Themelues i bibliotekës shkencore të naftës, autor i disa monografive për metereologjinë shqiptare. Kreu studimet e larta në shkollën e Aviacionit Ushtarak në Beograd. Në vitin 1948 u kthye në Shqipëri dhe filloi punë në aeroportin e Tiranës në stacionin meteorologjik. Një vit më vonë, ky stacion emërtohet Stacioni Qëndror i Sinoptikës dhe Pal Nikolla emërohet shef i tij. Në vitin 1951 së bashku me oficerin bullgar të aviacionit, specialist i meteorologjisë Svetko G. Isidorov punojnë për veprën “Klima e Shqipërisë” e para e këtij lloji në vendin tonë. Në vitin 1955 dërgohet në Bullgari për shkëmbim përvoje dhe pas kthimit emërohet në aviacionin e Kuçovës. Në këtë fushë, ai pati rastin të hidhte me sukses themelet e shkencës shqiptare, në një nga sektorët më të vështirë të aviacionit civil dhe ushtarak, duke u bërë një nga protagonistët më në zë të asaj kohe. Në vitin 1961 mbi Pal Nikollën ranë akuzat politike për motive jo vetëm të padrejta, por qartësisht paradoksale për të cilat u ndëshkua të jetonte dhe punonte si bujk i thjeshtë në bjeshkët e Mirditës, për të mbajtur familjen e tij të varfër. Duke pasur nevojën e një njeriu të talentuar si Pal Nikolla, në vitin 1963 pushtetarët e asaj kohe e thirrën të krijonte Bibliotekën Shkencore në Kuçovë, e cila më pas u transferua në Patos dhe u shndërrua në një bibliotekë me një tirazh shumë të madh librash shkencorë në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaj. Në vitin 1975 në një situatë tjetër politike mjaft të acaruar, Pali akuzohet për punë armiqësore dhe sabotuese në ekonomi, e transferojnë në repartin e fonderisë së Uzinës Mekanike të Patosit, duke e survejuar si njeri të rrezikshëm. Por, megjithë persekutimit e tij në vite, intelektuali Pal Nikolla kishte vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme në fushën e shkencës së meteorologjisë dhe sinoptikës për të cilat është dekoruar nga Kuvendi Popullor me “Urdhërin e Punës të Klasit III-të” dhe Instituti i Shkencave e emëroi “Laborant i vjetër shkencor” në Shërbimin Hidrometeorologjik të Shqipërisë. Pal Nikoll Marku ose Baca siç e njihnin të gjithë në Patos shuhet nga jeta më 7 shtator të vitit 2009 në moshën 82 vjeçare, duke lënë pas një emër të dashur e të nderuar për të gjithë.
Please follow and like us: